MENU
klinika

Zbulohet çfarë u diskutua në mbledhjen me dyer të mbyllura

Dorëheqja e Bashës/ Komisioni i Rithemelimit nuk tërhiqet nga Kuvendi i 30 Prillit për ristrukturim

23.03.2022 - 11:42

Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike i formuar më 11 dhjetor në Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha, u mblodh dje për herë të parë pas dorëheqjes së Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike.

Ndërkohë gazeta “Panorama” mëson përmes burimeve se në mbledhjen me dyer të mbyllura të Berishës me anëtarët e komisionit më shumë vëmendje mori rezoluta e lexuar nga kryetari i komanduar i PD Enkelejd Alibeaj sesa dorëheqja. Po të njëjtat burime konfirmuan se ndryshe nga sa shkruhej në rezolutën e grupit të PD-së që propozonin që strukturat e PD të ristrukturohen pas zgjedhjeve lokale të 2023, Komisioni i rithemelimit nuk tërhiqet nga axhenda për të mbledhur kuvendin kombëtar më 30 prill dhe të nis ristrukturimin e partive.

Ndërkohë, që në terren do vijojnë punën në këtë drejtim. Ndërkaq në deklaratën për mediat pas takimit Berisha bëri thirrje që deputetët e PD-së të njohin vullnetin e sovranit të tyre. “Siç e dini z. Basha është i shkarkuar nga kuvendi historik i 11 dhjetorit dhe nga referendumi i 18 dhjetor. Tani, për Partinë Demokratike kanë votuar për shkarkimin e tij 4446 delegatë kanë votuar për shkarkimin e tij 44 mijë anëtarë të PD-së. Kjo është e vërteta.

Kjo është e pa ndryshueshme. Duke theksuar këtë, ne jemi të vendosur të punojmë për bashkimin e PD-së në të gjitha ata të cilët besojnë se vota e lirë e anëtarëve të saj duhet të bashkojë demokratët dhe mund t’u them që ka një mirëkuptim të gjerë, gjatë këtyre ditëve në këtë drejtim. Ka vetëm një grup parlamentar të PD-së dhe jo dy grupe të PD-së. Çdo deputet i Partisë Demokratike është i thirrur të ketë realitetin para syve. Nuk ka dy grupe parlamentare të Partisë Demokratike, por duke thënë këtë nuk është se disa qëndrime absurdë të Lulzim Bashës nuk krijuan anomali në grupin parlamentar. Gjëja më imediate e deputetëve të PD-së është që të normalizojnë jetën e grupit parlamentar. Kam dijeni se po punohet me intensitet në këtë drejtim dhe kjo do realizohet. Sa i përket fletushkës që lexoi z. Alibeaj, mund të them vetëm kaq se në atë fletushkë Lulzim Bashën e shndërronte në plaçkë tregu”, tha Berisha.

RIKTHIMI NË SELINË BLU

I pyetur nëse është gati të rikthehet në selinë blu, Berisha la të kuptohej se këtë herë nuk do të shkohet me protestë, por pas bashkimit përmes proceseve të votës. “Selia është e PD dhe nuk ka asnjë mëdyshje e asnjë diskutim. Jemi në proces e sipër të të gjitha vendimeve që do merren dhe Partia Demokratike do bashkohet do shndërrohet në një forcë politike që nuk e ka patur më të fortë Shqipëria ndonjëherë”, vijoi Berisha.

Largimi i Berishës, Këlliçi: Minoranca nuk mund të vendosë kushte

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka deklaruar se grupi i rithemelimit nuk do të pranojë kushtin që për bashkimin e demokratëve ish-Kryeministri Sali Berisha të bëjë një hap pas dhe të tërhiqet nga gara për kreun e partisë. Në një intervistë në emisionin “Frontline” në “News 24”, Këlliçi u shpreh se minoranca nuk mund të vendosë kushte duke argumentuar se, vota është i vetmi instrument për të zgjidhur krizën në PD.

