MENU
klinika

Eksperti i MZSH: Nga kronologjia e ngjarjes, mendohet se...

“Arben Mici i vuri flakën vetes në Komisariatin e Kamzës”

30.03.2022 - 10:00

Ngjarja e rëndë ku humbi jetën i paraburgosuri Arben Mici ka marrë një përgjigje nga ekspertët e zjarrfikëseve, ndërkohë ende Policia dhe Prokuroria nuk kanë asnjë version se çfarë vërtet ka ndodhur.

Ditën e djeshme është mësuar edhe raporti që është hartuar mbi situatën me të cilën është përballur shërbimi zjarrfikës, ndërkohë që po dje është marrë edhe masa e arrestit ndaj dy punonjësve të Policisë, të cilët u gjetën fajtorë në hetimet paraprake për shpërdorimin e detyrës në momentin që ka rënë zjarri në qelitë e nëndheshme të Komisariatit nr. 5.

Eksperti i MZSH Kamzë ka përpiluar raportin në lidhje me këtë ngjarje të rëndë ku humbi jetën Arben Mici, 26 vjeç dhe ndodhet në gjendje të rëndë një oficer Policie. Në raportin e siguruar bëhet me dije se zjarri ka filluar në një nga dhomat e komisariatit ku mbaheshin të shoqëruarit, ndërsa dhomat e tjera ishin boshe.

Ndër të tjera thuhet se nga këqyrja e vendit të ngjarjes vërehet se te dhoma e izolimit ku ka filluar zjarri ndodhet një krevat mbi të cilin vërehen mbetje sfungjeri dhe të batanijeve të djegura nga zjarri, si dhe në anën e djathtë, përballë krevatit, dallohet grumbull materiali prej sfungjeri, rrobash të djegura, grumbull i cili mendohet të jetë dhe vatra fillestare e zjarrit. Në raport specifikohet se zjarr ka pasur vetëm në këtë dhomë, ndërsa pjesa tjetër e dhomave të izolimit, përfshirë edhe banjën, ku u gjet trupi i personit, nuk ka pasur prani zjarri, por vetëm prani të theksuar tymi dhe bloze.

Ndërkohë, sipas raportit, mendohet se shkaku i rënies së zjarrit ka ardhur si pasojë e faktorëve të jashtëm, pasi në atë ambient nuk ka pasur burim energjie, nga i cili mund të shkaktohet zjarri, çka do të thotë se në këto ambiente është përdorur lëndë ndezëse.

RAPORTI

“Nga raporti i ndërhyrjes nr. 374, datë 27.03.2022, përpiluar nga eksperti i MZSH Kamzë rezulton se pas marrjes së njoftimit dhe pas ndërhyrjes së tyre, është konstatuar se në njërën nga dhomat e shoqërimit të Komisariatit nr.5 të Policisë Kamzë, kishte rënë zjarr, ku vatra e zjarrit ndodhej në dhomën e parë djathtas, në hyrjen e korridorit, në dyshemenë e së cilës po digjeshin dyshek sfungjeri dhe batanije, ndërsa në pjesën tjetër të këtij ambienti nuk vëreheshin vatra të tjera zjarri, por kishte prani të theksuar tymi dhe bloze.

Pas ndërhyrjes së tyre dhe shuarjes së zjarrit është konstatuar se në fund të korridorit ndodhej një duralumini e mbyllur, të cilën pasi e kanë hapur me forcë, brenda tualetit kanë vërejtur një person të shtrirë në dysheme, të cilin e kanë nxjerrë nga ambientet e komisariatit duke e transportuar tek ambulanca. Brenda këtij ambienti kishte edhe tri dhoma të tjera të mbyllura, por nga informacionet e punonjësve të Policisë, këto dhoma kishin kohë të mbyllura dhe brenda nuk kishte persona.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, vërehet se te dhoma e izolimit ku ka filluar zjarri, ndodhet një krevat, mbi të cilin vërehen mbetje sfungjeri dhe të batanijeve të djegura nga zjarri, si dhe në anën e djathtë, përballë krevatit, dallohet grumbull materiali prej sfungjeri, rrobash të djegura, grumbull i cili mendohet të jetë dhe vatra fillestare e zjarrit, ku shikohet djegia sipërfaqësore e dyshekut dhe batanijes ka një masë gati 80%, duke mos u djegur e gjitha si pasojë e ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, fakti i cili na bën të mendojmë se zjarri ka filluar në dysheme, te grumbulli i sfungjerit dhe batanijeve që ndodhen aty.

Theksohet se vatra fillestare e zjarrit është te dhoma e izolimit, e cila ndodhet e para djathtas korridorit të hyrjes për në dhomat e izolimit, konkretisht te grumbullimi i sfungjerit dhe batanijes, i cili ndodhet në anën e djathtë të hyrjes për në dhomë.

Zjarr ka pasur vetëm në këtë dhomë, ndërsa pjesa tjetër e dhomave të izolimit, përfshirë edhe banjën ku u gjet trupi i personit, nuk ka pasur prani zjarri, por vetëm prani të theksuar tymi dhe bloze.

Nga kronologjia e ngjarjes, mendohet se shkaku i rënies së zjarrit ka ardhur si pasojë e faktorëve të jashtëm, pasi në atë ambient nuk ka pasur burim energjie, nga i cili mund të shkaktohet zjarri, çka do të thotë se në këto ambiente është përdorur lëndë ndezëse”, thuhet në raportin e zjarrfikëses.

SI NDODHI NGJARJA?

Gjithçka ndodhi rreth orës 21:00 të së shtunës, kur Mici u lejua të dilte nga izolimi për të pirë një cigare. Me çakmakun që kishte në dorë, 26-vjeçari i akuzuar për dhunë në familje u fut në qeli, i vuri zjarrin dyshekut dhe më pas shkoi në banjë, ku dhe u gjet i pajetë. Shpresa e tij ishte që efektivët të hutoheshin nga tymi e të arratisej.

Çakmaku iu gjet në xhep bashkë me cigaret. Por vëmendjen policëve ua kishte marrë diçka tjetër, ndeshja SpanjëShqipëri. Për rrjedhojë, Dilaver Idrizi që u prangos pasi hodhi gruan e tij nga kati i tretë i pallatit ku jetonin, u dëmtua. Efektivi që ndërhyri, Hajredin Boja, u plagos gjithashtu. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore vuri në pranga dy inspektorë Policie, Fatmir Isufin e Hajredin Bojën që mbeti i plagosur.

Gjithashtu, ka nisur procedimi penal për dy inspektorët e tjerë, Lutfi Muça e Mark Marashi, si dhe komisarin Ylli Çollaku. Të gjithë dyshohet të kenë shpërdoruar detyrën, duke mos marrë masa në parandalimin e ngjarjeve të tilla dhe mosdhënie ndihme.