MENU
klinika

"Bëhem keq kur humbas"

U ngjit në parvaz 20 m të lartë, Bare: Çmenduri!

18.02.2022 - 17:09

Mesfushori i Espanyolit, Keidi Bare, tha se klubi bardheblu i ka dhënë “gjithçka”, pasi falë entitetit katalanas ka arritur në La Liga, diçka që e kishte ëndërruar “gjithmonë”.

Shqiptari, gjatë një bisede me fansat e skuadrës, ku luan në platformën Twitch ka insistuar se sa herë që shkel barin e stadiumit RCDE mbushet “me krenari”. Bare theksoi se si ai, si dhe shokët e skuadrës kanë “inat për të fituar çdo ndeshje”.

Keidi Baré, me 19 ndeshje të luajtura këtë sezon në të gjitha garat, zbuloi se kur humbet një ndeshje “bëhet keq për dy ditë”. Ai theksoi se “nuk është e drejtë që diçka e tillë ta prekë aq shumë, por kështu është i gatuar”.

Bare kujtoi edhe momentin gjatë festës së titullit, kur u ngjit në podium dhe rrezikoi shumë: “Kam bërë shumë çmenduri. Atë moment ashtu e ndjeva (u ngjit në një parvaz 20 metra të lartë, pa kufizime), nuk isha i vetëdijshëm, më doli ashtu. Për mua ishte diçka normale dhe e zakonshme”.

Basti i familjes – Në mendjen e familjes sime unë do të bëhesha profesionist. Në fillim ishte si lojë dhe një lloj basti, por familja besoi tek unë. Kam punuar shumë dhe duhet të vazhdoj.

Tifozët dhe dashuria në Spanjë – Është një klub i veçantë, jam krenar që luaj këtu.

Ndarja e dhomave të zhveshjes me Torres te Atletico Madrid dhe debutimi – M’u rrëqeth mishi, do ta kujtoj gjithë jetën. Tifozët më dhurojnë shumë dashuri. Familja ime nuk e besoi, nuk mund të nxirrte as celularin për të regjistruar momentin”, tha Bare.