MENU
klinika

Volejboll

Tirana fiton për femra e meshkuj, përmbysje në Shkodër

04.02.2022 - 23:27

Ka nisur java e 8-të e Superligës në volejboll për femra, teksa janë luajtur dy nga 4 sfidat e kësaj jave. Skuadra e Barleti Volley fitoi 3-0 (25-11, 25-15, 25-19) ndaj Vllaznisë, ndeshje e luajtur në kryeqytet.

Takim i dominuar nga barletaset në të tre setet, ndjeshëm më superior në fushë ndaj mikeshave nga Shkodra. Po 3-0 fiton edhe Tirana, që në “Fahrie Hoti” mundi Lushnjën, një ndeshje që në fakt nuk u mbyll.

Në parket u luajt vetëm seti i parë (25-9), pasi dy të tjerët u mbyllën 25-0 për bardheblutë. Lushnja mbeti pa lojtare dhe ndeshja u ndal. Dy takimet e tjera të kësaj jave do të luhen ditën e diel.

Superliga-Femra, java e 8-të

Tirana – Lushnja 3-0

Barleti Volley – Vllaznia 3-0

Apolonia – Skënderbeu, 6 shkurt

Flamurtari – Partizani, 6 shkurt

Renditja: Skënderbeu 21 pikë, Tirana 18 pikë, Barleti Volley 18 pikë, Vllaznia 14 pikë, Partizani 10 pikë, Apolonia 6 pikë, Lushnja 3 pikë, Flamurtari 0 pikë.

Te meshkujt, Tirana fitoi sot në mbrëmje 3-1 në Shkodër ndaj Vllaznisë, në ndeshjen e vlefshme për javën e 11-të të Superligës. Fitore me përmbysje e skuadrës bardheblu që udhëheq e vetme kampionatin me 26 pikë, shkëputur ndjeshëm nga rivalët.

Ndeshja nisi më mirë për shkodranët, që fituan 25-20 setin e parë. Më pas është Tirana që dominon në fushë, duke fituar pa shumë probleme tri setet e tjera: 25-20, 25-14 e 25-18. Tirana ende nuk ka asnjë humbje këtë sezon në kampionat.

Po 3-1 fitoi edhe Teuta, që në Durrës mundi Studentin, duke e parakaluar në renditje. Durrsakët fituan 30-28 setin e parë, ndërkohë që po në pikët shtesë fiton edhe Studenti setin e dytë, 28-26. Mjaft e bukur loja edhe në dy setet e tjera, fituar nga Teuta 25-21 e 27-25, duke marrë tri pikë të rëndësishme për renditje e play off.

Superliga-Meshkuj, java e 11-të

Teuta – Studenti 3-1

Vllaznia – Tirana 1-3

Farka Volley – Skënderbeu, 5 shkurt

Erzeni – Elbasani, 5 shkurt

Partizani (Pushim)

Renditja: Tirana 26 pikë, Partizani 22 pikë, Erzeni 22 pikë, Skënderbeu 15 pikë, Teuta 11 pikë, Elbasani 10 pikë, Studenti 10 pikë, Vllaznia 10 pikë, Farka Volley 0 pikë.