“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Hernia diskale, a bën dëm operacioni?
Mjeku: Së pari duhet të sqarojmë se në 5% të rasteve hernia diskale shkakton një kompresion (shtypje) të të gjitha radikseve nervore, nga niveli ku është edhe më poshtë. Kjo do të thotë që pacienti vjen me paraliza të rënda dhimbjet nga disqet (hernia)të këmbëve dhe vështirësi në urinim. Këtë ne e quajmë hernie diskale paralizante që shfaqet dhe me një sindromë që quhet sindromë e bishtit të palcës (sindrom caudal). Kjo hernie, e cila shfaqet me këto simptoma, nuk ka asnjë lloj trajtimi përveç kirurgjisë urgjente. I sëmuri duhet t’i nënshtrohet urgjent kirurgjisë për të rritur mundësinë e përmirësimit pas operacionit.
Lidhur me operacionin, këtu ka një ngatërresë tjetër, sepse pacientët që vijnë me hernie diskale paralizante dhe sindromën caudale, në përgjithësi vijnë vonë. Një gjë e tillë bën që ata të përfitojnë pak ose aspak nga kirurgjia, sepse rezultati më i mirë është në një interval 24-48 orë. Këta njerëz ndonjëherë krijojnë konfuzion tek të tjerët, sepse thonë “u operova dhe u paralizova”.
Edhe kjo ndërhyrje ka ndërlikimet e veta që mund të ndodhin 1 në 10 000 raste. Njerëzit duhet të jenë të ndërgjegjshëm që duhet të paraqiten tek mjeku kur dhimbja fillon, dhe jo atëherë kur çdo gjë ka marrë fund. Pavarësisht dëshirës së mjekut për ta kuruar (asnjë mjek nuk fut dikë në operacion thjesht për ta operuar, por për ta shëruar), ka raste kur edhe mjekësia s’bën dot asgjë.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.