Presidenti Serb Aleksandër Vuçiç bëri publik qëndrimin e Serbisë sa i përket konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës.
Në një konferencë për mediat pasditen e së premtes, Vuçiç tha Serbia mbështet integritetin territorial të Ukrainës, por nuk vendos sanksione ndaj Rusisë.
Ai u shpreh se Serbia i sheh rusët dhe ukrainasit si popuj vëllazërorë, por shtoi se vendi i tij është e përkushtuar ndaj parimit territorial.
“Serbia do të udhëhiqet ekskluzivisht nga interesat kur të vendosë për masat kufizuese dhe sanksionet ndaj një vendi, përfshi Rusinë”, u shpreh Vuçiç.
Sipas tij, Serbia gjithmonë ka ndjekur politikë të jashtme “të përgjegjshme e parimore”. Për këtë sipas tij, e ka paguar gjithmonë shtrenjtë.
“E di se kjo nuk do t’u pëlqejë të gjithëve, do të ketë kundërshtime por kemi bërë më të mirën që kemi mundur. Serbia ka pasur shumë lufta, shumë humbje njerëzish. Kjo flet për atë se ne duhet të jemi krejt bashkë, të ruajmë njerëzit tanë”, deklaroi presidenti i Serbisë.