MENU
klinika

Akuza e ngritur ndaj saj

Ish-zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda merret e pandehur

15.02.2022 - 13:05

Gjykata e Posaçme, GJKKO, ka pranuar të marrë të pandehur zyrtarisht ish-zv/ministren e Brendshme, Rovena Voda, me akuzën e “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”, raporton gazetarja e Panorama, Nikoleta Kovaçi.

Brenda dhjetë ditësh pritet të hidhet shorti, ku do të caktohet trupa gjykuese dhe seanca e parë, ku nis hetimi në themel ndaj ish-zv.ministres.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet ndaj ish zv ministres Voda, si dhe dy të pandehurave të tjera më janar 2022 dhe dërgoi dosjen në GJKKO.

Siç thuhej në njoftimin e SPAK, “në përfundim të hetimeve paraprake për këtë procedim penal janë mbledhur prova me të cilat provohet se, e pandehura Rovena Voda, në cilësinë e Zëvendësministres në Ministrinë e Brendshme, ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe përfitime materiale të padrejta nga të pandehurat Majlinda Hasani dhe Florida Beu”.

“E pandehura Rovena Voda është akuzuar se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi (2) i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021.

Ndërsa, të pandehurat Majlinda Hasani dhe Florida Beu janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi (1) dhe 25 të Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021”, theksonte SPAK.