Java 26 e Kategorisë Superiore ka nisur me dy surpriza, teksa Egnatia dhe Kastrioti, dy skuadra që luftojnë për mbijetesë, kanë mposhtur dy nga skuadrat pretendente dhe që tani luftojnë për Evropën, përkatësisht Vllazninë dhe Partizanin.
Rrogozhinasit fituan 3-0 përballë Vllaznisë dhe tashmë e shohin veten në vendin e gjashtë, duke kaluar edhe Teutën, ndërsa Kastrioti fitoi 1-0 në Kamëz përballë Partizanit dhe i largohet akoma më shumë fundit.
Egnatia shënoi një gol në të parën dhe 2 në të dytën, duke i shkaktuar humbjen e radhës Vllaznisë, që kësaj here u drejtua nga Elvis Plori, trajneri që nuk arrin të shfaqet protagonist sa herë i jepet drejtimi në Superiore. Ndërsa krutanët fituan me një gol në minutën e 82-të ndaj të kuqve.