MENU
klinika

Procedurat që duhet të ndiqen për pallatet e braktisura

Apartamentet pa leje, si ndryshon procesi për tapinë

03.03.2022 - 14:32

Janë ende shumë familje që s’kanë marrë tapinë për apartamentin në të cilin banojnë.

Prej 5 vitesh, procesi për këtë kategori është zhbllokuar, duke iu dhënë mundësinë vet qytetarëve, në rastet kur ndërtuesi nuk i përgjigjet thirrjes së Kadastrës, që të ndjekin procedurat.

Nga të dhënat zyrtare, deri në 2020-ën, janë legalizuar 803 pallate, ndërsa gjithsej janë identifikuar më shumë se 1300 objekte, të cilat gjenden në këto kushte, pra të pahipotekuara.

PROCEDURAT

Por, cilat janë procedurat që duhet të ndiqen hap pas hapi deri në marrjen e certifikatës së pronësisë, si edhe dokumentet që duhet të dorëzohen?

Me anë të ndryshimeve ligjore, iu krijua mundësia edhe familjeve që kanë blerë apartamente në këto pallate që të ndjekin vetë procedurat e hipotekimit.

Kjo ndodh atëherë kur firma e ndërtimit nuk ekziston më, së dyti, kur ndërtuesi apo investitori nuk dorëzon brenda 30 ditëve nga dita e njoftimit dokumentacionin e kërkuar zyrtarisht nga Kadastra ose nuk shlyen detyrimet financiare që ka në ngarkim dhe së fundmi, kur prej tij nuk është paraqitur asnjë kërkesë për legalizimin deri në zyrtarizmin e kësaj nisme.

Pas kësaj do të jenë qytetarët që do të duhet të trokasin në dyert e Kadastrës. Ata do të kenë 30 ditë afat për të bërë dorëzimin e dokumentacionit që provon marrëdhënien juridikocivile me ndërtuesin. Regjistrimi në Kadastër nis fillimisht për objektin që është lëshuar leja e ndërtimit. Pasi të ketë përfunduar kjo fazë, do të vijohet me legalizimin e shtesave të deklaruara nga vetë familjarët.

DOKUMENTET

Sipas udhëzimit të Kadastrës, caktimi i një përfaqësuesi, kopjet e vetëdeklarimeve apo kontratave, si edhe lista e banorëve janë bazë për fillimin e procedurave të hipotekimit të pallateve pa leje.

Krahas dokumentacionit të mësipërm, duhet të dorëzohen po ashtu: kopje të kartave të identitetit të personit/personave që kanë kryer blerjen, certifikatë familjare të blerësit në momentin e blerjes, kalimet mbi pronësinë, nëse ka pasur shitje te palët e treta, projektin e miratuar, projektin e gjendjes ekzistuese, tabelën e sipërfaqeve, aktekspertizën e qëndrueshmërisë së objektit, si edhe çfarëdo akti noterial që lidhet me posedimin dhe pronësinë.

Sa i takon projektit të pallatit, mund të merret nga njësia vendore, autoriteti që ka lëshuar lejen e ndërtimit, mund të prodhohet nga një subjekt i licencuar i kontaktuar nga qytetarët, ose nga drejtoria përkatëse e ASHK-së.

Ndërkohë, lidhur me akt-ekspertizën për qëndrueshmërinë e objektit, është dokument teknik, i cili lëshohet nga inxhinier i licencuar dhe përgatitet detyrimisht për të gjithë godinën.

Procedurat e reja të hipotekimit për këto objekte pa leje kanë nisur prej 2017-s, duke iu dhënë mundësinë qytetarëve që të ndjekin vetë praktikën deri në pajisjen me dokumentin e pronësinë. Agjencia ka bërë të qartë, që procesi do të jetë me zero kosto dhe të gjitha procedurat do të ndiqen nga Kadastra. Por, nuk mund të thuhet njëjta gjë për investitorët. Detyrimet që këta të fundit kanë nuk fshihen dhe fatura do të transferohet në Drejtorinë e Tatimeve.

Dokumentet që duhet të dorëzohen

· Kopje të vetëdeklarimeve /kontratave
· Kopje të ID
· Certifikatë familjare të blerësit, në momentin e blerjes
· Kalimet mbi pronësinë, njësinë e poseduar
· Projekti i miratuar
· Projekti gjendjes ekzistuese
· Projekti i pallatit pa leje ndërtimi
· Tabela e sipërfaqeve
· Akt-ekspertiza e qëndrueshmërisë së objektit
· Aktmarrëveshje midis ndërtuesit dhe pronarëve të truallit
· Akte noteriale