Pronari i një lokali në Vlorë përfundoi në prangat e policisë në operacionin e koduar “TARGET”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Blutë sekuestruan një sasi prej 680 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa.
“Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në ambientet e një lokali në përdorim nga shtetasi Flavjo Bakaj dhe gjatë kontrollit në banesën e tij, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 680 gramë lëndë narkotike të llojit canabis sativa, e ndarë në doza.
Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë pronari i lokalit, shtetasi Flavjo Bakaj, 31 vjeç, banues në lagjen “1 Maji”, Vlorë, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. Xh., 21 vjeç, banues në lagjen “Uji i Ftohtë”, klient në lokal”, bën me dije policia në njoftimin për mediat.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.