MENU
klinika

Vendimi i FIFA-s

Rusia pa emër e flamur, mund të përjashtohet

27.02.2022 - 21:59

Lufta në Ukrainë ka sjellë sanksionet e para të rënda në botën e futbollit për Rusinë. FIFA ka dalë sot me një sërë masash të para drejtuar rusëve. Heqja e flamurit, himnit apo edhe emrit Rusia, duket se do të jetë hapi i parë i këtyre masave që mund të përshkallëzojnë deri në përjashtim.

“Asnjë aktivitet ndërkombëtar nuk do të zhvillohet në territorin e Rusisë, me ndeshjet ”në shtëpi” që do të luhen në një fushë asnjanëse dhe pa spektatorë. Anëtari i federatës që përfaqëson Rusinë do të marrë pjesë në çdo kompeticion nën emrin “Unioni i Futbollit të Rusisë” dhe jo Rusia.

Asnjë flamur apo himn kombëtar i Rusisë nuk do të përdoret në ndeshjet ku skuadrat nga Unioni i Futbollit të Rusisë marrin pjesë”, – shkruhet në njoftimin e FIFA-s.

Ndërkohë, kjo e fundit bëri me dije se do të vazhdonte “dialogun me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, UEFA dhe organizatat e tjera sportive për të përcaktuar masa dhe sanksione të tjera, përfshirë edhe një  përjashtim të mundshëm nga aktivitetet, që do të aplikohet në të ardhmen nëse situata nuk përmirësohet shpejt. Byroja e Këshillit të FIFA-s është në gatishmëri për të marrë secilën nga këto masa”, theksohej në këtë vendim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN