Dikur në kohën e komunizmit, qarkullonte një anekdotë. Takohen dy shokë dikur.Njeri prej tyre, i impresionuar nga një malësor, që shiste qumësht poshtë shtëpisë së vet, i tha shokut: sa të zgjuar këta malësorët. E pyes si do jetë koha Gjinin, dhe i del fjala. Kurrë nuk ka gabuar. Nuk besoj– tha tjetri, – po nuk e provova vetë. Dhe shkuan të dy: si do jetë koha, pyeti dyshuesi. – Vallahi, i tha malësori Gjin,- ka dy ditë që nuk po m punon televizori dhe nuk e kam dëgjuar Petritin. Petriti për ata që nuk e dinë ishte parashikuesi i motit me shumë eksperiencë, që kurrë nuk mungoi dhe dilte vetë për t’ i kumtuar parashikimet, pa ja besuar ndonjë vajze të re.
Morali i historisë është: për një krizë shumë komplekse si ajo e Ukrainës, duhet të lexosh dhe dëgjosh shumë, Petritë me eksperiencë, domethënë ekspertë, analistë të kuotuar të gjeopolitikës, (të mediave apo shteteve më të rëndësishme të botës) të informohesh nga burimet e të dy palëve, dhe sigurisht të kesh një mendje analitike efektive e të pavarur, që të prodhojë rezultate racionale. Pa dëgjuar Petritët, pa u informuar, për një krizë që është larg kufijve tanë, jashtë tyre, nuk mund të pretendosh saktësi apo ekspertizë. Rezultati i prognozës në fund të fundit nuk ka përqindje absolute suksesi. Edhe sikur të kesh shtruar drejt ekuacionin, e të kesh përfshirë në të krejt variablat, domethënë faktorët që ndikojnë në një krizë si ajo, kjo nuk domethënë se do të dalë fjala…
Kjo parantezë e gjatë, të justifikon qoftë për gabimet në këtë analizë, qoftë dhe për të relativizuar sadopak përfundimet në të cilat arrijnë foltoret apo forumet mediatike të cilat nga nevoja për t’u marrë me një temë kaq të rëndësishme sa kjo, janë mbushur madje me politikanë që nuk janë marrë me politikë të jashtme, të cilët recitojnë në rastin më të mirë tekste të mësuar përmendsh.
Pse Rusia nuk do ta nisë luftën, apo kur fiton më shumë nga frika e luftës sesa nga vetë lufta?
Cili mund të jetë një shpjegim për atë që po ndodh? A do të nisë Rusia luftën? Këtë pyetje sot ta bëjnë dhe fëmijët e tu…
Së pari dhe shkurt, do duhet të kuptosh, se kush fiton dhe kush humb nga lufta. Por dhe nga paralufta, apo prekonflikti. Thuajse të gjithë ekspertët, (madje ka ekspertë ushtarakë rusë në këtë linjë), bashkohen në pikëpamjen se Rusia nuk fiton nga pushtimi i Ukrainës: sipërfaqje më e madhe sesa e Francës; kosto e madhe financiare, në jetë njerëzore; barra e madhe e sanksioneve të shumëfishuara, etj, etj. Dhe nëse e merr për të mirëqenë këtë përfundim, atëherë pse i bihet tamtameve të luftës? Sepse dispozitivet e vendosura në kufijtë e Ukrainës janë të mjaftë dhe cilësisht të përshtatshëm për një pushtim, ndonëse jo për një kohë të gjatë, pavarësisht se preteksti i shpallur i grumbullimit të tyre janë manovrat ushtarake. Inteligjenca përpunon skenare; disa dhe ofrohen me simulime për ta nxitur kundërshtarin të mendojë kështu (bisedat e përgjuara të ushtarakëve rusë). Në rastin e Krimesë, SHBA-të thuhet se i heshtën këto informacione pushtimi, ndaj më mirë alarm i parakohshëm sesa hiç alarm. Ndërkohë dhe presioni mbi Rusinë që të të heqë rrethimin mbi Ukrahinën shërben, që të ndërgjegjësojë këtë fuqi të madhe për pasojat, por dhe ta ulë në një tryezë bisedimesh. Mirëpo jo vetëm kaq. Dikush në mënyrë cinike parashikon se sjellja amerikane synon ta nxitë Rusinë që ta sulmojë Ukrainën, një skenar që do ta dobësonte ushtarakisht, ekonomikisht dhe diplomatikisht njerin nga dy rivalët kryesorë të SHBA. Ky skenar cinik i ngjan atij të atij, të tregimit të Xhorxh Oruellit “vrasja e elefantit”, ku një shef policie anglez, nxitej nga turma armiqësore birmane të vriste një elefant, që kishte bërë disa dëme, por ama kishte shpresë të disiplinohej. Dhe ai e vrau elefantin, jo se ishte e bindur, por se turma donte fiks këtë gjë prej tij.
