MENU
klinika

Shkak bëhet dëshmia e gazetarit

PS bojkoton Komisionin Hetimor për Inceneratorët

15.02.2022 - 18:14

Deputetët e maxhorancës në Komisionin Hetimor për Inceneratorët kanë bojkotuar seancën e marrjes në pyetje të dëshmitarit Jetmir Olldashi.

Shkak për këtëështë bërë rrëzimi i kërkesës së tyre për të ndaluar marrjen në pyetje të gazetarit, pasi sipas tyre rezulton një person i dënuar nga gjykata për çështjen që po shqyrtohet në komision.

Anëtari i PS-së në komision, Arbën Pëllumbi, theksoi se gazetari Olldashi nuk mund të bëjë dot detyrën e dëshmitarit pasi rezulton i dënuar për shpifje nga gjykata e shkallës së parë në lidhje me inceneratorët.

“Dëshmitari nuk mund të dëshmojë. Në bazë të nenit 156 gërma ç, zotëria nuk mund të dëshmojë, për shkak të papajtueshmërisë me detyrën e dëshmitarit. Nuk bën dot dëshmitarin, se është i dënuar për këtë çështje, ky ka një dënim nga gjykata e shkallës së parë dhe rezulton i dënuar për këtë çështje”, tha Pëllumbi.

Nga ana tjetër kryetarja e Komisionit Jorida Tabaku, thekloi se ky është një keqkuptim, pasi gazetari nuk është i dënuar, por është hedhur në gjyq për shpifje nga Mirel Mërtiri, një person i shpallur në kërkim tashmë për këtë aferë.

“Ka një keqkuptim, nuk është dënuar për këtë çështje. Ka një vendim që Mirel Mërtiri e ka hedhur për shpifje. Ndërkohë që ata ishin në kërkim ndërkombëtar më kanë paditur mua”, tha Tabaku.