MENU
klinika

Ndahet për Bashën dhe Berishën

Debati pa media! Kolegji i kryetarëve të PD kërkon zgjidhje

14.03.2022 - 10:50

Ndryshe nga mbledhja e kaluar, dje në takimin e radhës me kryedemokratin Basha, edhe kolegji i kryetarëve ka kërkuar një zgjidhje të situatës. Por qëndrimet e tyre kanë qenë të ndara në lidhje me qëndrimin që duhet të mbajë Lulzim Basha dhe ish-Kryeministri Berisha.

Kështu, kryetari i komanduar i PD-së në Fier, Agron Kapllanaj, kërkoi një komision përbashkimi me foltoren, por duke mbajtur në fuqi vendimin e 9 shtatorit për Berishën. Ndërkohë, kandidati i PD-së për Bashkinë Durrës, Luan Hoti, në fjalën e tij u shpreh se duhet menduar vetëm për bashkimin, pasi nëse në zgjedhjet e ardhshme shkojnë me 2 ose 3 kampe, atëherë PD nuk ka asnjë shans të fitojë.

Agron Kapllanaj: Ne duhet të gjejmë një mekanizëm për t’u bashkuar. Propozimet qe ne bëjmë me ju i diskutojmë, por keni parë që, nga ana tjetër, të thotë dikush këto që po ju kërkojmë ne ju? Jo nuk ka, se kane frike të flasin kundër Sali Berishës. Vendimi i 9 shtatorit për Sali Berishën nuk mund të ndryshojë. Rruga më e thjeshtë është të hapim garë në PD. Të lëmë datën e zgjedhjeve dhe të hyjmë në zgjedhje. A na bën mirë kjo? Mendoj se jo.

A i bashkon demokratët? Jo, ndoshta do t’i dëmtojë më shumë, do çahet më shumë. Mund të ngremë një komision me 10 veta dhe ne bëjmë një veprim për të bashkuar demokratët, 5 anëtarë nga PD dhe i lëmë afat foltores të sjellë 5 vetat e vet. Natyrisht, pa Berishën dhe Bashën, nëse nuk vijnë, kjo strukturë të drejtojë PDnë për një periudhë kohe deri në procesin e ardhshëm zgjedhor.

Pëllumb Seferi, kryetar dega 8 Tiranë: Anëtarët e degës 8 kanë shprehur mbështetje për kryetarin Basha. 6 marsi u organizua nga Berisha e Meta për të goditur Lulzim Bashën. Pati edhe mbështetjen e Ramës, atij i intereson një person i izoluar nga Perëndimi. Arsyeja ishte vendimi për ta pezulluar Sali Berishën nga grupi. Berisha nuk e ka luftën me PD-në, por me Amerikën dhe përdor emrin e Bashës për të mbrojtur veten. Duhet të qëndrojmë dhe jo të bëjmë zgjidhje emocionale. Zgjidhjet të vijnë prej nesh, ne kemi organe legjitime. Deputetët duhet të jenë të kujdesshëm: nëse kërkojnë dorëheqjen e Bashës, të venë edhe mandatin e tyre në tavolinë.

Asnjë s’e ka fituar vetë mandatin, jemi dhe ne aksionerë të mandateve të tyre. Të bashkohemi për të ngritur grupe pune nga të dyja palët. Për këtë, duhet të ketë vullnet nga të dyja palët. Duhen njerëz me integritet. Të merren opsionet e të dy krahëve, ish-drejtuesve të partisë, anëtarësisë e të gjendet zgjidhje. Por aty duhet të përvëlojë qasja jonë euroatlantike, pra nuk ka kthim pas nga vendimi i 9 shtatorit.

Ilir Koçia, kryetar i PD Kuçovë: Nuk i kuptoj ata që kërkojnë të ikë kryetari i PD-së në këtë moment kaq të vështirë për PD-në, pa ofruar asnjë zgjidhje. E kuptoj se askush në PD, grupi parlamentar nuk e çon nëpër mend që të vijë Berisha, por si do ta bashkojmë partinë? Kjo është pyetja sot.

Si të ikë Lulzim Basha dhe ta lërë PD-në në ciklonin e përplasjeve me Sali Berishën? Nuk jam dakord. Neve na duhet zgjidhja. Kryetari e ka bërë të qartë se është i gatshëm për çfarëdolloj zgjidhjeje. Ne duhet të ngremë komision me dy grupet dhe persona që nuk janë as me ne, as me ata. Ka njerëz që kanë qenë në mes të dy palëve, ka njerëz që mund të ndihmojnë në këtë moment për të gjetur zgjidhje. Mjafton mos të jenë njerëz që bëjnë pazar me Ramën. Pa gjetur më parë zgjidhje, largimi i kryetarit do ta bëjë më keq situatën në PD.

Arif Rexhmata, kryetar i PD Kukës: Gjithë grupet përfituese të pushtetit janë bashkuar, duke shpifur për ju kryetar, duke ju ngarkuar një barrë që s’e keni. Ne i njohim të gjithë. Ne nuk kemi punë me dorëheqjen tuaj, ajo është zgjidhja juaj. Mendoj se zgjidhje mund të jetë duke mbledhur forumet, ndoshta duke pranuar dhe fraksionet. Fraksionet, nga eksperienca, edhe bashkojnë.

Lefter Gështenja: Rrugët e bashkimit, një hap pas të dy Basha dhe Berisha, qetësohet situata dhe të ketë një armëpushim. Dhe pastaj një platformë për të çuar në zgjidhje. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje. Kemi një problem dhe duhet të gjejmë zgjidhje. Të gjithë bashkë të ringrejmë PD-në dhe të ecim para. Duhet të bashkohemi

Sabah Sheta, kryetar i PD Krujë: Situata është e keqe, problemi është si do ta zgjidhim? Problemi fillon në 19 maj. Ju dhe Berisha keni korrur sukses kur keni qeverisur bashkë, nuk mund të gjeni një zgjidhje ju të dy? Ju jeni dy kokat që e mbani PD-në të ndarë, mund të na jepni një zgjidhje për demokratët? Unë nuk jam për dorëheqjen, ja ike ti, çfarë zgjidh? Ju mund të zgjidhni dy grupe për të gjetur zgjidhje brenda nesh, nuk shoh zgjidhje tjetër, përveç juve. Ju e nisët, ju bitiseni. Na bashkoni ne demokratët. Demokratët i kanë sytë nga ju, ju mund të na nxirrni nga ky ferr.

Luan Hoti, kryetar dega Durrës: Problemi është se demokratët janë përçarë dhe sa herë të hyjmë në zgjedhje, nuk do të arrijmë dot rezultat. Duhet të gjejmë zgjidhje se baza është e përçarë. Kështu nuk kanë se çfarë të bëjnë. Zgjidhjet nuk vijnë tani se jemi të irrituar. Nuk ka zgjidhje me ik ti e hajde ti. Të reflektojmë, të qetësohemi. Nuk i lamë gjë mangët fushatës, problemi është përçarja e demokratëve.

Garën nuk e kisha me demokratët, e kisha me Sakon, po nuk ishte kështu për pjesën tjetër. Demokratët na ndëshkuan të dyja palëve. Cila është zgjidhja? A është zgjidhja largimi i kryetarit? Basha thotë është gati për çdo zgjidhje, por tërheqja e tij nuk është zgjidhja në këtë moment. Duhet bashkimi, po shkuam në 2-3 kampe, nuk fitojmë. Duhet bashkim. Për zgjedhje brenda partisë, nuk mund të mendojmë, të paktën jo brenda një viti. Duhet një formulë bashkimi fillimisht.

Gazidede: Berisha ka hall të madh, do ta shkatërrojë PD

Kryetari i Partisë Demokratike në Dibër, Nauim Gazidede, është shprehur kundër dorëheqjes së kryedemokratit Lulzim Basha. Në fjalën e tij në kolegjin e kryetarëve, Gazidede ka akuzuar ish-Kryeministrin Berisha se kërkon që të shkatërrojë PD-në.

“Berisha e ka shprehur se para dinjitetit tim nuk pyes për asgjë, pra as për PD-në. Ai do ta shkatërrojë PD-në, i ka hyrë kësaj rruge. Nuk mund të marrin vendim disa deputetë pa na pyetur ne. Me kë u konsultuan? Ata nuk njohin asnjë demokrat. Për mua, zgjidhja është: duhet të vazhdojmë punën. Të plotësohen strukturat e të vijojmë punën. Në foltore është një pjesë e mafies.

Foltorja ka dhënë nga 100 mijë lekë për komisionerë e vëzhgues. Ku i gjetën këto para? Sali Berisha ka hall të madh dhe ka të tjerë andej që kanë po kaq hall të madh. Formula e zgjidhjes është të bashkojmë sa më shumë demokratë, të plotësojmë strukturën dhe të punojmë me çdo qytetar. Nuk e zgjidh problemin dorëheqja e Bashës”, tha Gazidede.

Ndërkohë, Xhemal Bushati u shpreh se PD duhet të hapet për të rinjtë e intelektualët. “Të hapim PD-në me të rinjtë, intelektualët. Jam dakord të bashkohemi, po s’e di a na lë LSI me u bashkuar. Nëse PD kthehet parti e vlerave, do ta shohin edhe shqiptarët se është parti e vlerave. Vetëm kështu ecim përpara”, tha Bushati.