MENU
klinika

"Ukraina po lufton dhe pothuajse po fiton, por Putinit..."

Analiza nga BIRN: Si arritëm deri në këtë pikë?

03.03.2022 - 14:47

Me botën ende të tronditur nga sulmi ushtarak në shkallë të plotë të Rusisë ndaj Ukrainës, është koha të fillojmë të reflektojmë se si arritëm deri në këtë pikë dhe se çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga kjo.

Ukraina është ende duke luftuar, njerëzit e saj – ushtarakë dhe civilë – po vdesin nga raketat, bombat dhe plumbat e agresorit. Ukraina ka dëshpërimisht nevojë dhe po përgjërohet për ndihmë. Solidariteti i treguar në përgjigje tregon se njerëzit në mbarë botën janë të neveritur nga agresioni dhe brutaliteti i Rusisë kundër një kombi paqësor evropian dhe mbështesin me vendosmëri Ukrainën, një kampione e vërtetë botërore në luftën për liri.

I ndarë për shekuj mes perandorive të ndryshme, populli ukrainas nuk reshti kurrë së u përpjekuri për shtetësi dhe sovranitet. Vetëm brenda tre dekadave të fundit, ukrainasit kanë kërkuar liri nga perandoria ruse/sovjetike dhe nga regjimet e tyre të korruptuara dhe autokratike, nga Revolucioni studentor i vitit 1990 në Granit te Revolucioni Portokalli i 2004 dhe Revolucioni i Dinjitetit i 2013-2014 .

Revolucioni i Dinjitetit filloi si një protestë kundër refuzimit të qeverisë së presidentit Viktor Janukoviç për të nënshkruar një Marrëveshje Asociimi midis Ukrainës dhe Bashkimit Evropian.

Ai u përshkallëzua me shpejtësi në një revolucion mbarëkombëtar kundër një regjimi të korruptuar që po shkonte drejt diktaturës. Njerëzit në Perëndim e marrin si të mirëqenë lirinë dhe demokracinë që trashëguan nga paraardhësit e tyre. Ukrainasit luftuan për vlera të tilla në sheshin qendror të Kievit, Maidan, me mbi njëqind njerëz që dhanë jetën për lirinë në Evropën e shekullit të 21-të.

Suksesi i një revolucioni demokratik në Ukrainë, aq e ngjashme në aspektin kulturor dhe gjuhësor me Rusinë, ishte i padurueshëm për presidentin Vladimir Putin dhe regjimin e tij despotik. Ai donte të ndëshkonte ukrainasit, fillimisht duke aneksuar Krimenë dhe më pas, nëpërmjet prokurave, duke aneksuar de facto pjesë të rajonit të Donbasit.

Pak prisnin që Ukraina të rezistonte kaq gjatë

Duke mposhtur ushtrinë ukrainase në dy beteja të përgjakshme në 2014-2015, Rusia i imponoi Ukrainës të ashtuquajturat marrëveshje të Minskut, të nënshkruara me nxitim nga presidenti i sapozgjedhur i Ukrainës, Petro Poroshenko.

Marrëveshjet iu nënshtruan interpretimeve të ndryshme dhe nuk u zbatuan plotësisht.

Rusia refuzoi të bënte kompromis, duke këmbëngulur në një interpretim që as shoqëria e Ukrainës dhe as qeveria ukrainase nuk do ta pranonin kurrë. Pse? Sepse Ukraina de facto do të hiqte dorë nga sovraniteti i saj dhe do të bëhej një shtet kukull në duart e Rusisë.

Më kot, Kremlini përdori presionin diplomatik dhe ushtarak për të bindur Ukrainën të hiqte dorë nga kërkesat e saj. Asgjë nuk funksionoi, madje edhe Volodymyr Zelensky i papërvojë, presidenti aktual i Ukrainës, e kuptoi se çdo përpjekje për të zbatuar versionin rus të marrëveshjes së Minskut do të shkaktonte një tjetër kryengritje mbarëkombëtare, një tjetër Revolucion Dinjiteti.

Kur Putini, i cili është i fiksuar pas idesë së nënshtrimit të Ukrainës, e kuptoi se Zelensky nuk do të dorëzohej, Rusia filloi grumbullimin e saj ushtarak në kufijtë e vendit. Pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura nga SHBA-ja dhe agjencitë e inteligjencës të vendeve të tjera, shumë pak në Perëndim besonin vërtet se ai do të niste pushtimin. Ata që e besonin këtë thanë se lufta do të përfundonte brenda disa ditësh – se Kharkivi do të binte në ditën e parë dhe Kievi në ditën e dytë të luftimeve.

