Pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, pati një rritje të ndjeshme të çmimeve në vend, kryesisht të naftës dhe çmimit të grurit. Por kjo është shfrytëzuar nga tregtarët, për të rritur çmimet edhe për produkte të tjera. Deputeti socialist Erion Braçe ka konstatuar se është rritur edhe çmimi i kafes. Sipas Braçes, megjithëse kafja e importuar nga Italia është rritur me 150, pra me 1.25 lekë për në filxhan kafeje, nëpër lokale nuk kanë nguruar që ta rrisin çmimin me 20 lekë për një filxhan kafeje. ‘Zhvatje, asgjë tjetër’ shkruan Braçe.
‘Po turp a keni? Edhe çmimin e një filxhani kafeje e rritet? Nga janari e ketej, cmimi i nje kg kafe ardhur nga Italia, eshte rritur me 150 leke, vetem 150 leke. Pra, me 1.25 leke per nje filxhan kafeje, vetem 1.25 leke! Nese e shisnit ne periferi te Tiranes me 50 leke nje filxhan kafeje, duhet ta shisni me 51.25 leke; Nese e shisnit ne qender te Tiranes me 70 leke nje filxhan kafeje, duhet ta shisni me 71.25 leke. Çfare ka ndodhur me ju qe po e shisni filxhanin e kafese ne periferi me 70 leke e ne qender me 90 leke? Ju eshte rritur edhe juve cmimi i hekurit, cimentos, betonit? Apo cmimi i vajit, orizit, sheqerit, miellit, makaronave, vezeve, pulave etj? Zhvatje, asgje tjeter!’- shkruan deputeti i PS-së.
Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar deputetëve të Partisë Socialiste që të zbresin në terren për të kontrolluar nëse në biznese ka rritje abuzime të çmimeve, si pasojë e luftës si edhe për të parë nga afër nëse po zbatohen pikat e paketës së Rezistencës së Sociale. Qeveria ka prezantuar një Paketë të Rezistencës Sociale të përbërë prej 7 pikash, për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve në një kohë kur lufta në Ukrainë ka sjellë pasojat e para duke u reflektuan në rritjen e çmimeve të karburanteve, por edhe të produkteve të shportës. Për opozitën, kjo paketë nuk është e mjaftueshme, madje e kanë quajtur si një tallje për qytetarët.
Paketa e Rezistencës Sociale
1. 36 milionë $ për indeksimin e pensioneve (637,542 përfitues)
2. Kompensim i rritjes së çmimeve të shportës për 3 muaj (434 mijë përfitues)
3. 14 milionë $ mbështetje për fermerët me naftë pa taksa (+ 5 milionë $)
4. 5 milionë $ mbështetje për të gjithë qytetarët që përdorin linjat urbane, qytetase dhe ndërqytetëse
5. Nga muaji prill:
– Zero taksë për pagat deri në 40 mijë
– Përgjysmim takse mbi pagat deri në 50 mijë lekë
– Ulje e taksës mbi pagat nga 150 deri në 200 mijë lekë
6. Paga minimale rritet në 32 mijë lekë
7. 200 milionë $ financim i mburojës së çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël