MENU
klinika

Përgjigjet Gazment Bardhi

A do të kandidojë për kryetar të Partisë Demokratike?

24.03.2022 - 22:44

Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi tha se për momentin, nuk e shikon të arsyeshme të jetë pjesë e garës për kryetar të Partisë Demokratike.

Ai tha në “FrontLine” të gazetares Marsela Karapanço, se për atë pozicion, ka kolegë që kanë më shumë eksperiencë, duke shtuar se nuk e përjashton mundësinë që të jetë një hap i ardhshëm.

“Në asnjë rast ndonjë nga anëtarët e grupit kanë ndryshuar mendim për datën 9 shtator. Ata gjykojnë që ai vendim ishte vendim në interes të PD. Sikundër nga diskutimet që kam pasur, nuk pretendoj që secili prej tyre do i qëndrojë diskutimeve të bëra, por deri në këtë moment asnjëri prej kolegëve shohin si zgjidhje rikthimin e Berishës në krye të PD. Ai qëndrim që ato kanë mbajtur, është një qëndrim në dobi të interesit të PD, sipas vlerësimit tonë. Ama unë besoj se kjo është zgjidhja e duhur për PD. Mund edhe ta kem gabim. Në gjykimin tim, me aq sa gjykoj, mendoj se kjo është rruga e vetme. Shikoj përtej zotit Basha dhe Berisha, duhet të gjejmë një mekanizëm që e çon PD përpara të bashkuar, në interes të demokratëve dhe PD. Pozicionin tim s’e kam parë si gradë. Jam përpjekur ta ushtroj me përgjegjshmëri. Jam përpjekur të mos bëhem pjesë e shpifjeve dhe akuzave ndaj meje, kam mbajtur pozicion të mos përfshihem në debate. Punën time do e gjykojë koha. Çdo punë që bëj e bëj me zemër. Nuk mendoj që jam i përjetshëm në këtë pozicion që jam. Shpreh gatishmërinë për të mos qenë pjesë e kësaj detyre dhe vijoj përgjegjësinë time në çdo pozicion. Nuk shoh që do të jem kandidat, mendoj që ka të tjerë kandidatë që kanë më shumë eksperiencë se mua. Ajo që gjykoj është që cilido prej nesh që është angazhuar në PD, duhet ta ushtrojë me përgjegjësi. Në çdo pozicion që do të jem, do përpiqem të bëj më të mirën”, tha Bardhi.

Bardhi ka treguar se si do të veprohet për të arritur bashkimin e PD.

“Dje kemi propozuar formatin e grupit të punës që do të ketë në përbërje edhe kolegët e tjerë nëse do të pranojnë. Do të jetë vendimmarrje e institucioneve të partisë. Unë shikoj dritë në fund të tunelit sepse besoj që Berisha e do PD dhe ky është momenti për ta treguar se ai e do PD në atë nivel sa kapërcen veten dhe interesin personal. Të gjithë kemi qenë në provë, tashmë është momenti që Berisha të dëshmojë që vendos përpara interesin e PD. Berisha duhet të kapërcejë veten dhe vendosë përpara interesin e PD dhe demokratëve”, u shpreh sekretari i përgjithshëm i PD.

Për Bardhin kandidimi i Sali Berishës për kreytar të PD është i pamundur, për një sërë faktorësh. Ai tha se nëse kjo do të ndodhte do krijoheshin disa mure, e para ka të bëjë me faktin që Berisha është shpallur non grata nga SHBA, e dyta se përballë kanë “regjimin e Edi Ramës”, sic e quan ai dhe e treta do të ishte e rëndë nëse në një linjë me SHBA-në, bashkohet edhe BE.

“(Pyetja: Basha është tërhequr nga gara për t’i hapur rrugë Sali Berishës) Teori me fantazi. Berisha s’ka bërë asnjë hap para. Basha është dorëhequr për t’i hapur rrugë partisë, ndërsa Berisha në pozicion përçarës. Sipas rregullave të miratuara, kjo është me mundësi zero për shkak se Kuvendi i PD, ka miratuar një vendim se personat e shpallur non grata nuk mund të kandidojnë për pozicione drejtuese në PD. Uroj që pas kësaj lufte 6 mujore Berisha do të gjejë qetësinë për të reflektuar dhe menduar pas kësaj beteje që ka dëmtuar PD, do të mungojë për demokratët dhe sakrificën e tyre. Unë mendoj që Berisha do të kthjellohet për të kuptuar që interesi i demokratëve duhet të jetë mbi atë personal. Mbi këto 32 vite, ne demokratët kemi shkuar pas zotit Berisha, kemi besuar me zemër, kemi gjykuar që është lideri historik i PD dhe kemi besuar që ai e do partinë. Ky është momenti për ta treguar, sepse në 32 vite, unë dhe familja ime sikundër dhe mijëra demokratë e kanë mbështetur, jam i bindur dhe shpresëplotë që Berisha të tregojë që i do demokratët. Berisha e din që në armiqësi me SHBA, një parti politike nuk vjen në pushtet. Berisha është i ndërgjegjshëm për një fakt të tillë. Imagjinoni që kemi përballë regjimin e Ramës dhe SHBA-në. Imagjinoni që këtij parteri strategjik t’i bashkohet edhe BE. Është krejtësisht e pamundur që PD të bëhet forcë qeverisëse në vend. Dua të besoj që zoti Berisha i do demokratët, PD, e kam besuar këtë gjë. Dua që Berisha ta kapërcejë veten dhe të mendojë sakrificën e çdo demokrati, ajo hidhet përtokë nëse PD është në armiqësi me SHBA-në dhe drejtohet nga një ish-kryetar që është larguar se shqiptarët në shumicë dërrmuese e kanë votuar kundër. Është larguar nga pushteti në vitin 2013. Nuk është larguar me një rezultat të ngushtë, por me një diferencë. Ka disa faktorë që e bëjnë të pamundur që PD në drejtimin e Berishës të jetë konkurruese. Na duhet vota e gjithë shqiptarëve për të ardhur në pushtet”, u shpreh numri 2 i PD.

Bardhi tha ndër të tjera, se për presidentin e ri duhet të kenë një emër që qëndron mbi palët. Sipas tij, Presidenti Ilir Meta, nuk ka qenë mbi palët, pasi ka përfaqësuar interesin e LSI.

“Unë do të preferoja një deputet mbi palët, që zgjidhet me 140 vota. Zoti Meta s’ka qenë i palës dhe ka qenë përfaqësues i LSI dhe ka marrë votëbesimin e PS. Do të preferoja të kishim president që kapërcen palët dhe punon vetëm për interesin publik dhe kombëtar. Nuk nxorëm askënd nga dera. LSI zgjodhi rrugën e saj që ishte ajo e sulmit ndaj PD. Janë bashkuar me zotin Berisha dhe koha do të tregojë se përse i bëri bashkë. Mesazhi që dhamë në fushatën e 2021 i PS, ishte që thoshte nëse votoni PD, do të keni Berishën dhe Metën. Nuk besoj se do jetë edhe LSI në bisedime. Ka demokratë që kanë kontribute dhe vendi i secilit prej tyre mbetet PD, pa asnjë parashtesë dhe prapashtesë”, përfundoi Bardhi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Dorëheqja e tij, zgjidhje për PD”

Bardhi: Ja pse misioni i Bashës nuk ka përfunduar!