“Për mua këto ditë janë si një makth”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiç, duke përshkruar “baraspeshimin” e Beogradit mes Lindjes dhe Perëndimit, në një kohë kur Moskës po i vendosen sanksione për pushtimin e Ukrainës.
Përderisa Perëndimi dita-ditës po forcon sanksionet kundër Rusisë, më 28 shkurt, Brukseli i bëri sërish thirrje Serbisë që të harmonizohet me politikën e jashtme evropiane dhe të vendosë sanksione ndaj Moskës, gjë që Beogradi deri më tani ka refuzuar.
Më 28 shkurt, Vuçiç deklaroi se merr mbi vete “të gjitha kritikat, të gjitha vërejtjet, të gjitha presionet” nga zyrtarët evropianë dhe botërorë, për shkak se Serbia nuk po e sanksionon Rusinë.
“Për aq kohë dhe si do që ta ruajmë pozitën e vendit tonë”, tha Vuçiç.
Në konkluzionet e prezantuar nga Qeveria e Serbisë, më 27 shkurt, thuhet se “interesi jetik politik dhe ekonomik i Serbisë” nuk është të vendosë sanksione ndaj Rusisë në këtë moment – dhe as ndaj cilitdo shtet, zyrtarëve apo kompanive të tij.
Sanksionet perëndimore “më të ashpra deri më tani” kundër Rusisë përfshijnë sektorin bankar dhe financiar, mediat, transportin ajror, energjinë, ushtrinë dhe teknologjinë e lartë, kontrollet e eksportit për produkte të caktuara dhe një “listë të zezë” të zyrtarëve dhe kompanive, si dhe individëve rusë që ndihmojnë Kremlini.
Si të shkohet nga Moska në Beograd?
Qiejt e Bashkimit Evropian, por edhe disa vende të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, janë të mbyllura për linjat ajrore ruse, si dhe për avionët privatë rusë.
Siç ka sqaruar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, më 27 shkurt, hapësira ajrore e BE-së është e ndaluar për avionët në pronësi ruse, të regjistruar në Rusi dhe nën kontrollin rus, “përfshirë avionët privatë të oligarkëve”.
Ndonëse Serbia nuk e ka mbyllur hapësirën e saj ajrore për avionët rusë, trafiku ajror pengohet nga fakti se Serbia është e rrethuar nga vende që kanë ndaluar fluturimin e avionëve rusë. Kështu që, dy fluturimet e kompanisë shtetërore ruse Aeroflot, për 28 shkurt, Beograd-Moskë dhe Moskë-Beograd, sipas aeroportit Nikolla Teslla të Beogradit, janë anuluar.
Nga ana tjetër, kompania ajrore Air Serbia mund të fluturojë pa pengesa përmes vendeve evropiane për në Moskë.
‘Mysafirët e mirëseardhur’ të Beogradit, nën sanksione
Sanksionet perëndimore përfshijnë edhe përfaqësues të autoriteteve ruse dhe disa oligarkë të afërt me Kremlinin. Pronat e tyre në vendet perëndimore, të cilat vendosën sanksione ndaj tyre, janë ngrirë, sikurse dhe udhëtimet në ato vende.
Lista me qindra persona të sanksionuar, që kur u prezantua pakoja e parë e sanksioneve për shkak të krizës ukrainase më 23 shkurt, është zgjeruar pas ashpërsimit të veprimeve të Moskës.
Në atë listë, që nga 25 shkurti, janë presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Mediat botërore shkruajnë se nuk dihet nëse Putin dhe Lavrov kanë prona dhe llogari bankare në Perëndim dhe sa do të ndikojnë sanksionet mbi ta.
Edhe pse zyrtarët rusë mund të shkojnë në Beograd pa pengesa, në kohën kur po vazhdon pushtimi i Ukrainës, u anulua vizita e oficerit të parë të inteligjencës së Kremlinit, Nikolai Patrushev, bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin. Në mediat pro-qeveritare kjo vizitë ishte paralajmëruar për 28 shkurt.
“Patrushev është dashur të vinte në Beograd. Vizita ishte paralajmëruar rreth dhjetë ditë më parë dhe ajo u anulua”, tha Vuçiq më 27 shkurt, por nuk shpjegoi arsyet e anulimit.
