MENU
klinika

"Ideale do të ishte të arrihet brenda dy viteve"

Bislimi: Synojmë marrëveshje me njohje reciproke

18.03.2022 - 12:59

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se nuk vendos nënshkrimin e tij në një marrëveshje me Serbinë që është në shpërputhje me interesat e Kosovës.

“Unë nuk nënshkruaj asnjë dokument që nuk është i drejtë dhe i pranueshëm për shtetin e Kosovës. Madje s’kam as kompetenca të nënshkruaj, sepse është kryeministri dhe Kuvendi organi më i lartë për këtë çështje”, tha Bislimi për Rajonipress.

Ai ka folur edhe për kohëzgjatjen e dialogut, duke thënë se kjo nuk varet prej palës kosovare meqë “dinamikat nuk mundemi ne të vetëm t`i shtyjmë përpara”.

“Nuk mund ta prejudikoj kohëzgjatjen e dialogut, por do të ishte ideale që brenda dy viteve të përfundojë kjo rrugë e gjatë dhe e mundimshme. Edhe vetë Lajçak është i interesuar që të shpejtojë procesin e dialogut dhe mos harroni se ka pak diplomatë në BE që gëzojnë respekt më shumë se Lajçak dhe jam i lumtur që pritjet e Lajçakut nga epilogu i dialogut janë të përafërta me tonat. Po ashtu, nuk shohim dallime as në raport me Gabriel Eskobarin, i cili është i kyçur drejtpërdrejt në procesin e dialogut”.

Bislimi ka shtuar se e rëndësishme që Kosova nuk shkon në këto bisedime që të dialogojë për njohje, por se në synim ka një marrëveshje të përgjithshme me palën serbe ku njohja reciproke është në qendër të marrëveshjes.

“Ne po synojmë normalizimin e raporteve me shtetin fqinj. E keni parë edhe vetë që nuk ka pasur ndonjë deklaratë të Lajçakut, që do ishte problematike për ne”.

Duke folur për premtimet e Bashkimit Evropian rreth liberalizimit të vizave, Besnik Bislimi thotë se sipas BE-së Kosova i ka plotësuar kriteret dhe obligimet e saj.

“Mendoj se ka lajme pozitive për Kosovën dhe jemi në një pasqyrë të mirë sa i përket luftës kundër krimit e korrupsionit dhe po marrim poena pozitivë në këtë drejtim nga faktori ndërkombëtar. Tek e fundit unë jam optimist dhe besoj në Bashkimin Evropian”./Express

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN