MENU
klinika

Tensionet në Ukrainë/ SHBA akuza ndaj Moskës

“Rusia kërkon justifikim për të nisur sulmin”

18.02.2022 - 10:05

Rusia po përgatitet të sajojë një arsye për të pushtuar Ukrainën dhe për të nisur një sulm në ditët në vijim, thonë  zyrtarët e SHBA.

Të enjten presidenti, Joe Biden, tha se aksioni ushtarak mund të fillonte menjëherë, por theksoi se zgjidhja diplomatike është ende në tryezë.

Zyrtari i tij i lartë i politikës së jashtme renditi më vonë disa mënyra se si Moska mund të justifikonte një pushtim. Rusia tha se pretendimet ishin “të pabaza” dhe akuzoi SHBA-në për nxitje të tensioneve.

Ajo ka mohuar vazhdimisht çdo plan për të pushtuar fqinjin e saj perëndimor. Moska këmbëngul se po i largon trupat nga kufiri ukrainas, por ky pretendim është kundërshtuar ashpër nga fuqitë perëndimore, shkruan BBC.

“Ne kemi arsye të besojmë se ata po përfshihen në një operacion të rremë për të pasur një justifikim për të hyrë në Ukrainë”, u  tha Biden gazetarëve.

Një flamur i rremë është një sulm i sajuar që një vend organizon kundër interesave të tij për të justifikuar një hakmarrje. Shtetet e Bashkuara kanë thënë prej javësh se një keq drejtim i tillë është pjesë e planeve të Rusisë.