Serbia dhe Rusia mbajnë marrëdhënie të ngushta dypalëshe në nivelin më të lartë. Putini ishte për herë të fundit në Beograd në vitin 2019, kur u mirëprit nga dhjetëra-mijëra qytetarë.
Kjo ishte vizita e tij e katërt në Serbi që nga viti 2000, kur ai erdhi në krye të Rusisë.
Sergei Lavrov është një mysafir më i shpeshtë i Beogradit zyrtar. Ai u takua për herë të fundit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, në tetor të vitit 2021.
‘Makina mediale e Kremlini’ në gjuhën serbe
Mediat që promovojnë politikat zyrtare të Kremlinit – si Russia Today (RT), Sputnik dhe filialet e tyre, janë ndaluar në Bashkimin Evropian që nga 27 shkurti.
Këto redaksi kanë zyrat e tyre në gjuhë të ndryshme në mbarë botën dhe financohen nga shteti rus.
Duke paraqitur ndalimin, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, tha se Russia Today dhe Sputnik ishin pjesë e “makinerisë mediale të Kremlinit” dhe se BE-ja po “zhvillonte mjete për të ndaluar dezinformimin e tyre toksik dhe të dëmshëm në Evropë”.
Shtëpia mediale, Sputnik ka zyrën e saj korrespondente në Beograd dhe lajmet në serbisht. Operatorët kabllorë në Serbi transmetojnë kanale televizive shtetërore ruse.
Operatori shtetëror kabllor ‘Telekom Srbija’ ofron disa kanale ruse nën kontrollin e Kremlinit – Russia 24, RTR Planeta dhe RT (Russia Today) News.
RT News është i qasshëm edhe në operatorin privat kabllor SBB. Në të njëjtin rrjet kabllor transmetohet edhe programi informativ Channel One Russia, i kontrolluar gjithashtu nga Kremlini.
Në fillim të shkurtit, në ditët kur sytë e botës ishin përqendruar te Moska, për shkak të krizës ukrainase, nga Gjermania arriti ndalimi i kanalit zyrtar shtetëror RT në gjuhën gjermane (RT DE), i cili u përpoq të arrinte tek audienca gjermane përmes Serbisë.
Më 6 dhjetor të vitit të kaluar, rregullatori serb, Organi Rregullues për Media Elektronike (REM), i dha licencë kanalit për transmetim satelitor të programit.
Në këtë mënyrë, RT DE donte të anashkalonte rregulloret gjermane që ndalojnë transmetimin kanaleve nën pronësi të shteteve të huaja, në mesin e të cilave është edhe RT, si një medium i financuar nga Kremlini.
Gazi dhe nafta ‘rrjedhin papengueshëm’ drejt Serbisë
Që nga fillimi i krizës në Ukrainë, ka pasur turbulenca në çmimet e naftës dhe gazit në tregun botëror.
Megjithatë, sipas marrëveshjes për gazin me Rusinë, Serbia ka një çmim të gazit që është dukshëm më i ulët se çmimi i tregut për momentin. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar në nëntor të vitit 2021 se në gjashtë muajt e ardhshëm çmimi i gazit për Serbinë nuk do të ndryshojë dhe do të jetë 270 dollarë për metër kub. Këtë deklaratë ai e bëri pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, në Soçi.
Serbia është plotësisht e varur nga gazi rus. Kontrata dhjetëvjeçare me kompaninë shtetërore ruse të gazit, Gazprom skadoi në fund të vitit 2021 dhe është duke u negociuar një marrëveshje e re. Nga 1 janari i vitit 2021, Serbia iu bashkua gazsjellësit rus, “Rrjedha turke”, duke vënë në punë “Rrjedhën Ballkanike”.
Filiali i Gazpromit rus në Serbi është Yugorosgaz dhe merret me transportin dhe shpërndarjen e gazit. Gazprom është përballur me sanksione perëndimore që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi ilegalisht Gadishullin ukrainas të Krimesë.
Përveç gazit, Rusia ka monopolin edhe mbi prodhimin dhe shpërndarjen e naftës në Serbi.
Gjiganti i dikurshëm shtetëror, Industria e Naftës së Serbisë (NIS), është në pronësi të shumicës së kompanisë ruse, Gazprom Neft, i cili është gjithashtu nën sanksionet perëndimore.
Për shkak të sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së, NIS nuk ka mundur të marrë kredi nga bankat perëndimore për të tetin vit radhazi, tregojnë raportet financiare të kompanisë.
Në Serbi operon edhe kompania ruse e naftës Lukoil, e cila është gjithashtu nën kufizimet perëndimore.
Biznesmenët serbë si lehtësues
Në dritën e sanksioneve të reja ekonomike të BE-së kundër Rusisë, është aktualizuar deklarata e ministrit të Inovacionit në Qeverinë e Serbisë, Nenad Popoviq, nga tetori i vitit 2021.
Ai kishte deklaruar atëherë se nëse kompanitë ruse zhvendosin një pjesë të prodhimit të tyre në Serbi, mallrat mund të plasohen në tregun evropian prej andej.
“Serbia mund të jetë qendra më e mirë për investitorët rusë për eksport të mëtejshëm në Evropë, sepse çdo gjë që prodhohet në Serbi nesër mund të vendoset në tregun e Bashkimit Evropian pa detyrime doganore”, tha Popoviq.
Për shkak të aneksimit të Krimesë, disa sanksione ekonomike të BE-së kundër Moskës kanë qenë në fuqi që nga viti 2014.
Oda Ekonomike e Serbisë njoftoi në 28 shkurt se do të merrte masa urgjente për të zbutur pasojat për kompaninë, të shkaktuara nga ngjarjet në Ukrainë – të cilat kanë të bëjnë me pagesat që arkëtohen dhe transportin.
Sipas të dhënave të Entit Republikan të Statistikave të vitit 2020, vëllimi i tregtisë ndërmjet Serbisë dhe Rusisë arriti në 2.4 miliardë dollarë amerikanë dhe dominohet nga importi i energjisë nga Rusia në Serbi.
Megjithatë, shkëmbimi me Rusinë përbën vetëm 5.4 për qind të këmbimit total tregtar të Serbisë me botën, ndërsa partneri kryesor tregtar i jashtëm i Serbisë është Bashkimi Evropian, me mbi 28 miliardë dollarë këmbim në vitin 2020.
Si funksionojnë bankat ruse në Serbi?
BE-ja, SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Kanadaja kanë njoftuar se do të ngrijnë asetet e Bankës Qendrore ruse. Kjo bankë ka rreth 630 miliardë dollarë rezerva.
Ndër të sanksionuarit janë disa banka ruse, përfshirë Sberbank, e cila është në pronësi të shtetit.
Banka Qendrore e Rusisë tha se klientët e bankave nën sanksione nuk do të jenë në gjendje të përdorin kartat e tyre bankare jashtë Rusisë. U tha gjithashtu se do të ishte “i pamundur” përdorimi i kartave, të lëshuara nga bankat e sanksionuara, për Google Pay ose Apple Pay.
Uashingtoni zyrtar dhe partnerët e tij kanë filluar të zbatojnë një nga sanksionet më të rrepta – ndalimin e bankave ruse për të përdorur sistemin e pagesave SWIFT.
Thuhet se kjo masë do të pengojë bankat ruse të kryejnë shumicën e transaksioneve të tyre financiare në botë dhe se do të ndikojë në eksportet dhe importet ruse.
SWIFT-i përdoret nga më shumë se 11.000 institucione financiare në mbi 200 vende.
Sipas mediave botërore, bankat ruse mund të përpiqen të përdorin rrjete dhe sisteme të tjera pagesash, duke përfshirë aplikacione për shkëmbimin e mesazheve ose postën elektronike, përmes vendeve që nuk përfshihen në vendosjen e sanksioneve. Një prej vendeve të tilla është edhe Serbia.
Aktualisht ekzistojnë dy banka me kapitalin shumicë rus në Serbi. Banka ruse VTB u ble nga bankieri dhe investitori rus, Andrei Shlyakhov, ndërkaq banka ndryshoi emrin e saj në Banka API.
Tjetra është Expobank, shumica e të cilës është në pronësi të miliarderit rus, Igor Kim.
