MENU
klinika

Ben Blushi

Çfarë ndodh pas Ukrainës

16.03.2022 - 13:50

Sa më shumë lexoj shtypin perëndimor, aq më shumë besoj se bota jeton në të shkuarën. Nuk lexon dot asgjë për të ardhmen. Ka qindra pyetje për sot dhe asnjë përgjigje për nesër.

Cfarë ndodh nesër?
Cfarë ndodh nëse humb Rusia?
Po nëse fiton Ukraina?
Cfarë ndodh kur lufta të përfundojë?
A do jete bota njëlloj?

A do kthehet lufta në një perpetum, pra nga një luftë, shkojmë në një tjetër dhe nga aty në një tjetër dhe prapë në një tjetër?

Apo, pas kësaj lufte, do mbizoterojë një paqe e gjatë në të cilën, vendet e mëdha vendosin që vendet e vogla duhet të binden dhe kur nuk binden, nuk mund të rezistojnë, sepse askush nuk i mbron sic po ndodh në Ukrainë?

Pervec rendit ndërkombëtar, a do ndryshojnë dhe rendet kombëtare?

Pra nëse do ndryshojnë kufinjtë si ne Ukrainë, a do ndryshojë edhe kapitalizmi bashkë me demokracinë si rend, duke u shndërruar në diçka tjetër që nuk e kemi njohur?

Shumica prej nesh, kanë jetuar në një botë përgjithësisht të rregullt, deri sa ndodhi Ukraina. Rregull do të thotë, që kufinjtë nuk ndryshohen me dhunë dhe se popujt vendosin, çfarë sistemi do të ndjekin, kapitalist,komunist apo hibrid.

Sot kemi dy Kore dhe dy sisteme. Nëse një ditë ato bashkohen, njëri nga dy sistemet do bjerë. Deri dje, do vija bast se në çdo rast, Koreja kapitaliste do triumfonte mbi Korenë komuniste. Por sot, apo më saktë nesër, nëse Kina dhe Rusia përmbysin balancën e rendit ndërkombëtar, nuk vë më bast për Korenë e Jugut. Ky kalë nuk e ka të sigurt fitoren në hipodromin e Azise.

Njëlloj si dy Koretë, është bota sot.Mund të shkojë edhe andej edhe këndej.

Ne jemi rritur me besimin se, Perëndimi gjithmonë fiton, sepse është në anën e duhur të historisë, sepse ka demokraci, prandaj ka fuqi, ka para,ka shpikje, ka ushtritë më të përgatitura dhe armët më të forta.

Po pse Gjermania e Hitlerit a nuk ishte Perendim? A nuk kishte aty demokraci, zgjedhje, shtyp të lirë dhe prandaj shumë shpikje dhe zhvillim? A nuk e solli zhvillimi nazizmin dhe dhunën e Gjermanisë ndaj botës?

Historia e Gjermanisë naziste ka treguar se e drejta nuk është gjithmonë në Perëndim dhe se demokracia nuk pengon dot gjithmonë dhunën dhe luftën e popujve, me popujt e tjerë.

Prandaj pyetja si mbrohet Perëndimi nga vetë Perëndimi mbetet ende një pikëpyetje. A është demokracia e Perëndimit e pakthyeshme? A na mbron ajo nga vetë Perëndimi?

Historia nuk na ndihmon të parashikojmë çfarë ndodh pas Ukrainës.Ne po shohim cfarë po ndodh në Lindje, por nuk e dimë ende se çfarë mund të ndodhë në Perëndim, aty ku jemi dhe ne. Dhe kush lexon të djeshmen natyrisht është pesimist për të ardhmen.

Një nga përfundimet e luftës në Ukrainë mund të jetë një botë e ndarë mes të mëdhenjve. Një botë me perde. Ku të mëdhenjtë merren vesh për tu bërë më të mëdhenj dhe të vegjëlit pranojnë fatin që iu është caktuar nga të parët.

