MENU
klinika

Për çfarë akuzohen

Policia aksion në Korçë, arrestohen katër persona

06.02.2022 - 13:55

Katër persona janë vënë në prangat e policisë në Korçë, ndërsa është proceduar penalisht një tjetër person, për një sërë veprash penale.

Policia ka finalizuar me sukses operacionin ‘Basti i fundit’, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit E. P., 21 vjeç, banues në Korçë; Xh. K., 21 vjeç, banues në fshatin Mborje, Korçë; A. L., 32 vjeç, banues në Korçë; G. K., 44 vjeç, banues në Korçë dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi Xh. G., 21 vjeç, banues në fshatin Voskopojë, Korçë.

Pas kontrollit të ushtruar në lagjen nr. 4, në lokalin në përdorim të shtetasit E. P., i cili nuk dispononte dokumentacionin përkatës për këtë biznes, policia konstatoi një punonjës të pasiguruar dhe 3 aparate celularë në përdorim të shtetasve E. P., Xh. K. dhe A. L., të cilët dyshohet se përdoreshin prej tyre për vendosjen e basteve sportive.

Po ashtu gjatë kontrollit të ushtruar në lagjen nr. 9, në lokalin në pronësi të shtetasit Xh. G., u konstatua një punonjës i pasiguruar, një sasi pijesh alkoolike pa pullën fiskale, si edhe shtetasit G. K., iu gjetën 2 aparate celularë, që dyshohet se shërbenin për vendosjen e basteve sportive, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Punësimi i paligjshëm”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore, të papajisur me kasë fiskale” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.