Deri në datën 15 mars, Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburanteve ka vendosur një çmim fiks se sa duhet të shitet nafta, gazi si edhe benzina në këto kohë luftë që po jetojmë dhe nëse kjo nuk zbatohet parashikohen gjoba për të gjitha bizneset. Report Tv ka zbardhur të gjitha masat administrative, e parashikuara për çdo biznes që nuk zbaton vendimin e marrë nga Bordi.
Gjobat variojnë nga 2 mln lekë për ato që tregojnë me pakicë deri në 10 mln lekë për shumicën dhe të gjitha paratë do të shkojnë 100% në buxhetin e shtetit. Në rast përsëritjeje, është parashikuar edhe heqja e licencës së tregtimit dhe institucioni që i është ngarkuar kjo detyrë për ‘vjeljen’ e gjobave është Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut.
“Në rast të mosrespektimit të çmimit tavan përkatës, të vendosur nga Bordi, zbatohen sanksionet e mëposhtme: a) Shoqëritë e tregtimit me shumicë të produkteve të naftës dhe gazit dënohen me gjobë, në masën 10 (dhjetë) milionë lekë; b) Shoqëritë e tregtimit me pakicë të produkteve të naftës dhe gazit, të cilat nuk respektojnë çmimin tavan përkatës të vendosur nga Bordi, dënohen me gjobë, në masën 2 (dy) milionë lekë; c)Në rast përsëritjeje, masave të mësipërme, të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të këtij neni, i shtohet edhe heqja e licencës së tregtimit”, thuhet në vendim.
Ndërkohë, të gjitha kompanitë e kanë detyrim që të mbajnë rezerva për të shmangur një krizë të mundshme të mungesës së produktit. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë biznesi përjashtohet për një periudhë 3-vjeçare nga mundësia për të marrë pjesë në një tender.
“Të gjitha shoqëritë, që tregtojnë me shumicë produktet dhe nënproduktet e naftës dhe gazit, janë të detyruara të marrin masa për mbajtjen e rezervave përkatëse, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi, dhe të ofrojnë këtë shërbim të pandërprerë, në përputhje me vendimet e Bordit. 2. Të gjitha shoqëritë, që tregtojnë me pakicë produktet dhe nënproduktet e naftës dhe gazit, janë të detyruara të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar furnizimin e pandërprerë të konsumatorit/qytetarit, në përputhje me vendimet e Bordit. 3. Mosmarrja e masave nga shoqëritë private, sipas përcaktimeve në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, dënohet sipas legjislacionit të fushës dhe këto shoqëri përjashtohen nga procedurat e prokurimit publik për një periudhë 3-vjeçare nga Agjencia e Prokurimit Publik”, thuhet në Aktin Normativ të publikuar në Fletoren Zyrtare.