Raste nga më të çuditshmet të vjedhjeve janë raportuar në Vlorë. Policia bën me dije se janë arrestuar 5 hajdutë të cilët akuzohen për disa vjedhje, duke nisur nga dyert e dritaret e objekteve të braktisura deri te kabujt elektrikë të ish-zyrave të Arkivit Shtetëror.
Njoftimi i policisë:
Vihen në pranga 7 shtetas, procedohet penalisht 1 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër, për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim A. C.(K)., 26 vjeç, banues në lagjen “10 Korriku”, Vlorë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja”.
Po nga specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vjedhja”, shtetasit M. L., 34 vjeç, E. B., 29 vjeç dhe M. J., 34 vjeç, banues në Vlorë, pasi u kapën në flagrancë duke vjedhur dritaret dhe dyert e një objekti të braktisur, në lagjen “Hajro Çakërri”.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në datën 11.01.2022, kanë vjedhur kabllot elektrike tek ish-zyrat e Arkivit Shtetëror.
Po nga këto shërbime u ndalua shtetasi E. Ç., 26 vjeç, banues në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. B., 36 vjeç, banues në lagjen “29 Nëntori”, Vlorë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, pasi në lagjen “28 Nëntori”, në një dyqan, kanë vjedhur çantën e shtetasit G. A., 33 vjeç, banues në lagjen “Kushtrimi”, Vlorë.