Dy armët e zjarrit, të gjetura të groposura në fshatin Lalm Lukaj të Lezhës, janë përdorur në vrasjen e rapsodit Kol Murrani dhe mikut të tij Preng Simoni, ngjarje e ndodhur në muajin prill të vitit 2020.
Kjo është provuar pas ekzaminimeve në laborator, ndërsa armët janë përdorur nga dy persona. Njëri është Edmond Përdoda, i cili e ka pranuar autorësinë e krimit të dyfishtë, ndërsa personi tjetër dyshohet të jetë vëllai i tij Aleksander Përdoda. Personat e akuzuar janë njohur me aktin e ekspertimit të armëve, por Aleksander Përdoda ka mohuar në vazhdimësi të ketë lidhje me ngjarjen. Nga ana tjetër, Prokuroria e Lezhës ka arritur të provojë përfshirjen e tij dhe ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”. Aleksander Përdoda u arrestua nga policia menjëherë pas krimit të dyfishtë dhe prej asaj kohë qëndron në paraburgimin e Shënkollit në Lezhë në pritje të drejtësisë.
Çështja në ngarkim të tij dhe personit tjetër të arrestuar për veprën penale “Moskallëzim krimi” Agron Lushi, aktualisht është bllokuar në Gjykatën e Lezhës, për shkak të shkarkimit nga detyra nga KPKja pak ditë më parë të gjyqtares Flutura Hoxha, e cila ishte pjesë e trupës gjykuese në këtë çështje penale. Zëvendësimi i saj pritet të bëhet brenda një kohë të shpejtë dhe menjëherë pas dhënies së konkluzioneve nga avokatët e dy të pandehurve, trupa gjykuese do të japë vendimin.
Ndërsa për personin tjetër e përfshirë në këtë ngjarje Edmond Përdoda, i cili u arrestua pak ditë më parë nga Forcat RENEA çështja është veçuar. Ky i fundit ka pranuar autorësinë e krimit, duke treguar dhe vendin ku kishte fshehur armët. Në dëshminë e tij para oficereve të policisë, ai ka thënë se kishte vepruar i vetëm, duke mohuar përfshirjen e të vëllait Aleksander Përdoda në këtë krim të rëndë.
Edhe Edmond Përdoda pritet të merret i pandehur për veprën penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtje pa leje”. Hetimet janë drejt mbylljes dhe dosja penale pritet të dërgohet për gjykim brenda këtij muaji. Rapsodi Kol Murrani dhe miku i tij Preng Simoni u gjeten të vrarë me armë zjarri më 27 prill të vitit 2020, pranë shtëpive të tyre të vjetra në fshatin Lalm i Lukaj, të Njësisë Administrative të Kolshit. Ata kishin shkuar në vendlindje që prej orëve të mëngjesit të asaj dite, por u përballën me persona të armatosur tek tokat e tyre, të cilët i qëlluan me armë zjarri. Trupat e viktimave janë lënë në pyll për rreth 5 orë dhe janë gjetur nga djali i Kol Murranit, që kishte dalë të kërkonte babanë me të cilin kishte humbur çdo kontakt prej orësh të tëra. Nga veprimet hetimore dyshohet se krimi i dyfishtë ndodhi për çështje pronësie, por personi i cili ka marrë përsipër i vetëm autorësinë e krimit Edmond Përdoda ka thënë se vrasjen e kishte kryer për çështje familjare, por pa dhënë asnjë arsye tjetër.