doleshenti Florian Përvathi, i cili ekzekutoi për gjakmarrje fqinjin e tij Lek Lekgjonaj në Manati të Lezhës, e kishte siguruar armën e krimit në Shkodër.
Gati 1 muaj pas ngjarjes së rëndë, 17-vjeçari i cili vijon të jetë në gjendje të rënduar psikologjike, ka treguar para hetuesve se ishte pajisur me pistoletë gjatë kohës që studionte në shkollën e pikturës, ku qëndroi për rreth 1 vit.
DËSHMIA
Sipas burimeve, i riu ka treguar me detaje para hetuesve se si ka mundur të sigurojë pistoletën, ndërsa asnjë prej familjarëve apo të afërmve të tij nuk kishte qenë në dijeni se ai ishte i armatosur prej asaj kohe.
Që prej momentit kur iu caktua masa e sigurisë “Arrest në burg” nga Gjykata e Lezhës, Florian Përvathi është dërguar në institucionin e vuajtjes së dënimit për të mitur në Kavajë, ku i nënshtrohet dhe trajtimit të veçantë nga ana e psikologëve.
Pavarësisht se mundohet të ruajë qetësinë, i riu vijon të jetë i rënduar psikologjikisht që prej krimit të kryer nga ana e tij, ndërsa që prej momenteve të para të ngjarjes, ka bashkëpunuar me organet e Policisë dhe të drejtësisë.
Pak ditë më parë ai ka pasur dhe 17-vjetorin e lindjes, përvjetor të cilin e ka festuar në dhomat e paraburgimit ku qëndron në pritje të mbylljes së hetimeve dhe përballjes me drejtësinë.
EKSPERTIZA
Pistoleta me të cilën është kryer krimi dhe gëzhojat e gjetura janë dërguar për ekzaminim në laboratorin e Policisë Shkencore, për të zbuluar më tepër detaje rreth prejardhjes së armës apo edhe nëse është përdorur në ndonjë ngjarje tjetër kriminale.
Referuar raportit të Policisë, i cili tashmë i është përcjellë Prokurorisë, rezulton se 17- vjeçari Përvathi menjëherë pas ngjarjes ka shkuar te zyra informacionit në Komisariatin e Policisë Lezhë, ka lënë armën mbi tavolinë dhe i traumatizuar e në gjendje të rënduar psikologjike ka thënë se kishte qëlluar me armë dhe vrarë një person.
Menjëherë, blutë janë vënë në lëvizje dhe të orientuar nga i riu, të cilin e morën me vete, kanë shkuar në vendin e ngjarjes.
Aty gjetën të vdekur 65-vjeçarin Lek Lekgjonaj. Pasi Policia konstatoi çfarë kishte ndodhur, prangosën menjëherë 17-vjeçarin Florian Përvathi dhe e dërguan në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë, aty ku po qëndrim tashmë që prej ditës së hënë. Këtë të mërkurë Prokuroria pritet të dërgojë në gjykatë kërkesën për masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve te gjuetisë dhe sportive”.
4 VITE BURG PËR NJË VRASJE
Për vrasjen e fqinjit të tij me armë zjarri, me 21 nëntor të vitit 2009, Ndue Lekgjonaj bëri vetëm 4 vite burg dhe prej vitesh jetonte në emigrim. Në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lezhës, dhënë më 26 korrik 2010, Lekgjonaj gjendet fajtor për akuzën e vrasjes me dashje dhe armëmbajtjes pa leje. Në vendim thuhet se Lekgjonaj akuzohet për dy vepra penale, ndërsa prokurori i shkarkuar tanimë nga vetingu, Agim Dalipi, ka kërkuar dënimin me vetëm 12 vite burg.
Pavarësisht dënimit minimal, trupa gjykuese i “fali” edhe rreth dy vite të tjera, duke e dënuar përfundimisht me 10 vite e 6 muaj burg. Në të njëjtën kohë, autori i vrasjes së Gjon Përvathit dhe plagosjes me makinë të djalit të tij, vetëm 14 vjeç në atë kohë, përfitoi edhe gjykim të shkurtuar, duke iu zbritur dënimi me 7 vite. Ndërsa ende nuk dihet se si përfitoi ulje të dënimit edhe të 7 viteve, ajo që dihet tanimë është se autori i vrasjes së babait të katër fëmijëve kreu vetëm 4 vite burg.