MENU
klinika

Analiza

Pse populizmi është kaq joshës, dhe si ta kundërshtojmë atë

08.02.2022 - 12:43

Nga Vince Cable “The Independent’

Brenda pak ditësh mund të kemi një luftë në Evropë, dhe fundin e qeverisjes së Boris Johnson në Britaninë e Madhe. Pavarësisht paraqitjeve të tij të mira në parlament ditët e fundit, kjo mund të jetë për të vetëm qetësia para stuhisë së madhe.

Dhe ky është një moment i mirë për t’u ndalur tek disa kërkime politike shumë domethënëse, që na vijnë nga bota e shkencës së të dhënave, dhe që na japin disa shpjegime se pse Johnson i fitoi zgjedhjet disa vite më parë, dhe pse kanë qenë të suksesshëm udhëheqës si ai.

Eric Protzer i Universitetit të Harvardit, dhe bashkëpunëtori i tij australian, Paul Somerville, kanë grumbulluar sasi të mëdha të dhënash nga sondazhet dhe anketat sociale, për t’i dhënë përgjigje pyetjes “Pse ka kaq shumë sukses populizmi?”. Dhe ata na japin disa të dhëna se si ta kundërshtojmë këtë dukuri.

Vitet e fundit, ka pasur një mori lëvizjesh politike të suksesshme, të cilat i refuzojnë partitë dhe filozofitë politike konvencionale, dhe autoritetin e “elitës” tradicionale dhe që pretendojnë të flasin në emër të “votuesit të zakonshëm”: Trump në SHBA; mbështetësit e Brexit në Britani; “Gilets jaunes” (Lëvizja e Jelekverdhëve në Francë); Lëvizja Pesë Yjet dhe partitë e ndryshme të së djathtës ekstreme në Itali; Bolsanaro në Brazil dhe populistët e majtë që sapo kanë marrë pushtetin në Meksikë, Peru, Argjentinë dhe Kili; Partia Fidesz e Victor Orban në Hungari; nacionalist hindu të BJP në Indi; dhe Rodrigo Duarte në Filipine.

Këto lëvizje janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra, dhe disa prej tyre nuk janë të reja. Disa janë thellësisht “majtas” dhe të tjerët shumë “djathtas”, deri në masën që këto etiketa janë ende kuptimplota. Disa janë të përkushtuar ndaj qeverisjes demokratike; të tjerët janë autoritarë.

Por që të gjithë janë në të njëjtën linjë me zemërimin popullor përkundrejt mënyrës se si “klasa politike” ka dështuar që t’i japë përgjigje ankesave të tyre. Dhe ata mbërrijnë në disa përfundime shumë domethënëse.

Shpjegimet e zakonshme nga e majta (se politika populiste është një reagim ndaj pabarazisë në rritje) apo nga e djathta (se ajo buron nga politikat liberale ndaj emigracionit), duken që

të dyja të gabuara. Përkundrazi, ajo që fshihet pas zemërimit politik që prodhon një politikë populiste, është një ndjenjë e përgjithësuar e “padrejtësisë”,që lind nga rënia e lëvizshmërisë sociale si dhe nga mundësitë e kufizuara.

Pra njerëzit kanë pak kundërshtime, që një pakicë të bëhet “e pasur”, me kushtin që kjo të arrihet përmes punës së palodhur, marrjes në sy të rrezikut ose fatit të mirë, kur mundësitë janë të hapura për të gjithë, dhe me kushtin që të pasurit të kontribuojnë ashtu siç shpërblehen.

Kështu ka shumë pak zemërim publik për shumat marramendëse që fitojnë super-yjet e sportit apo ikonat e muzikës pop; përveçse nëse ata i shmangen rregullave që vlejnë për të gjithë të tjerët (Novak Djokovic).

