MENU
klinika

Unioni i Transportit: Morëm premtim nga Bashkia

“Aboneja”, shërbimi urban tërhiqet nga vendimi!

01.03.2022 - 12:25

Një alarm i rremë. Kështu ka rezultuar paralajmërimi i Unionit të Transportit Publik për të mos ofruar të gjitha shërbimet për të cilat kanë rënë dakord me pushtetin vendor në momentin kur morën licencën për ushtrimin e aktivitetit publik.

Një vendim i tillë ka ardhur pas takimit në zyrën e Bashkisë së Tiranës, nga ku përfaqësues të unionit dolën me premtimin për mbështetje financiare. Sot pritet një dalje publike se çfarë do të bëhet me transportin në ditët e muajt në vijim, ndërkohë që me rëndësi është fakti që qytetarët kanë pasur në duar sot biletat e pajtimit mujor, përveç studentëve që duhej ta përfitonin me çmim të reduktuar.

NEGOCIATAT

Nuk kanë rënë në vesh të shurdhër kërcënimet e operatorëve të transportit për ndërprerje të shërbimit për shkak të krizës ekonomike gati 2-vjeçare. Ata kanë bërë një hap prapa pas bisedimeve me pushtetin vendor, nga ku nuk kanë marrë një përgjigje definitive se si do të ndihmohen të kapërcejnë kolapsin, por premtime. Ndërsa arsyeja që i çoi bizneset e transportit “të hanë fjalën e tyre”, thuhet se janë qytetarët. “Pas lajmit, patëm një reagim nga qeveria lokale. Na thirrën në takim dhe thanë që diçka e tillë do të dëmtojë qytetarët dhe do të çojë në kolaps transportin publik.

Ne sqaruam arsyet tona se pse erdhi ky vendim, bëmë një bisedë jopublike, na thanë që do të merren masa dhe se bashkia do të ketë një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në aspektin ekonomik, duke subvencionuar rritjen e çmimit të naftës. Por kjo ngeli vetëm në komunikim tavoline, asgjë zyrtare. Shpresojmë që faza e premtimeve të përmbushet dhe transporti publik të vazhdojë të funksionojë si më parë. Nxorëm abonenë në shitje, duke parë edhe reagimin e qytetarëve që realisht iu nevojitet kjo abone për të shkuar në punë”, sqaron kreu i Unionit të Transportit Qytetas, Dashnor Memaj, duke shpresuar që operatorët të përfitojnë nga lehtësirat e kërkuara nga qeveria dhe Bashkia Tiranë. Nuk është hera e parë kjo që transporti publik kërcënon heqjen e një shërbimi.

Ka më shumë se një vit që operatorët thonë se ndodhen para vështirësive dhe jo vetëm që nuk fitojnë, por dalin me humbje. Herë pas here i kanë nisur letra Kryeministrit, Ministrisë së Transportit, kryetarit të bashkisë, ku u bëjnë me dije situatën ku ndodhen, duke iu kërkuar kësisoj të marrin masa me qëllim që shërbimi të mos ndërpritet. Shoqata kërkon nga autoritetet të marrin masa duke filluar nga rimbursimi i TVSH-së, heqja e akcizës 37 lekë/litër, heqja e taksës së qarkullimit në karburant për subjektet e licencuara dhe rimbursimi për kategoritë që përfitojnë shërbim falas.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Urbanët: Jemi në kolaps!

Hiqet aboneja për muajin mars