MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Tre pikëpyetjet e shkarkimit të Presidentit dhe rritja e tensionit

11.02.2022 - 13:58

Përplasja e fundit politike në lidhje me shkarkimin e Presidentit Meta, është si përjetimi i një ngjarjeje, njëherë si reale dhe njëherë si film, për shkak të zhvendosjes në kohë të ngjarjeve për të cilat ai akuzohet. Sot presidenti Meta jep 72 përgjigjet sqaruese, por 9 muaj më parë, ngjante se kishte agonizëm më të madh, interes më të madh, kishte implikim elektoral. Sot, disa muaj më pas, ato ngjarje në vetvete nuk e kanë më ngarkesën dramatike dhe ngjajnë si diçka prozaike, por shkarkimi eventual që mbyll derën e rikandidimit, por jo vetëm, mund të prodhojë tension të ri. Kësisoj në lojë, nëse shkarkimi ngjan i sigurt, hyjnë akuza të reja, ndaj atmosfera ngjan e ngarkuar si qielli para rrufeve. Reagimi i shumicës është i ftohtë dhe bën thirrje për respektim të Gjykatës; Presidenti i inkurajuar nga zbulimi i një mospërputhjeje në datat e shkresave të depozituara nga akuzuesit, ka bërë padi për falsifikim; Parlamenti reagon shkurt. Mirëpo janë dhe disa cilësi të tjera të kësaj përplasjeje që mund t’ i ilustrojmë shkurtimisht.

Përgjigjet në distancë nga Presidenca para kamerave, jo në sallën e gjykimit, cënojnë solemnitetin e Gjykatës Kushtetuese. Ai lë të kuptohet në planin e brendshëm se nuk e respekton parlamentin që inicioi akuzën; nuk e respekton Gjykatën e paplotë dhe me disa mandate të përfunduara anëtarësh, ndaj do të ankohet në Gjykatën e Strasburgut. Duket sikur vetëm ai ngre zërin në mënyrë rritëse, i mbështetur nga LSI, dhe Berisha me intervistat e tij maratonike, i cili është vetë Ali, vetë Kadi, në Komisionin e Rithemelimit. Është e qartë se për disa çështje, për të cilat akuzohet, Presidenti ka plotësisht të drejtë. Rreshtimi i tij, para zgjedhjeve të 25 prillit, gjatë tyre, jo thjesht me fjalë, (por dhe me disa vepra, apo akte, dekrete, që nuk janë quajtur shkelje të rënda, nga ana e Komisionit të Venecias) në krah të opozitës nga zoti Meta, që Rama e quante “presidenti më i mirë i opozitës” ishte një rreshtim i detyruar: shteti ishte pa opozitë. Meta mund të kishte luajtur ndryshe, por ai zgjodhi asokohe (por dhe tani) një retorikë të ashpër, ku Meta President, madje kapërcen Metën Kryetar Kuvendi. Rreshtimi i tij preelektoral, deklarimet e tij, provokuan vendimmarrjen shkarkuese të Parlamentit, që ama flet për shkelje të rënda kushtetuese, sepse kreu i shtetit “nxiti dhunë, përplasje mes institucioneve, apo prishje të marrëdhënieve me miqtë ndërkombëtarë”.

A ishte kjo vendimmarrje në kushtet e shkeljeve proceduriale, apo falsifikimeve pas faktit, për të fshehur shkeljen e rregullores së kuvendit? Kjo ngjan se është manovra e re, kundërpadia e re kushtetuese e mbrojtjes së presidentit, e cila ka vendosur në mendime institucionin më të lartë të drejtësisë kushtetuese në vend. Mirëpo dhe me heshtjen që vjen nga qeveria, si për të thënë se tani topin e ka Gjykata kushtetuese, jemi në kushtet e një përplasjeje të rëndë në majën e shtetit. Nga kjo lloj përplasje kemi domosdoshmërisht disa pikëpyetje kushtetuese e proceduriale, jo thjesht në pikëpamje të letrave që kanë paraqitur palët, me juristët më të mirë në vend. E gjitha kjo është një përplasje e paprecedent, ku mbrojtja e kryetarit të shtetit kërkon megjithatë shembuj nga praktika kushtetuese rumune.