“Politikisht mua nuk ma vendos gjykata se kush është mazhorancë në partinë time, por vota. Bashës i është kërkuar të bëjë një hap pas se është një minorancë uzurpuese. Nesër kushdo është i ftuar të garojë kundër Berishës. Kush do që të largohet Berisha, të vijë ta mundë me votë. Ndërkombëtarët janë të qartë e të kthjellët.

I takon demokratëve me votë të vendosin se nga kush lidership duhet të drejtohen. Minoranca nuk mund të na vendosin kushte. I takon Berishës të jetë udhëheqës. A duhet që Berisha të përballet me garë? Po! I takon deputetëve që t’i zgjasin dorën kujtdo demokrati që të vijë dhe të na bashkohet dhe të futet në garë, të shpreh ambicien personale për çdo pozicion. Ne jemi të hapur për çdo demokrat. Çdo mosmarrëveshje ta zgjidhim me votë. Vota është i vetmi instrument për të zgjidhur krizën në PD”, tha Këlliçi.

I pyetur nëse do të kandidojë për kryetar të PD-së, Këlliçi u shpreh se:

“Nuk është ambicia ime për tani, por PD-ja duhet të ringrihet”. Nga ana tjetër, deputeti ka komentuar edhe largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i Partisë Demokratike për të cilin tha se ishte i vonuar. “Në 6 mars, i dha fund gjithçkaje dhe ranë maskat. Ishte një votim real dhe zoti Basha nuk mund të fshihej më pas gishtit. Logoja e PD-së ka bërë historinë e politikës shqiptare, u rendit e treta, as në vitin ‘97. Në 7 mars në mëngjes, zoti Basha kreu vetëvrasjen e tij politike. Deklarata se ai nuk kishte humbur asnjë zgjedhje, ishte deklarata që i vuri vulën kokëfortësisë së tij. Zoti Basha u largua nga zyra, sepse u shkarkua.

Vendimi i delegatëve është ratifikuar, zoti Basha u shkarkua nga anëtarësia, por është për t’u përshëndetur një vendim i vonuar. Ky ka qenë një hap edhe pse i vonuar një gjysmë hap i mirë, për të zgjidhur krizën. Ka një mbledhje të Komisionit të Rithemelimit, qëllimi mbetet edhe normalizimi i marrëdhënieve me kolegët tanë. Selia u kthye në bunker. Hapi i parë do të jetë ç’bunkerizimi i PD-së, s’mund të kalohet pa harruar gazi lotsjellës i demokratëve, rrahja e tyre sepse kishin shkuar në seli. Ndihma e vetme që Basha mund t’i japë PD-së është lënia e qetë të kësaj partie. Basha e ka mbyllur ciklin e tij politik. Basha nëse mendon se nuk e ka përfunduar misionin e tij në PD, le të kandidojë”, tha Këlliçi.

Boçi: Dorëheqja e Bashës nuk është e plotë

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka deklaruar se dorëheqja e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të PD-së nuk është ende e plotë. I ftuar në emisionin “Pushteti” në “Fax News” Boçi theksoi se PD-ja ka nevojë ulëritëse për zgjidhjen e një lidershipi.

“Është diskutuar se a duhej përjashtuar nga gara Basha dhe më parë. Thelbi i Kuvendit ishte procesi zgjedhor, dhënia e besimit nuk përfundon me dorëheqjen, por me votën e lirë në garë. Kjo dorëheqje nuk është ende e plotë, sepse duhet të shoqërohet me hapje të procesit zgjedhor.

Është ulëritëse zgjedhja e një lidershipi”, tha Boçi. Deputeti i PD-së thotë se: “E pashë si përfundim të një marrëdhënieje besimi mes tij dhe anëtarësisë së Partisë Demokratike, por dhe më gjerë me publikun dhe votuesin. Ishte një humbje besimi në progres të vazhdueshëm dhe përfundoi si dorëheqje megjithëse u shkarkua në dhjetor”.