Mirëpo anglezi (Rusia), nuk po vërteton skenarët fatalistë. Sot është e mërkurë dhe me gjasë nuk do të ketë sulm. Disa trupa ruse po kthehen në bazë. Në një inskenim televiziv pardje, duket sikur presidenti Putin, pranon këshillat e diplomatit me përvojë Lavrov, që t’ i japë kohë negociatave. Lavrov diferencon amerikanët që i kanë dhënë përgjigje më bindëse Rusisë për shqetësimet e sigurisë sesa vendet e Europës. Po atëherë, pse rusët kanë vendosur këto dispozitive pushtimi rreth Ukrainës? Pse kanë bërë listë me kërkesa të parealizueshme që e kthejnë marrëdhëniet e saj me perëndimin në planin ushtarak si para 1997; etj? Pse këto sjellje që kanë krijuar frikë perëndimore (ndonëse të diferencuar), në një atmosferë që i ngjan konflikteve të ngjashme botërore të shekullit të 20? Pse vetë ukrahinasit nuk ngjajnë dhe aq të frikësuar, apo dhe vetë shumica e shteteve europerëndimore si duket nga një detaj episodik: prenotimi nga ukrahinasit, (madje dhe nga rusët) i pushimeve me çartera për bregdetin shqiptar në verën e sivjetme? Kush ka interes nga kjo lloj klime prekonflikti?
Çfarë mund të arrihet…
Të tentojmë të përgjigjemi nisur nga faktet e sigurt, për atë se çfarë fitojnë palët kryesore, SHBA dhe Rusia nga kjo klimë. Rusia ka nevojë për heqjen e sanksioneve, të lidhura me pushtimin e Krimesë, për të cilën thuajse të gjithë perëndimorët janë të bindur se nuk do të kthehet kurrë mbrapsh. Kjo tërheqje eventuale e tyre kundrejt Rusisë nënkuptojnë njëlloj legjitimimi të atij pushtimi, që do të ishte arritje e madhe për rusët. Rusia ka nevojë gjithashtu të tregojë se është fuqi e respektuar, e frikshme, diçka që e ndihmon të arrijë qëllime diplomatike jashtë, por dhe të forcojë pushtetin e zotit Putin brenda, nisur nga kriza e autoritetit që ai ka sot pas shumë vitesh në pushtet. Veç legalizimit të Krimesë ajo tenton të arrijë diçka që në fakt e ka që sot: Ukraina nuk ka asnjë plan imediat anëtarësimi në NATO; SHBA-të dhe NATO nuk kanë plane sulmi, por vetëm mbrojtjeje dhe janë të gatshme t’ i japin Rusisë akoma garanci të tjera. Më në fund, nëse për administratën Biden,është Kina rreziku kryesor, SHBA-të kanë gjithë interesin të jenë konstruktive ndaj Rusisë (që të jenë të lirë për tu marrë vetëm me Kinën, dhe jo me të dyja bashkë). Ky konstruktivitet mund të jetë produkt i negociatave që mund të kenë arritje të parë- ndaljen e një pushtimi që mbase nuk do të ndodhte kurrë. A nuk ngjan sukses i madh dhe në planin elektoral-zgjedhjet amerikane të mesafatit- të ndalosh luftën në një shtet të madh si Ukrahina, që po rreshtohet gradualisht me bllokun perëndimor?
Rivalët presidencialë amerikanë e kanë akuzuar rregullisht njeri tjetrin si filorusë, apo filokinezë, por realiteti ka provuar se marrëveshjet e mira globale duan një kërcënim real që të sjellin palët në tryezë. Presidenti Biden ka kuota të ulta popullariteti, dhe kritikët e tij thonë se po e nxit vetë një klimë të tillë, apo luftën ndaj Ukrahinës, që të fitojë pastaj nga ndalimi i konfliktit. Ne nuk mund ta themi kurrë me siguri këtë, madje as “petritët”, por fakt është se falë kësaj klime SHBA-të, po kompaktësojnë unitetin transatlantik në kuadër të NATO-s; po rrisin pavarësinë energjitike të Europës falë ndërgjegjësimit real, për pasojat e furnizimit kuazi eksluziv me gaz të Europës prej Rusisë- Po ashtu, rritja e çmimit të gazit po e bën interesant gazin e lëngshëm amerikan. Ukrainës po i dërgohen armë të sofistikuara, që në kohëra të qeta mbase nuk do ta kalonin aq lehtë në hundën e Rusisë. Dhe Rusia po përfiton diçka nga ngritja e çmimit të gazit, ndërkohë që Ukraina jep shenja tërheqjeje nga NATO; po tregon dëshirë për kompromis. Europa ka shkallë të lartë ndërvarësie nga Rusia megjithatë, sa as që mund të mendohet një ndërprerje totale e bashkëpunimit ekonomik apo e furnizimit me naftë, gaz, e minerale.
Në vend të përfundimit… Po ne shqiptarët…
Në përfundim: prekonflikti i ngjan një loje lufte dhe prej tij, ka palë që po përfitojnë. Nëse do të ketë marrveshje të madhe, do të fitojë mbarë bota. Është cinike ta thuash, por nëse legalizohet pushtimi i Krimesë, mbase do të jetë më e lehtë për Rusinë të pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, diçka për të cilën flitej se Trump ishte marrë vesh me Putinin. Madje realistët (vetëm kosovarë për hir të së vërtetës) shohin cinikisht se Kosova përfiton dhe nga pushtimi i Ukrainës: katër vendet jonjohëse në Europë, do të detyrohen nga SHBA-të ta njohin Kosovën, si nevojë e forcimit të teatrit europian të NATO-s. E më në fund, pesha ndërkombëtare e Shqipërisë, sot anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, po arrin maksimumin, nga prekonflikti, por pse jo dhe nga konflikti, thënë kjo cinikisht, apo jo cinikisht.
Ky lexim faktesh, është pa ndonjë pretendim të madh, por sigurisht duke elaboruar diqysh prognozat “ e Petritëve në televizor”, nga të dy anët e konfliktit.