NBA kulmoi me një nga ndeshjet më spektakolare, ku kampionët në fuqi Milwaukee Bucks mposhtën 132-122 kryesuesin e Perëndimit Phoenix Suns, në një sfidë mes dy ekipesh pretendente për titull këtë sezon.
Middleton realizoi 44 pikë për kampionët e Bucks, mbështetur nga Holiday me 24 dhe Antetokounmpo me 19 pikë e 14 rebound. Për Suns u dallua Ayton me 30 pikë, por që nuk mjaftuan. Fitorja e katërt radhazi për Bucks, që mbeten në vend të tretë në Lindje, por tashmë kërcënojnë për të marrë kreun.
Po në Lindje, zhgënjeu sërish ekipi i Brooklyn Nets, që u mund 126-120 nga Boston Celtics, në një sfidë me rivalitet deri në fund. 37 pikët e Durant për Nets mbetën për statistikë, ndërsa për Celtics u dallua Jayson Tatum me 54 pikë.
Ndërsa në Perëndim, pas kohës shtesë triumfoi skuadra e Denver Nuggets, që mundi 138-130 New Orleans Pelicans, sfidë ku Nikola Jokic realizoi një “triple double”, me 46 pikë, 12 rebound e 11 asist.