Banka Popullore e Serbisë njoftoi më 25 shkurt se qytetarët mund të jenë të sigurt në stabilitetin dhe sigurinë e kursimeve të tyre dhe në operacionet e të gjitha bankave në Serbi, “madje edhe atyre grupet e filialeve të cilat janë nga Federata Ruse”.
Dyert e hapura për miliarderët
Sipas të dhënave të Bloomberg, të 24 shkurtit, miliarderët rusë humbën 39 miliardë dollarë në më pak se 24 orë, pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, për shkak të sanksioneve.
Këtu përfshihen edhe ata nga “lista e zezë perëndimore”, por edhe ata të cilëve u rrezikohet biznesi nga veprimet e Moskës.
Për Radion Evropa e Lirë nuk është e njohur se kush nga miliarderët e goditur nga sanksionet ka pronë në Serbi. Mediat raportuan për lidhjet private të tregtarit të qymyrit dhe plehrave industriale, Andrej Melnichenko, me Serbinë. Bashkëshortja e këtij miliarderi, Aleksandra Melnichenko, është nga Serbia.
Në publikun e rajonit përmendet emri i miliarderit, Konstantin Malofeyev, i afërt me Putinin. Ai ka qenë në listat e zeza të SHBA-së dhe BE-së që më parë, për shkak të, siç është thënë, lidhjeve me separatistët në Ukrainën lindore dhe në Krime.
Rrjeti për hulumtimin e krimit dhe korrupsionit – KRIK, njoftoi në vitin 2016 se, pas rrjetit të kompanive ‘offshor’, biznesmeni serb, Milan Popoviq, ka hyrë në partneritet me Malofejevin.
Hulumtimi ndërkombëtar “Panama Papers” i vitit 2016, në të cilin ishte përfshirë KRIK, tregoi se paratë dhe bizneset ruse shpesh vijnë në Serbi, të fshehura pas kompanive të regjistruara në parajsat fiskale.
Baza e të dhënave të “Panama Papers”, pati thënë asokohe KRIK, zbuloi katër rusë të pasur që operojnë në Serbi përmes kompanive “offshore”, duke theksuar se disa prej tyre janë nën sanksione.
KRIK deklaroi se oligarku rus, Igor Rotenberg, i cili ishte nën sanksionet perëndimore, bleu aksionet e kompanisë së privatizuar të ndërtimit PPT Inzhinjering përmes një kompanie “offshore”.
Miliarderi, Gennady Timchenko, është gjithashtu nën sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar nga 22 shkurti. Që nga viti 2016, ai është konsull nderi i Serbisë në Shën Petersburg.
Beogradi si mikpritës i sportistëve rusë?
Federata Botërore e Futbollit (FIFA) ka paralajmëruar disa masa lidhur me pjesëmarrjen e Rusisë në ndeshjet ndërkombëtare – asnjë garë ndërkombëtare nuk do të luhet në territorin rus, vendi do të garojë nën emrin e Federatës së Futbollit të Rusisë, pa përdorur himnin dhe flamurin.
Gjithashtu u tha se ndeshjet, nikoqire e të cilave është Rusia, do të luhen në vende të tjera, në fusha neutrale, pa publik.
Euroliga e basketbollit njoftoi se në këtë garë, klubet ruse CSKA, Zenit dhe Unix do të jenë nikoqire në fusha neutrale. Megjithatë, disa klube dhe lojtarë kanë bërë të ditur se nuk duan të luajnë kundër rusëve.
Më 25 shkurt, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Beogradi zyrtar nuk e ka problem që “skuadrat ruse të basketbollit dhe futbollit të luajnë në Serbi”, se kishte dëgjuar për këtë iniciativë, por që nuk e dinte se e kujt ishte.
Më 25 shkurt, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar u bëri thirrje të gjitha federatave sportive ndërkombëtare që të shtyjnë ose anulojnë ngjarjet sportive të planifikuara në Rusi ose Bjellorusi, aleate kjo e Kremlinit.
Gjithashtu u apelua që të mos vendoset flamuri rus apo bjellorus në ngjarjet ndërkombëtare sportive dhe të mos luhen himnet e këtyre shteteve./REL