Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku deklaroi se edhe gjatë muajit Mars çmimi i energjisë elektrike për klientin familjar në vendin tonë nuk do të ndryshojë.
“Vazhdojmë të mbrojmë klientin familjar. Në muajin janar sipas përllogaritjeve që unë dhashë çmimi i kostos së kilovat/orë është 28 ndërkohë që shitet me 9.5. Në shkurt çmimi ka qenë i njëjtë. Kosto në muajin mars do jetë 61 ndërkohë që do vazhdohet t’i jepet abonentëve me çmimet e mëparshme. Ku subvencion është më i madhi që kemi dhënë”, tha Balluku.
Ajo deklaroi se shumë shtete të tjera në tregun europian kanë rritur çmimet duke përmendur këtu Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Italinë, Poloninë etj.
“E vetmja fashë që prej disa vitesh i drejtohet tregut të lirë është ajo e bizneseve të mëdha. Do jepja disa fakte për tregun europian. Mbretëria e Bashkuar do të rrisë me 54% çmimin tavan të energjisë. Çmimi i energjisë në Gjermani është rritur me 65%. Italia ka një rritje te me 55%, Gazi është paralajmëruar të niset. Polonia e ka rritur çmimin me 35%. Turqia për familjarët ka aplikuar një tarifë 55% rritje. Sigurisht unë do të ndalem në disa shifra që janë teknike.
Ne përdorim gjithmonë kaskadën. Edhe bora që bie nuk tregon që do e ndihmojnë kaskadën gjatë verës. Ky do të vazhdojë të jetë një vit i thatë. Duke pasur parasysh konsumin që tregu kërkon, në janar kaskada ka prodhuar 77% të energjisë. Në shkurt 57%. Në mars 59%. Në prill vetëm 42%. Për pjesë tjetër jemi të detyruar të dalim për të blerë.
Dje bursa ka arritur rekord me 55 euro. Ky është një çmim i paralajmëruar. Edhe sekretariati i vendosur në Vjenë ka parashikuar rritje. Flitet për shifra që mund të arrijnë edhe për 1000 euro për megavat/orë. Një vit më parë arrinte deri në 55 euro. Kini parasysh se çfarë rritje kemi. Sot po blejmë në treg dhe pritet edhe rritje në të ardhmen”, u shpreh ministrja.