MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Cilat janë shenjat e hershme të demencës?

19.03.2022 - 14:33

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Cilat janë shenjat e hershme të demencës?

Mjeku: Demenca është një term që përfshin një grup simptomash që prekin funksionin konjitiv të një personi, duke përfshirë aftësinë për të menduar, mbajtur mend dhe logjikuar. Zakonisht vjen duke u rënduar me kalimin e kohës, kështu që ekzistojnë disa shenja të hershme paralajmëruese.

Demenca ndodh kur qelizat nervore në trurin e një individi pushojnë së punuari. Edhe pse zakonisht ndodh tek personat e moshuar, nuk është një pjesë e pashmangshme e plakjes.

Ekzistojnë 10 shenja tipike të demencës. Që një person të marrë një dianozë, zakonisht duhet të përjetojë dy ose më shumë nga këto simptoma, të cilat do të jenë aq të rënda sa të ndërhyjnë në jetën e përditshme të tyre.

Këto shenja janë:

Humbje e kujtesës: Humbja e kujtesës është një simptomë e zakonshme e demencës. Për një person me këtë sëmundje mund të jetë e vështirë që të mbajë mend informacion të ri siç janë datat dhe eventet.

Vështirësi në planifikime apo në zgjidhjen e problemeve: Një person me demencë mund ta ketë të vështirë ndjekjen e planeve, si për shembull një recetë gatimi, apo drejtimet kur po i jep makinës. Gjithashtu dhe zgjidhja e problemeve si veprimet matematikore apo pagesa e faturave, mund të bëhet më e vështirë.

Vështirësi në kryerjen e veprimeve që më parë i bënin kollaj: Personat me demencë mund ta kenë të vështirë kompletimin e veprimeve që bënin rregullisht më parë, si përdorimi i kompjuterit, bërja e një filxhani çaj, apo udhëtimi diku ku shkonin zakonisht.

Ngatërrimi i orës dhe vendit: Demenca mund ta vështirësojë gjykimin e kalimit të kohës. Personat me këtë sëmundje gjithashtu mund të harrojnë se ku janë në çdo kohë. Atyre mund t’ju duket e vështirë dhe kuptimi i ngjarjeve në të ardhmen apo të shkuarën.

Vështirësi në kuptimin e informacionit vizual: Informacioni vizual  mund të jetë i ngatërrueshëm për një person me demencë. Mund të jetë e vështirë për të lexuar, gjykuar distancat apo për të dalluar ndryshimet mes ngjyrave. Dikujt që i jep makinës apo biçikletës mund të fillojë t’i duken të vështira këto veprime.

Probleme në të folur apo në të shkruar: Një person me demencë mund ta ketë të vështirë të përfshihet në biseda. Ata mund të harrojnë çfarë po thonin apo çfarë po thoshte dikush tjetër. Gjithashtu ata mund të kenë probleme me gramatikën, pikësimin dhe shqiptimin. Shkrimi i disa personave mund të bëhet më i vështirë për t’u lexuar.

Harron se ku i lë gjërat: Një person me demencë mund të mos jetë i aftë që të mbajë mend se ku i kanë lënë gjëra që i përdorin në përditshmëri si telekomanda, dokumente të rëndësishme, para apo çelësa. Kjo mund të bëjë që ata të irritohen dhe të akuzojnë njerëz të tjerë se mund t’i kenë vjedhur.

Paaftësi për të marrë vendime dhe logjikuar: Për dikë me demencë mund të jetë e vështirë që të kuptojnë se çfarë është e drejtë dhe e arsyeshme. Kjo mund të bëjë që ata të paguajnë më tepër për gjërat që blejne, apo të vendosin të blejnë gjëra të cilat nuk u duhen. Gjithashtu, disa persona me demencë mund t’i kushtojnë më pak vëmendje higjienës personale.

Tërheqje nga shoqëria: Personat me demencë mund të bëhen të painteresuar në shoqërimin me njerëz të tjerë, si në punë edhe në shtëpi. Ata mund të bëhen të tërhequr dhe të mos flasin me të tjerët kur këta të fundit përpiqen të flasin me ta. Gjithashtu, personat me demencë mund të mos merren më me sportet apo gjërat e tjera që më përpara ju pëlqente t’i bënin dhe që përfshijnë edhe njerëz të tjerë.

Ndryshime në personalitet dhe humor: Personat me demencë mund të përjetojnë ndryshime të humorit dhe personalitetit. Për shembull, ata mund të bëhen të irrituar, me depresion, të frikësuar apo në ankth.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.