Me sa duket, edhe Putini e besonte këtë. Dhe të gjithë e kuptuan gabim. Tani, bota tregon habinë e saj për guximin e mbrojtësve të Ukrainës, të cilët qëndrojnë fort në pozicionin e tyre, të shumtë dhe të armatosur.

Planet blitzkrieg të Putinit dështuan, kjo është e qartë. Pyetja që shtrohet tani është – si u gabuan kaq shumë Putini dhe Perëndimi?

Rusia mund të ketë më shumë tanke, transportues të blinduar, avionë luftarakë, raketa dhe një forcë prej gati 200,000 burrash në luftë, por pak njerëz e kuptuan se, në fund të fundit, lufta ka të bëjë me njerëzit, jo me pajisje. Armët janë të rëndësishme, por dytësore.

Ushtarët e motivuar dhe me përvojë janë ata që vendosin përfundimisht rezultatin e luftërave, luftëtarët që e dinë se po mbrojnë shtëpinë e tyre, familjen, të dashurit e tyre, lirinë, demokracinë dhe pavarësinë dhe që janë të gatshëm të vdesin, në vend që të dorëzohen para diktaturës së pamëshirshme dhe gjakatare që është Rusia e Putinit.

Çdo Maidan demonstroi se Ukraina, pavarësisht të gjitha problemeve të saj dhe trashëgimive sovjetike, është vërtet një komb evropian i frymëzuar nga idealet e lirisë, të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor.

Putinit ia kanë bërë qejfin për një kohë të gjatë

Me sa duket, Kremlini ra në grackën e propagandës së tij, duke shpërfillur faktin se aneksimi i Krimesë shkaktoi një revolucion mendor në Ukrainë, sidomos në pjesët lindore dhe jugore të vendit, kryesisht rusishtfolëse, të lidhura tradicionalisht me Rusinë në aspektin e kulturës dhe tregtisë.

Kur tronditja fillestare e aneksimit të Krimesë nga Rusia kishte kaluar, mijëra ukrainas të kombësive të ndryshme dhe të të gjitha moshave në të gjithë vendin u vunë në radhë për t’iu bashkuar ushtrisë. Burrat dhe gratë që u kthyen pas formuan të ashtuquajturat “batalione vullnetare”, të cilët ishin ndër të parët që luftuan të ashtuquajturit “separatistë”, në fakt përfaqësuesit e Rusisë në Donbas.

Ky “revolucion mendor” ishte një moment vendimtar, një zhvendosje nga mentaliteti arkaik sovjetik në atë modern evropian. Lindi kombi qytetar ukrainas, një komb evropian i njerëzve të lirë dhe krenarë.

Që atëherë, midis Ukrainës dhe Rusisë është hapur një humnerë. Polariteti është ideologjik, apo edhe civilizues. Kjo është ajo që Putini nuk arriti të kuptonte dhe kjo është ajo që Perëndimi e ka anashkaluar.

Vuajtja e Ukrainës dhe aspiratat e saj për t’u bashkuar me një Evropë të bashkuar kryesisht u shpërfillën. Natyra e ligë e regjimit të Putinit gjithashtu u shpërfill për një kohë të gjatë nga Perëndimi, nga mizoritë e Çeçenisë deri te vrasja e kritikëve dhe kundërshtarëve politikë, pushtimi i Gjeorgjisë në vitin 2008 dhe aneksimi i Krimesë.

Perëndimi i ka ardhur pas fillit Putinit për një kohë të gjatë, duke bërë një sy qorr ndaj krimeve të tij tinëzare.

Frika, pavendosmëria dhe tendenca për të bërë kompromis me të këqijat më të vogla thjesht e përforcoi besimin e Kremlinit për mosndëshkim. Një e keqe e pandëshkuar thjesht rritet dhe zgjerohet, duke u shndërruar në një të keqe më të madhe, veprimet brutale të së cilës po i shohim tani.

Ne nuk mund ta kthejmë kohën pas, por mund të mësojmë nga gabimet e së shkuarës. Me të keqen nuk mund të negociohet. Ajo duhet të shkatërrohet. Një herë e përgjithmonë. Ukraina po lufton dhe pothuajse po fiton, por i nevojitet një furnizim masiv me armë zjarri për të arritur një fitore vendimtare mbi perandorinë e keqe. Qëndrojmë të bashkuar dhe të bashkuar do të fitojmë.

BURIMI: BIRN

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Lejuan personin e tretë misterioz në makinën e viktimave të largohej

Masakra në Dobraç/ Gjykata jep vendimin për 4 efektivët e “Shqiponjave”

“E gjithë Shqipëria në Tiranë!”

Berisha njofton protestën e radhës

Ministrja Manastirliu: Më shumë se një thesar fjalësh!

Prezantohet “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”