MENU
klinika

Lumë ankesash për sjelljet e Policisë së Rendit dhe Rrugores

“Spiunimi”, SHÇBA çon në prokurori 21 efektivë

04.02.2022 - 12:06

Policia e Shtetit ka nisur të bëjë publik një raport mujor ku tregon se si po shqyrtohen ankesat e qytetarëve kundrejt efektivëve të Policisë. Policia ka bërë me dije se të dhënat përpunohen nga ana e SHÇBA-së dhe vetëm për muajin janar në pranga kanë përfunduar 4 punonjës Policie.

Nga këto ankesa, mësohet se Policia i ka kërkuar ndihmë prokurorisë të nisë hetimet kryesisht në lidhje me disa ankesa për efektivët e rendit dhe disa të tjerë të Policisë Rrugore, duke bërë të mundur kështu edhe nisjen e një etape të re të përballjes mes Policisë dhe komunitetit.

RAPORTI Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, gjatë muajit janar, i ka kërkuar prokurorisë që të hetojë 21 punonjës të Policisë së Shtetit, si dhe një efektiv të Gardës së Republikës për vepra të ndryshme penale.

Gjithsej janë bërë 17 referime. Në raportin mujor të këtij institucioni thuhet se në pranga gjatë muajit të kaluar kanë rënë 4 efektivë, 2 me vendim gjykate dhe 2 të tjerë në kushtet e flagrancës.

Po ashtu, mësohet se në pranga ka përfunduar edhe një punonjës i Gardës, si dhe 21 qytetarë, nga të cilët 8 në flagrancë.

Në kërkim, në sajë të hetimeve, janë shpallur edhe dy efektivë të tjerë. Në raport citohet se gjithsej SHÇBA ka trajtuar 169 ankesa që janë bërë nga persona të ndryshëm, ku sipas të dhënave, numrin më të lartë të tyre e mbajnë ankesat për shkeljet që kanë kryer efektivët e Rendit dhe ata të Rrugores.

Në të dhënat që ka bërë publike Policia e Shtetit, bëhet me dije se janë trajtuar për kategorinë e rendit gjithsej 84 ankesa, ndërkohë që 42 të tjera kanë qenë për Policinë Rrugore.

Policia bën me dije se janë regjistruar 34 ankesa për efektivët e Hetimit të Krimit dhe 3 ankesa për strukturën e Kufirit dhe Migracionit.

Gjatë muajit janar bëhet me dije se në verifikim ishin 61 efektivë për shkelje të ndryshme, 2 punonjës të Gardës së Republikës, si dhe 7 punonjës të SHÇBA-së.