MENU
klinika

Publikohet raporti i CLR

“Dhuna në tregun e punës është në rritje, por…”

11.03.2022 - 20:15

Prezantimi i një studimi mbi “Dhunën dhe ngacmimet në botën shqiptare të punës” u hap me një akt teatral që përfaqësonte problematikat e punonjësvë shqiptarë, duke filluar nga faza e intervistës dhe deri tek marrëdhëniet mes kolegëve dhe eprorëve.

Studimi është kryer nga Qendra për të Drejtat në Punë, CLR, në bashkëpunim me qendrën “Olof Palme International” dhe me mbështetjen e ambasadës suedeze në Tiranë. Ai u prezantua të premten në praninë e institucioneve shtetërore, drejtuesve të sindikatave dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

“1/4 e të anketuarve mendojnë se fenomeni i dhunës dhe ngacmimeve në vendin e punës është shumë i përhapur, kryesisht në sektorin Call Center dhe atë të arsimit,” tha Elona Dhëmbo, konsulente kërkimore e studimit.

“Sipas punëmarrësve, lloji i dhunës që perceptohet si më i përhapuri prej tyre janë tentativat për prekje apo ngacmim fizik, duke u ndjekur nga sulmi me fjalë, shprehje apo toni i zërit,” shtoi Dhëmbo.

Sipas studimit, format më të shpeshta të dhunës gjenden në marrëdhëniet mes eprorëve dhe vartësve. Por vetë punëdhënësit kanë një perceptim tjetër për dhunën në vendin e punës – ndërsa rendisin të parën frikësimin për uljen e pagës.

Sondazhi kombëtar u implementua gjatë periudhës qershor- nëntor 2021 dhe përfshin 1538 punëmarrës të anketuar; 45 punëdhënës dhe 27 intervista me fokus grupe në Tiranë, Fier, Vlorë, Korçë dhe Shkodër.

Të anketuarit i përkasin sektorëve më të mëdhej të ekonomisë dhe administratës publike në Shqipëri, duke përfshirë arsimin, shëndetësinë, hotelerinë, sektorin e fasonerisë dhe atë të “call-center”.

Autorët e studimit thanë se kishin kontaktuar me punëdhënës nga të gjithë sektorët, me përjashtim të sektorit të Call Center.

“Kjo vjen sepse punëdhënësit e këtij sektori nuk kanë dëshirë të bashkëpunojnë as me punëmarrësit, as me sindikatat,” tha Ilir Xhemalaj nga Sindikata Kombëtare e Operatorëve Telefonikë.

Sektori i Call Center është pikërisht ai qe e sheh ngacmimin në punë si të përhapur në masë më të madhe.

“39% e punonjësve të Call Center e shohin dhunën dhe ngacmimin si të përhapur në masë të gjerë, ndjekur nga punonjësit e fushës së arsimit me 29%,” thuhet në studim.

Problemi kryesor i evidentuar gjatë anketimit është pikërisht ai i mungesës së raportimit për arsye që fillojnë nga mungesa e besimit, frika nga hakmarrja apo normalizimi që i bëhet dhunës në vendin e punës.

“24% e të anketuarve perceptojnë se janë ngacmuar në vendin e punës, ku pothuajse më shumë se gjysma e këtyre rasteve (58%) janë vetëm vitin e fundit,” tha Dhëmbo, duke shtuar se vetëm 17% e këtyre punonjësve kanë menduar ta raportojnë fenomenin, ndërsa 53% janë munduar ta zgjidhin atë në mënyrë personale.

Sektori i C

Ambasadorja e Suedisë në Tiranë, Elsa Hastad dhe përfaqësues të institucioneve publike gjatë diskutimit mbi gjetjet e studimit. Foto: Nensi Bogdani.
all Center po ashtu shënon përqindjen më të lartë, ku 49% e të anketuarve raportojnë se kanë qenë të pranishëm në një rast dhunë apo ngacmimi seksual që ka ndodhur në punën e tyre. Përqindja më e ulët regjistrohet në sektorin e hoteleri-turizmit me 16%.

Ndryshe nga sektorët e tjerë, sektori i shëndetësisë raporton fenomenin e dhunës më të përhapur midis punonjësve dhe palëve të treta, pra familjarët që marrin shërbimet.

“Është alarmante që 62% e të anketuarve që punojnë në sektorin e shëndetësisë kanë përjetuar dhunë nga palët e treta,” tha ambasadorja suedeze, Elsa Hastad.

Plejada Gugashi, menaxhere programi në “Olof Palme International” theksoi se përveç dhunës fizike apo verbale, punëmarrësit shqiptarë vuajnë edhe nga dhuna ekonomike.

“Dhuna ekonomike ka të bëjë pikërisht me informalitetin në tregun e zi të punës në Shqipëri, si edhe mosdeklarimin e saktë të pagave,” tha Gugashi.

“Nuk kemi akoma mekanizma adresimi për dhunën në ambjentin e punës, ashtu siç ka për dhunën në familje,” shtoi ajo.

Pavarësisht ratifikimit të Konventës 190 të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) nga Kuvendi i Shqipërisë më 3 Shkurt të vitit 2022, raportimet mbi dhunën dha ngacmimet në vendin e punës vijojnë të jenë të ulëta.

Olta Manjani, zv/ministre e Financave dhe Ekonomisë u shpreh se institucioni që ajo përfaqëson është i ndërgjegjshëm që informacionet që vijnë në lidhje me fenomenin e dhunës dhe ngacmimeve në punë janë të vakëta.

Ngjashëm, Irida Qosja, përgjegjësja e Inspektimit për Marrëdhëniet e Punës në Inspektoriatin Shtetëror të Punës, u shpreh se ankesat që vijnë pranë inspektoriatit në lidhje me këtë fenomen janë shumë të pakëta.

“Kemi një ngërç në zgjidhjen e këtij fenomeni, pasi rastet që vijnë pranë nesh janë shumë të pakta”, tha Qosja. “Është i vështirë identifikimi nga inspektorët që bëjnë vizitat rutinë në institucionet dhe kompanitë,” shtoi ajo./Reporter.al