Miliarderë si Jeff Bezos apo Elon Musk, duket se gëzojnë një respekt të madh në opinionin publik. Por ky respekt kthehet në pakënaqësi, nëse super të pasurit janë të angazhuar në një shmangie të jashtëzakonshme të taksave, apo varen nga favoret e veçanta të bëra nga politikanët.

Pra ajo që ka shumë rëndësi është “pandershmëria”. Po kështu po ndodh tani me një lider populist që u ngjit në majë falë propagandës së tij. Kryeministri britanik Johnson u zgjodh si një populist që luftonte ndaj elitës pro-evropiane “të shkëputur nga qytetarët e thjeshtë”.

Tani ai është në telashe serioze për shkak të gabimit të pafalshëm, tipik për “elitën:shpërfilljen e rregullave që të tjerët duhet t’i respektojnë. Inati që ka shkaktuar kjo sjellje, është i krahasueshëm me atë të skandalit të shpenzimeve të deputetëve në vitin 2009.

Të dhënat e Protzer dhe Somerville, tregojnë gjithashtu se ndonëse emigracioni në shkallë të gjerë mund të shkaktojë shqetësim tek publiku, ajo që e shndërron shqetësimin në zemërim, është padrejtësia e perceptuar kur emigrantët shihen (ose thuhet) se kanë qasje në përfitimet sociale pa “kontribuar vetë në skemë”; apo se ata po shkaktojnë uljen e pagave, duke operuar në “ekonominë e zezë”.

Analiza tregon se Shtetet e Bashkuara kanë qenë veçanërisht të ndjeshme ndaj populizmit, për shkak se aty ka pasur një rënie të pagave reale dhe të sigurisë për vendin e punës për shumë punëtorë “jakë blu” (ata që bëjnë punë fizike), e kombinuar kjo me një reduktim të madh të lëvizshmërisë sociale.

“Ëndrra amerikane”, është bërë një histori gjithnjë e më e pamundur. Gjenialiteti politik i Donald Trump, ishte portretizimi i vetes si një njeri i vetë-bërë, që u rreshtua kundër establishmentit politik amerikan, duke lënë mënjanë pasurinë e tij të trashëguar.

Ndërkohë, vendet skandinave e kanë frenuar (edhe pse nuk i kanë shpëtuar) politikën populiste, me shumë më tepër sukses se sa SHBA-ja, Britania apo Evropa Jugore. Danimarka është në krye të listës së vendeve më të lumtura në botë, dhe ka bërë disa përpjekje për të demonstruar se modeli i saj socialdemokratik, arrin që t’i shërbejë më së miri konceptit popullor të “drejtësisë”.

Në këtë vend bëhet publik kontributi tatimor i të gjithëve, dhe ndihma e bollshme financiare për më pak të favorizuarit, shoqërohet me disa kushtëzime logjike. Kjo sugjeron që ne duhet të përqafojmë modelin nordik (por edhe atë në Kanadanë dhe Australi): të krijojmë një ndjenjë solidariteti dhe sigurie, nëpërmjet një shteti të mirëqenies sociale të ndërtuar rreth sigurimeve shoqërore ku të kontribuojnë që të gjithë.

Po ashtu duhet të investohet më shumë në arsim dhe në “vitet e hershme”, për të siguruar që çdo njeri ketë ndjenjën e “mundësive të barabarta”; të ketë një sistem tatimor që krijon një ndjenjë drejtësie, por jo aq sa për të vrarë sipërmarrjen e lirë; si dhe të garantojë një ekonomi tregu të hapur dhe konkurruese.

Këto nuk janë ide të reja, por tani sfida – siç ka qenë për shumicën e kohës kur unë isha pjesë e politikës britanike – është krijimi i një koalicioni elektoral fitues që mbështet këto ide. Me gjithë përpjekjet e Johnson, në këtë front ka ende shumë për të bërë.

Shënim: Sir Vince Cable, ish-udhëheqësi i Liberal Demokratëve. Ka mbajtur postin e Ministrit të Shtetit për Biznesin, Inovacionin dhe Aftësitë gjatë viteve 2010-2015.