MENU
klinika

Nga Mero Baze

“Foltorja 2” kundër Alibeajt është beteja e dëshpëruar e Sali Berishës

27.03.2022 - 20:58

Sali Berisha ka nisur të rrëfejë të vërtetën e bisedës me Enkelejd Alibej, si ndonjë zbulim të madh. Në takimet e tij në jug të vendit, në Tepelenë dhe Përmet, mes shumë lajthitjesh, e vetmja gjë që mbante mend mirë, ishte se Alibej kishte si argument kundër kandidimit të tij, faktin që ishte “person a non grata” i shpallur nga SHBA për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë.

Dhe pas kësaj vazhdonte thirrjet për bashkim, duke e shpjeguar se “Alibej të vetmen rezervë këtë kishte”, tani duhet të bashkohemi.

Në fakt edhe Lulzim Basha vetëm këtë rezerve kishte, madje të thënë në mënyrë më të ndrojtur dhe më me distancë se sa Enkelejd Albiej. Më 9 Shtator ai regjistroi një video që e transmetoi pak minuta para se të hynte në grupin parlamentar, ku deklaroi se nuk do të pranonte Berishën në grup parlamentar pasi ishte shpallur “person a non grata” nga SHBA.

Edhe Enkelejd Alibej atë i ka thënë, në sy dhe I vendosur.

Kur ja tha Lulzim Basha, ai u tërbua dhe nisi atë që quhet “Foltorja 1”. Qytet më qytet të Shqipërisë ai denonconte Lulzim Bashën si peng të Edi Ramës, që e kishte detyruar atë të përjashtonte Berishën nga Grupi parlamentar. Duke shfrytëzuar dhe pakënaqësitë e shumë individëve brenda partisë ndaj Bashës, ai arriti të mobilizojë shumicën e partisë kundër tij, duke fshehur betejën kundër SHBA me betejën kundër Lulzim Bashës. Betejë që përfundoi stilistikisht më 6 Mars.

Tani filmi ju përsërit. Kryetari i ri në detyrë i Partisë Demokratike i përsëriti të njëjtën gjë. Ai refuzoi kandidimin e Berishës dhe bashkimin e PD rreth tij, si një person që fut në konflikt Partinë Demokratike me SHBA.

Pas kësaj Sali Berisha nuk tha që Alibej është peng i Edi Ramës, i paguar prej Sorosit, apo marrëzitë e tij të zakonshme, por filloi “Foltoren 2” tashmë kundër Alibej dhe SHBA.

Në gjithë sqarimet që jepte sot, Berisha e kishte kapërcyer turpin e shpalljes hajdut familjarisht dhe shpjegonte se si do ta zgjidhte këtë gjë me kanun në një kohë tjetër me Sekretarin Blinken, pra do ta zgjidhte me pushkë. Meqë “kohët kanë ndryshuar”, -tha do të më mjaftonte një kërkim ndjese.

Në fakt kohët për Berishën nuk kanë ndryshuar se ai shumicën e gjërave me kanun i zgjidh, nuk di pse bën përjashtim për Sekretarin Blinken. Le ta zgjidhë dhe me atë, me pushkë. Por i sigurtë se kështu po u mbushte mendjen disa trushpëlarëve që SHBA po përgatiste ndjesën ndaj tij, vazhdoi të shpjegojë se drejtuesit e SHBA ishin me Sorosin, kurse zyrtarët e thjeshtë amerikanë ishin me të. Dhe është duke pritur një revolucion në SHBA, ku të fitojnë zyrtarët e thjeshtë dhe të shpëtojnë Berishën nga burgu.

Natyrisht të gjitha këto janë shenja të rënda të një njeriu me probleme të shëndetit mendor, por ajo që ka rëndësi është se në “Foltoren 2”, kundër Alibej, Berisha nuk po fshihet më në betejën me SHBA.

Do dalë të shpjegoj qytet më qytet, se do ta mbyllë betejën me SHBA sapo ajo t’i kërkojë falje. Dhe kjo është fitorja më e mirë që ka arritur Partia Demokratike kundër tij. Me dorëheqjen e Lulzim Bashës dhe kalimin e detyrës tek një politikan tjetër, pa ngarkesa , Sali Berisha u çarmatos, dhe doli ashtu siç pritej ballë për ballë me SHBA. Ndryshe nga “Foltorja 1” ku beteja kundër SHBA, maskohej me betejën kundër Bashës, i cili akuzohej për peng i Edi Ramës, tek “Foltorja 2” kundër Enkelejd Alibej, Sali Berisha ka kyçur gojën kundër Alibejt, dhe flet vetëm kundër SHBA.

Domethënë tani SHBA është pikë bashkimi dhe ndarje për PD. Berisha do përpiqet të grumbullojë dhe të bëjë të madhe një PD kundër SHBA, ndërsa Alibej do grumbullojë dhe do përpiqet të rezistojë me një PD pro SHBA. Edhe pse të gjithë e dimë se një vit më pas, Sali Berisha do humbasë shumë herë më keq se më 6 Mars, në zgjedhjet lokale përballë Edi Ramës, ai nuk do dorëhiqet dhe nuk do të ikë në shtëpi, si Lulzim Basha, pasi ai “e ka betejën me SHBA”.

Dhe ky do të jetë fundi historik i asaj që sot quhet “Foltore” dhe që po rrëmben dhe ndan zyrat e PD, siç ndante më 1992 tokat në Kamëz, për të zbriturit nga Tropoja. Ajo është sot bastioni më i deklaruar antiamerikan në Ballkan. Jo e gjithë Partia Demokratike është antiamerikane, por çdo kush që është antiamerikan, është sot me Sali Berishën në PD.

Sali Berisha më në fund ka një kauzë reale bashkimi të PD dhe ajo është bashkimi kundër SHBA. Përpjekja e tij për të bashkuar Partinë Demokratike, kundër Lulzim Bashës si bashkëpunëtor i SHBA i dha atij një shumicë brenda PD. Por Partia Demokratike i rezistoi si pakicë, duke qëndruar në anën e drejt të historisë pro SHBA dhe kundër tij.

Ndaj tani ai ka nisur i shfytyruar “Foltoren 2”, për të bashkuar kë mundet në emër të PD së zaptuar, kundër SHBA. I do të gjithë aty rreth vetes, përfshi dhe atë të shkretin që foli në Tepelenë, e që “e kishin mbajtur komunistët nga 1975 deri më 2005 në çmendinën e Vlorës”, siç tha vetë. Ai është fundi historik i bashkimit të tij pas disa vitesh.