3 pikëpyetje…
A ekziston një shumicë prej 5 anëtarësh brenda Gjykatës në favor të shkarkimit- është pikëpyetja më e madhe, ndaj po supozohet se presidenti po ushtron presion ndaj votës së pestë kundër tij.
A do të konsiderohet i ashtuquajturi falsifikim, një moment për të zeruar vendimmarrjen e parlamentit, si antikushtetuese? Kjo është pikëpyetja e dytë. Në këtë kuadër duhet të imagjinohet se do të ketë kërkesë për prova të reja, dhe ta zemë se shumica do të mbrohet duke e quajtur gabim formal. Ndërkohë prokuroria do kohën e vet për të shqyrtuar padinë e presidencës për falsifikimin. Të gjithë këto janë faktorë të cilët mund të imponojnë një shqyrtim të ri të Gjykatës kushtetuese. E ky zhvillim shton pikëpyetjen e tretë: nëse Gjykata vendos pro shkarkimit pas një muaji që koincidon me zgjedhjet në 6 bashki, a do largohet kreu i shtetit menjëherë nga zyra? Apo investimi prej tij i Gjykatës së Strasburgut, (edhe ky, investim i paprecedent madje dhe për vetë Strasburgun) do të përdoret si pretekst për të mos u larguar deri në 24 korrik, “pa shtuar ndërkohë asnjë bravë të re”,alla Bashë. Fakt është se 3 pikëpyetjet, po rrisin një tension të fshehtë mes palëve, i cili i shtohet tensionit retorik që prodhon vetëm vete zoti Berisha, e pse jo dhe grupi i zotit Basha, ndërkohë që gjithë interesi i Perëndimit është për qetësi.

Pse ka tension të fshehtë, që mund të bëhet i pakontrolluar? Sepse krahas me përfundimin e debatit “Meta” në Gjykatën kushtetuese, ndodhi konfirmimi dhe dërgimi në gjyq i ish ministrit të brendshëm Tahiri. Ky element i ri, risjell skemat konspirative të paralajmëruara për nxjerrjen në skenë, apo revanshimin e tij me akuza për ata që e shitën në skenën mediatike.Dje zoti Basha u thirr në SPAK nga prokuroria belge për çështjen e Toyota Yaris. Kësisoj përputhja në kohë e këtyre ngjarjeve, rritja e zërit, shtimi i akuzave nga ana e zotit Meta, aktivizimi i LSI-së në mbështetje të tij, por dhe me fronte lufte për tema sensitive si e ashtuquajtura afera korruptive e inceneratorëve, por jo vetëm, bën që gjithë situata t’i ngjajë një periudhë larjeje hesapesh mes grupeve në politikë. Në kushtet kur kemi larje hesapesh të zyrtarëve të lartë të pushtetit, nxirren skeletet nga dollapët- skenarë, afera, të vërteta apo të sajuara, nga njerëz të cilët ja dinë pisllëqet njëri tjetrit dhe bëjnë aleanca nga më të çuditshmet me njëri tjetrin, kundër shoqishoqit. Kjo s’ka lidhje me 6 marsin kur diskutohen 6 kryetarë bashkish, ku megjithatë LSI pret të fuqizohet bashkë me zotin Berisha përballë PD-së zyrtare të Bashës. Kjo është larje hesapesh kombëtare derisa të vendoset një ekuilibër i ri, shumë i nevojshëm dhe për ndërkombëtarët. Ndaj në vendosjen e këtij ekuilibri hyjnë në funksion dhe miqtë perëndimorë. Edhe ata sipas ndryshimeve kushtetuese kanë hise dhe janë të përfshirë, ndaj shtyjnë me duartrokitje paraprake, apo pas proceseve, sistemin e drejtësisë për të shpërndarë dënime, filluar procese të tjera (edhe nëpërmjet shpalljes së personave politikë non grata), që të inkurajojnë zinxhir procesesh të tjera. Në kuadër të krizës së re në Ukrahinë, Perëndimit i duhet sa më shumë qetësi dhe ekuilibër në vendin tonë, dhe më gjerësisht asnjë krizë në Ballkan.

Ndaj kush e prish qetësinë, do apo nuk do, përplaset jo thjesht me palën tjetër, por dhe me Perëndimin. Mirëpo a ka kapacitet ky vend për të tretur qetësisht pasojat e këtyre proceseve, në një luftë zinxhir mes palëve?

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Duhet të bashkëpunosh me Shqipërinë dhe të ulesh me të përballë fqinjit verior"

“Ballkani i hapur”, Nazarko: Besoj se Kosova ka qenë e ftuar në Shkup, për të kufizuar ndikimin e Serbisë

Deklarata e Bashës kundër Ramës, Metës dhe Berishës

“Trekëndëshit të Bermudës i ka mbaruar koha”/ Nazarko: Fillimi i një beteje