MENU
klinika

Protestuan për rritjen e çmimeve

Dhjetëra të arrestuar e proceduar në Mirditë e Shkodër

11.03.2022 - 11:24

Policia e Shtetit ka nisur procedimet dhe arrestimet për personat që janë përfshirë në protestat për rritjen e çmimeve në disa qytete të vendit.

Në Mirditë, qytetarët bllokuan “Rrugën e Kombit” dhe kësisoj, policia ka arrestuar në flagrancë 5 prej tyre dhe ka shpallur në kërkim 13 të tjerë.

Masë e ngjashme është ndjekur në Shkodër, ku edhe atje qytetarët kishin dalë për të protestuar. Në këtë qytet, policia njofton se ka proceduar 8 shtetas dhe ka shpallur në kërkim një tjetër.

Njoftimi i Policisë së Mirditës:

Bllokuan rrugën duke mos lejuar kalimin e automjeteve në të dy senset e lëvizjes në rrugën e kombit, arrestohen në flagrancë 5 shtetas, si dhe shpallen në kërkim 13 të tjerë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë arrestuan në flagrancë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në protestë të paligjshme “, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë shtetasit: M.Ç., P.K., P.J., E.Gj. dhe Y.Z., banues në Mirditë, pasi ditën e djeshme në fshatin Ndërfushaz, kanë bërë bllokimin e aksit rrugor Milot-Morinë duke mos lejuar qarkullimin e mjeteve nga të dy senset e lëvizjes.

Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim policor për shtetasit:Gj.N., B.S., F.P., T.S., L.T., E.T., K.N., M.N., P.N., Gj.N., B.Gj., T.P., dhe P.N., banues në Mirditë.

Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar dhe disa automjete me të cilat këta shtetas kanë bllokuar në mënyrë të paligjshme rrugën.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, apelon për të gjithë qytetarët që të mos bllokojnë lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve sepse do të përballen me forcën e ligjit.

Njoftimi i Policisë së Shkodrës:

DVP Shkodër

Bllokuan rrugën duke mos lejuar kalimin e automjeteve në sheshin “Parrucë”, procedohen penalisht 8 shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër proceduan penalisht për veprat penale “Organizimi dhe pjesmarrje në tubim të Paligjshëm” “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Prishja e qetësisë Publike” shtetasit: B. O. 33 vjeç , banues në lagjen Dobrac i ri, Shkodër, M. Sh. 57 vjeç ,banues në lagjen “3 Herojt” Shkodër, K. D. 27 vjeç, banues në Grude e Re, Shkodër, Ç.T. 54 vjeç, banues në fshatin Beltojë, Shkodër, L. K. 44 vjeç , banues në fshatin Palaj, Shkodër, Sh. Ç. 34 vjeç , banues në lagjen “Partizani”, Shkodër, M. B. 38 vjeç , banues në lagjen Guerile Shkodër, K. P. 57 vjeç, banues lagjen Mark Lula, Shkodër, si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. T. 55 vjeç, banues në lagjen Salo Halili Shkodër.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.

Policia e Shkodrës , apelon për të gjithë qytetarët që të mos përfshihen në akte dhune dhe të mos bllokojnë lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve sepse do të përballen me forcën e ligjit.