Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe ministri i Ekonomisë, Robert Habeck, më 27 shkurt folën për ndryshimet potencialisht radikale në sistemin energjetik të vendit, duke përmendur si mundësi edhe zgjatjen e operimit të uzinave bërthamore që prodhojnë energji.
Pse ky shqetësim?
Gjermania varet shumë nga gazi rus, por nisja e pushtimit të Ukrainës nga Moska, ka bërë Berlinin që ta rimendojë furnizimin nga Rusia.
Në përgjithësi, gazi përbën më shumë se një të pestën e burimeve të energjisë së Gjermanisë dhe Rusia e furnizon 38 për qind të saj. Furnizuesja e dytë me gaz e Gjermanisë është Norvegjia, me 35 për qind.
Tani po shqyrtohen alternativat, përfshirë më shumë energji e prodhuar nga panelet diellore dhe turbinat e erës, terminalet me gaz të lëngshëm natyror, termocentrale me gaz dhe qymyr, por edhe rikthimin e energjisë bërthamore.
Çfarë po ndodh me uzinat bërthamore të Gjermanisë?
Uzinat bërthamore, të cilat furnizuan 12 për qind të prodhimit bruto të energjisë elektrike të Gjermanisë më 2021, janë shumë kundërthënëse në Gjermani, shtet që vendosi t’i mbyllë ato pas katastrofës në Fukushima të Japonisë më 2011.
Nga 17 uzina bërthamore që Gjermania kishte në atë kohë, vetëm tri prej tyre janë ende funksionale: Isar 2, Emsland dhe Neckarwestheim 2, që operohen nga firmat gjermane të energjisë E.ON, RWE dhe EnBW, respektivisht.
Sipas planeve aktuale, uzinat, me kapacitet të përbashkët prej 4,200 gigavatësh (GW) duhet të mbyllen në fund të vitit 2022.
A ka mundësi që uzinat të mos mbyllen?
Politikisht, kjo çështje është e ndërlikuar duke pasur parasysh kundërshtimet nga partia ekologjike, Partia e Gjelbër, por megjithatë nuk është diçka e pamundur.
Sipas legjislacionit në fuqi, operatorët aktualë do të humbin të drejtën për të drejtuar uzinat pas 31 dhjetorit të vitit 2022, që është afati i fundit për t’i mbyllur uzinat bërthamore.
Çfarë është gazsjellësi Rrjedha Veriore 2?
Nëse rregullatori i rrjetit të Gjermanisë – që është pjesë e Ministrisë së Ekonomisë – vendos se uzinat janë kritike për sigurinë e furnizimit të Gjermanisë, mund të lejojë që ato të funksionojnë më gjatë, gjë që teknikisht mund ta bëjnë.
“Po, mund t’ua zgjatni jetën uzinave bërthamore që prodhojnë energji… nëse ka vullnet dhe operatorët pajtohen për një gjë të tillë”, tha Dirk Uwer, partner në firmën ligjore Hengeler Mueller.
Arritja e kësaj prapëseprapë do të ishte komplekse dhe do të kërkonte që Parlamenti të ndryshonte ligjet ekzistuese, veçmas marrëveshjen e vitit 2017, sipas të cilës, ndërmarrjet transferuan fondet për çmontimin e uzinave në një fond publik.
“Tashmë nuk ka ndonjë kufizim të mendimit”, tha Marc Ruttloff, partner në firmën ligjore Gleiss Lutz, që ka këshilluar kompaninë E.ON në një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me politikat e energjisë bërthamore.
Megjithatë, për shkak të pengesave, shanset për zgjatjen e funksionimit të uzinave janë mjaft të vogla, teksa ministri gjerman për Siguri Bërthamore – që është nga Partia e Gjelbër, parti të cilës i përket edhe Habeck – tha më 28 shkurt se një lëvizje e tillë do të ishte e papërgjegjshme dhe e pasigurt.
Çfarë po thonë operatorët?
Ata nuk janë euforikë.
“Për vite me radhë, ne nuk kemi bërë asgjë tjetër veçse të përgatitemi teknikisht dhe organizativisht për çmontimin e uzinave tona”, tha zëdhënësi i divizionit bërthamor i E.ON, PreussenElektra.
Zëdhënësi shtoi se ky grup nuk ka as karburant bërthamor e as staf për të mbajtur uzinat në funksion.
RWE tha se uzina bërthamor Emsland është vendosur që të çmontohet në fund të vitit 2022, koha kur karburanti i saj do të mbarojë, duke shtuar se do të kishte pengesa shumë të mëdha, si ato teknike, por edhe do të duhej të merreshin miratime të reja, në mënyrë që t’i zgjatej jeta.
Mungesa e gazit rus mund të shkaktojë “katastrofë” në Evropë
EnBW, megjithatë, është më pak kundërshtues.
“Nëse është e nevojshme për sigurinë e furnizimit, EnBW natyrisht se është gati të shqyrtojë masat dhe të ofrojë këshillë për Qeverinë gjermane”, tha kjo kompani përmes një përgjigjeje me shkrim./REL