MENU
klinika

Luan Haka: Jemi të bashkuar, larg konfliktit politik

PD prezanton kandidatin për bashkinë Dibër

06.02.2022 - 15:42

Partia Demokratike prezantoi sot zyrtarisht kandidatin për kryetar të bashkisë së Dibrës, Luan Haka, propozuar nga strukturat e degës së PD dhe miratuar nga kryesia.

Prezantimi i kandidatit Luan Haka, është bërë nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, nënkryetarja e PD, Jorida Tabalu, drejtuesi politik i qarkut, Xhelal Mziu, kryetari degës së Dibrës Naim Gazidede, deputetë si dhe anëtarë të kryesisë së PD.

Sekretari i Përgjithshëm Bardhi dhe nënkryetarja Tabaku në fjalën e tyre vlerësuan figurën e kandidatit Luan Haka, duke shprehur bindjen se Dibra do të fitohet e do tu kthehet qytetarëve.

Kandidati për bashkinë e Dibrës në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, tha se ndjehet i privilegjuar që iu dha besimi për të kandiduar e nesër për ti shërbyer qytetarëve dibranë.

“Në 6 Mars, do të kemi një proces demokratik zgjedhor për Kryetarin e Bashkisë. Unë, po aq sa krenar, jam edhe përgjegjës për rikthimin e dinjitetit në Dibër. Besimi për t’ju përfaqësuar , përveç kënaqësisë, më ka vënë mbi supe peshën për t’jua kthyer atë Dibër që po na e kalojnë dorë më dorë që nga 2015-ta. Unë vetem nuk mundem të fitoj. Unë bashke me ju do të fitoj! Mua, përpara se të filloj rrugëtimin e fitores, më duheni ju!

Ju, pa të cilët nuk do mund të bëja opozite dhe pa të cilët nuk e dëshiroj fitoren. Demokratët dinë të jenë vetëm TË BASHKUAR.

Jam plotësisht i bindur që së bashku do ta ndërtojmë Dibrën tonë. Dibrën e vjedhur, Dibrën e masakruar, Dibrën e varfër e të harruar. Dibrën, të cilës, ja kam shkelur çdo pëllëmb, ja di hallet, jetoj në të, dhe di cfarë i duhet asaj. Modestisht , nëse ka diçka për të cilën do ja dija vlerë vetes si kryetar i ardhshëm i Bashkisë, është fakti se ndryshe nga ata që i sjellin nga Tirana e që Dibrës ja mësojnë rrugët vetëm kur ju vjen pushteti, unë di dhe cepin më të harruar të saj, qytetarin më të paushqyer, e rrugën më të pashkelur.

Jam më se i vendosur që së bashku nëpermjet meritokracisë dhe përkushtimit, Bashkia do të jetë derë e hapur për gjithësecilin që dëshiron dhe ka çfarë t’i japë vendit, shoqërisë dibrane.

Rindërtimi i besimit të qytetarit tek qeverisja vendore është një nder sfidat që kam dhe besoj që do t’ia arrij duke angazhuar në administratë njerëz të aftë dhe punë dashës, larg analfabetëve funksionalë që na kanë pushtuar administraten.

Do t’i shërbej me nder dhe përkushtim qytetarit dhe do t’a lë derën hapur njësoj edhe për atë që do zgjedhë të mos më votojë.

Ju falenderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë organizim dhe për mbeshtetjen tuaj te plote.

Mirënjohje të pafundme për kryesinë e Partisë Demokratike dega Dibër, që më besoi kandidimin tim për Bashkinë”, – u shpreh Luan Haka gjatë prezantimit me strukturat në Dibër.