Këtë lloj bote e kemi parë. Kështu u ndanë gjithë vendet e Evropës në fund të Luftës së Dytë Botërore. Të mëdhenjtë hodhën një perde mbi hartë. Gjermania u fut përgjysëm në perde. Austriakët dolën. Cekët u futen. Ne hymë, grekët dolën. Ne jetuam shumë keq për 50 vjet nën perde, por bota jetoi shumë mirë.

Nuk pati pothuajse asnjë luftë. Jetëgjatësia u rrit dhe njeriu shkoi në Hënë.

Por edhe nëse rehatohesh brenda perdes që të caktojnë dhe ne jetojmë me shpresë se këtë rradhë jemi nën perden e duhur, sërish pyetjet nuk mbarojnë. Nëse sic pritet, Rusia do jetojë në izolim dhe sanksione, pavaresisht nga rezutati i luftës, sa do na kushtojë jeta e përditshme dhe mbrojtja nga rusët dhe armët e tyre nukleare.

Ku do ti gjejmë burimet e energjisë elektrike, gazin, drurin, qymyrin, karburantet. Po grurin, miellin, hekurin sterilzantët për bujqësinë, aluminin, platinin dhe bakrin.

Të gjitha këto lëndë të para natyrisht do duhet ti blejmë diku tjetër, por nëse do ti gjejmë në masën që na duhen, në çdo rast do ti blejmë disa herë më shtrenjtë. Mjafton vetëm të lexosh në mënyrë ekonomike pasojat e kësaj lufte, për të kuptuar se jeta jonë do ndryshojë rrënjësisht.

Nuk e di a do jemi më të lirë në fund të luftës, por sigurisht që do jemi shumë më të varfër dhe mund të jetojmë shumë vjet në krizë ekonomike që mund të shoqërohet me luftëra të reja për tregje. Për gaz, për naftë, për ushqim. Pushtohesh se ke gaz për të mbushur sobat. Pushtohesh se ke litium që ju duhet celularëve të botës. Pushtohesh se ke fusha për të mbjellë drithëra. Pushtohesh se ke shumë ujë. Pushtohesh se ke plazh. Pushtohesh pra për diçka, që dikujt tjetër i duhet.

Por nëse ke fat dhe nuk pushtohesh, sërish nuk mbaron këtu. Rënia ekonomike mund të çojë në ndryshime qeverish në shumë vende apo në një tendencë për anarshi. Forca ende te panjohura politike,radikale mund të lindin për te marrë pushtetin. Nuk do jenë të majtë apo të djathtë si ata që njohim.

Mund të jenë ekstremistë ,njerëz që besojnë se liberalizmi ka qenë një shkatërrim, mund të jenë prorusë putinistë, mund të jenë sovranistë trumpistë dhe natyrisht do jenë nacionalistë. Kundër të vegjëlve dhe kundër të huajve. Ndoshta edhe kundër të pasurve. Siç po ndodh sot në Evropë me oligarkët rusë. Histeria e moralshme për tu marrë pronat është kthyer në garë mes shteteve. Shtetet kanë dalë në det të hapur dhe po ndjekin jahtet.

Por ky ushtrim nuk dihet ku çon. Gjysma e Evropës,përfshi edhe ne, e ka parë këtë gjë, 70 vjet më parë, kur njerëzve ju morrën pronat dhe pasuritë në emër të barazisë.
Kush na garanton që kjo nuk ndodh sërish?

Nëse dje sekuestroheshe se je hebre, sot zhvishesh nga pasuritë se je rus, nesër mund të të merret prona se je francez,apo se ke votuar kundër Brexit, apo se ke furnizuar me pastë dhëmbesh ushtritë e NATOs.
Ka shumë gjasa që këto të mos ndodhin më kurrë, në formën që i kemi parë, por në Evropë, kurrë mos thuaj kurrë.
Këtu nazizmi dhe komunizmi përgjojnë pas dere. Evropa fle me këto dy skelete në dollap. I pari ushqen luften, i dyti lind nga lufta.

