Hilë Lushaku, ish-komandanti i Forcave Speciale, në librin e tij “Specialët, Elita e Policisë Shqiptare”, sjell në kujtes detaje nga dita e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës.
Ai tregon se 20 Shkurti ishte prova e vështirë për specialët… pikërisht rrëzimi i shtatores së ish-diktatorit. Në librin e tij ai sjell edhe rrëfimin e Shkëlqim Hajdarit, 24-vjeç në atë kohë, ish-komandant i grupit që u caktua për ruajtjen e bustit.
Hajdari tregon se kjo ka qenë një ndër ditët më të vështira dhe të rëndësishme të karrierës së tij, teksa i duhej të merrte vendimin e madh, gjendur në një situatë kritike, i rrethuar nga turma e i “zënë në kurth”.
“Mblodha grupin e policëve, të cilëve iu fola me emocion, si njeriu përgjegjës për fatin e tyre: “ A do të vazhdoni të më njihni e pranoni komandant edhe në këtë situatë? Nëse po, atëherë kërkoj disiplinë absolute, asnjë veprim pa urdhrin tim. Detyrën që na kanë ngarkuar nuk mund ta zbatojmë, shtatoren nuk e mbajmë dot në këmbë, nuk mund ta mbrojmë këtë bust pa përdorimin e armëve të zjarrit përballë kësaj turmë që po e shikoni me sy, por kjo nuk do të ndodhë kurrë dhe unë nuk do e lejoj sa të jem komandanti juaj..”, rrëfen ai ndër të tjera.
Pjesë e shkëputur nga libri i Hilë Lushaku, ish-komandant i Forcave Speciale:
Shkurti pati evenimente të shumta, sidomos të karakterit historik, ku kishte nisur një luftë e paparë deri atëherë për zhdredhjet e 31 Marsit 1991. Më 20 Shkurt erdhi prova tjetër e vështirë për specialët, rrëzimi i shtatores së Enver Hoxhës.
Edhe këtë ditë Shkëlqim Hajdari ka qenë në epiqendër të vullkanit që përfshiu sheshin “Skënderbej”, ngjarje për të cilën ai sjell në kujdese: “Në stacionin e autobusit në Kamzë më doli përpara nëna dhe mu lut të mos shkoja në punë, duke më thënë se do rrëzohet busti i Enverit.
Ndërsa më lutej, nëna më thoshte “të kam dritën e syve, janë mbledhur njerëz nga të katër anët, prandaj mos shko sot në punë”.
Iu përgjigja nënës me humor, duke i thënë: “Nëse sot do të rrëzohet shtatorja, nesër do të blej një fustan të bukur”. Sapo shkova ne repart, u dha sinjali i kushtrimit, të gjithë vraponin të merrnin pajimet dhe të shkonin sa më shpejt në rresht. Nuk e fsheh por të gjithë morën armatime e fishekë sikur do të shkonin në luftë. Pa asnjë komunikim se si ishte puna, se çfarë situate kishte, se çfarë do të bënim, me shpejtësi alarmi hipëm në automjet “Ifa” dhe u përqëndruam afër radiotelevizionit, aty ku ka qenë INIMA (sot INSTAT), duke qëndruar grumbull pa asnjë detyrë konkrete.
Më pas kur kishin kaluar disa orë, dëgjuam se turmat e grumbulluara në qytetin “Studenti” do të ndërmerrnin një sulm kundër bllokut, ndaj duhej të përhapeshim në rendim për të bllokuar kalimin e demonstruesve në rrugën që kalon nga radiotelevizioni te kryeministria e drejt bllokut ku ishin rezidencat qeveritare dhe vilat e tyre.
Trysnia e turmës filloi të rritej, policët nuk ishin mësuar për bllokimin e tyre me mjete e pajisje që përdoren në të tilla raste dhe nuk ishin mësuar të shaheshin e goditeshin me mjete të ndryshme nga turma që po sulmonte me mjete të forta.
Ishte situatë rrëqethëse dhe tej mase acaruese, në sekondë mund të çekuilibrohej çdo gjë dhe të humbiste drejtimi i gjithë asaj mase policësh të armatosur e të pa përvojë në përballje me turmat.
Të gjithë oficerët ishin në krye të grupeve, duke qetësuar sulmuesit dhe policët. Disa policë të përzgjedhur, të cilët i kishim pajisur me plumba plastikë dhe instruktuar se si do të vepronin, kur vlerësuam se turma nuk po përballohej, u dhamë urdhër të vepronin.
Sapo shpërthyen krismat e shotganëve me plumba plastikë, dikush në kordonin e policëve, sigurisht ndonjëri pa përvojë dhe jo i aftë psikologjikisht të përmbahej përpara në atë zallamahi ku thirrjet e britmat të mbështjella edhe me urrejtje krijuan një simfoni vrastare, shkrepi në ajër një breshëri kallashnikovi, e cila jo vetëm frikësoi turmën por edhe neve që ishim në krye të policëve. Në këtë çast dolën nga godina e radiotelevizionit dhe u bashkuan me demonstruesit një grup artistësh, ku dallova Vera Grabockën e cila shpërtheu në britma kundër nesh, duke etiketuar policët “kriminelë”.
Duket se krismat në ajër trembën demonstruesit të cilët morën rrugën drejt Lanës, te ura afër shtëpisë qendrorë të ushtarakëve. Ndërkaq në zë e orientoi turmën “te sheshi” dhe kjo thirrje u përcoll nga turma pa ndërprerje. Dikush urdhëroi në radio që të nisej drejt sheshit “Skënderbej” makina antiplumb “Helius”, ku ishte një nëngrup i grupit që unë kisha në komandë. Mbërritëm në shesh para dallgës së turmës që hidhte parulla kundër regjimit e diktatorit duke iu afruar përqendrimit të njësisë speciale të kimisë (njësia që hidhte municionet lakrimogjene) dhe skuadra e qenve të sulmit.
Më një shpejtësi të papërshkrueshme sheshi “nxiu” nga të pranishmit që u shtuan e situata ishte në shpërthim, si një vullkan që do t’i përfshinte brenda të gjithë. Në mes tyre kishte persona që nuk kishin arsye gjykimi, me sjellje të egërsuar, që kalonin nga një krah i trumës në tjetrin, që shkulnin pllakat e trotuareve e i copëtonin në vend. Ndërsa situata në shesh ishte “mizëri” apo “koshere grerëzash” gati për sulm, grupi im u izolua, mbetëm “në rrethim”, pa asnjë kontakt me pjesën tjetër të repartit që nuk dihej se ku ishte.
I fola Fatos Gjonit (drejtues i kimistëve) të bënte kujdes, mbasi kemi humbur kontaktin me pjesën tjetër. Kërkohej shpejtësi gjykimi e veprimi, duhej guxim por edhe gjakftohtësi, orientim e përmbajtje, durim e profesionalizëm, mbi të gjitha duhej veprim i kujdesshëm, ligjor, pa zemërim e guxim të çmenduri. U ndjeva i tradhtuar, i izoluar, “lakuriq para Zotit”, në “mëshirën” e turmës.
Njoha disa prej të pranishmëve, u fola t’i qetësoja, por ndërsa po përpiqesha për vendosjen e urës së bashkëpunimit në këtë çast dikush komedinë me një faturino të linjës “Tiranë-Laprakë”, i thirrur “Titi” të cilin e shtrinë sikur dikush e vrau dhe sakaq vullkani shpërtheu.
E pashë Titin me sytë e mi, i fola dhe më tha se kështu ishte skenari e loja do të vazhdonte për vendosjen e kavos në shtatore.
Thirrje histerike e gjithë urrejtje, njëri kërkonte kavon, dikush tjetër kërkonte makinën, dikush sulmonte policinë, e skena të tjera që publiku i ka parë në televizion.
U orientova se si po luhej loja, mblodha mendjen se nuk duhej nxitim e dhunë, duhej “kopilizëm” me kopilët që na çuan “mish për top”. Provova të lidhem në radio me eprorët, me drejtuesit e Policisë së Tiranës dhe më pas me ato të MPB, por asnjë përgjigje. Kuptova se ishte bllokuar me dashje radiondërlidhja.
Ishte momenti më delikat i jetës sime, vendimi më i vështirë që kam marrë në karrierën time si oficer i Forcave Speciale: “Dorëzimi, asnjë dhunim i bashkëqytetarëve, asnjë pikë gjaku nga asnjëra palë, jeta ka çmimin më të lartë, shtatoret rrëzohen dhe ngrihen përsëri, jeta nuk kthehet kurrë”.
Mblodha grupin e policëve, të cilëve iu fola me emocion, si njeriu përgjegjës për fatin e tyre: “ A do të vazhdoni të më njihni e pranoni komandant edhe në këtë situatë? Nëse po, atëherë kërkoj disiplinë absolute, asnjë veprim pa urdhrin tim. Detyrën që na kanë ngarkuar nuk mund ta zbatojmë, shtatoren nuk e mbajmë dot në këmbë, nuk mund ta mbrojmë këtë bust pa përdorimin e armëve të zjarrit përballë kësaj turmë që po e shikoni me sy, por kjo nuk do të ndodhë kurrë dhe unë nuk do e lejoj sa të jem komandanti juaj. Përgjegjësia le të bjerë mbi mua. Nuk ka dhunë mbi popullin, nuk ka përdorim të armëve të zjarrit mbi popullin, pa ekzistuar rrethanat që e përligjin këtë veprim”.