Lufta e fundit në Evropë vrau 100 milion njerëz. Komunizmi robëroi më shumë se 2 miliardë.

Lufta e Dytë Botërore përhapi komunizmin dhe një mbeturinë e komunizmit sovjetik sot po shkon në luftë në Ukrainë. A do ishte Shqipëria një vend komunist nëse nuk do ishim pushtuar nga Gjermania naziste?

Unë mendoj se jo. Me shumë gjasë, do ishim një vend i varfër,por normal, ku prona nuk merrej nga shteti dhe ku mund të votoje kundër qeverië, siç edhe kishte ndodhur këtu, para Luftës së Dytë.

Fatkeqësisht ne kemi qenë dy herë, nën perden e gabuar. Dëmin më të madh në histori, pas turqve, na e kane bërë gjermanët. Kush mund ta mendonte këtë para 100 vitesh? Por kush na garanton se Gjermania nuk kthehet aty ku ishte dhe nga nevoja për tregje dhe lëndë të para, nuk e ndan gjysmen e Evropës me Rusinë ?

Gjermania po armatoset, duke shkelur traktatin e Versajes 1919, që e kufizon ushtrinë e saj deri në 100 mije njerez dhe me një numër të limituar luftanijesh dhe flote ajrore. Një javë më parë, ajo vendosi të shpenzojë 100 miliard euro për tu armatosur, një shumë e barabartë me buxhetet e të gjithë vendeve te Ballkanit të marra bashkë, përfshi edhe Greqinë.

Duket sikur të gjithë po marrin armët dhe po shkojnë në takimin e pasdites në klubin Europa. Çfarë ndodh me Bashkimin Evropian nëse, sovranistët dhe nacionalisët fitojë në disa vende, si pasojë e krizës ekonomike,rritjes së çmimeve dhe anarshisë sociale?

Nëse, Bashkimi Evropian shpërbëhet, kush na mbron ne nga aveturierët, nga anarshistët ,nga radikalët e rrugës,nga injorantët,nga pucistët,nga juntat,nga të deshpëruarit, nga barazitistët e uritur, nga kanibalët e kapitalizmit apo nga ç’rregullime patollogjike që i kemi provuar?
Askush nuk na mbrojti nga komunizmi për 50 vjet. Evropa na braktisi. Rusia na braktisi. Kina na braktisi. Amerika as u morr me ne. Na lanë nën meshirën e një njeriu që rendin e tij,e quante diktatura e proletariatit.

Po sot kush na mbron ne?
Kush i mbron popujt e vegjel?

Ne dekadat e fundit demokracia krijoi bindjen, bashke me iluzionin, se te vegjelit mund te jene te barabarte me te medhenjte duke u ulur ne tavolinat e tyre dhe duke marre dhe te drejten e vetos, sic ndodh ne Bashkimin Evropian.Nese do kerkonte te antaresohej ne BE,nje vendi me 140 milion banore si Rusia do i duhej patjeter vota e nje vendi me 1.4 milion banore, si Estonia.Ky ka qene rregulli deri para Ukraines, se pas saj nuk dihet me cfare ndodh. Rusia mund te shkoje ne takimin e klubit Europa me nje bombe nukleare ne xhep dhe Estonia, bashke me gjithe te tjeret, do ngrene duart per te votuar.

Pas Ukraines, pesha e vendeve te vogla mund te relativizohet edhe me shume sepse tani eshte madhesia dhe jo demokracia ajo qe percakton fatet e popujve te botes.

Viktima e pare e luftës në Ukrainë është besimi ynë demode, se demokracia të mbron jo vetem nga vetja, por edhe nga të tjerët.

Kjo nuk është më e vertetë. E megjithate demokracia,mbetet e vetmja menyre, per te na mbrojtur nga vetja, qe ne rastin e Shqiperise, eshte armiku yne me i madh.