Nga Mero Baze
Sali Berisha sapo ka postuar një deklaratë në emër të Partisë Demokratike ku mban qëndrim ndaj arrestimeve për inceneratorët. Nga pikëpamja formale, ai nuk është as kryetar i PD, pasi formalisht është Alibeaj, dhe as kryetar i Grupit Rithemelues, pasi mund të ketë harruar por ka zgjedhur Belind Këlliçin. Por nxitimi me të cilin ai ka bërë deklaratën dhe “urdhrat” që në të vërtet i jep SPAK përmes saj, tregon arsyen e vërtet përse ai po nxiton të spastroj PD dhe ta marrë nën kontroll e jo ta bashkojë atë. Atij i duhet një orë e më parë, një vulë dhe një firmë, që ti tregoj drejtësisë se duhet të llogarisin dhe atë tani e tutje kur të marrin vendime.
Është i qartë në atë që po bën në selinë e Partisë Demokratike. Ai jo vetëm që nuk ka ndërmend të bashkohet me kundërshtarët e tij, por nuk ka ndërmend as ti pranojë si rivalë. Me një strategji të qartë ai po spastron çdo njeri që ka punuar me Lulzim Bashën nga Partia Demokratike dhe nga qasja në punën e saj duke i trajtuar si armiq dhe më tej akoma, po përpiqet të mbyll sa më shpejt dhe me kosto të ulët, dhe marrjen e kontrollit në bazë, me kriterin që pushtoi selinë e SHQUP në tiranë.
Në Tiranë ai tashmë ka spastruar çdo gjë nga administrata e Partisë Demokratike, dhe po merret vetëm me njerëzit jo politik, ose mediokër të Grupit Parlamentar, të cilët i josh me premtime derisa ti shkëpusë nga grupi tjetër. Shpejtësia me të cilin heqin dhe nga grupet e komunikimit njerëzit e Bashës e deri tek mos lejimi të hyjnë në seli, tregojnë se Berishës nuk i intereson fare të harxhoj energji për ndonjë “bashkim”, por përkundrazi të gjitha energjitë janë për spastrim.
Problemin kryesor duket se e ka në bazë të partisë, aty ku ai mburret që ka shumicën.
Duke qenë se konflikti në bazë të partisë, është më real se ai në qendër kur ndahen rreth çështjesh të tilla siç është shpallja e tij “non grata” për korrupsion madhor, dhe palët që kanë mbrojtur pozicionin kanë qenë më të ashpra me njëra tjetrën. Nëse në Tiranë e vetmja palë me peshë është grupi i deputetëve, dhe aty Berisha do përqendrohet vetëm tek njerëz pa qëndrim politik për të shtuar numrat, në rrethe, ai nuk ka çfarë ofron, pasi beteja mes rivalëve ka qenë e egër dhe shpeshherë personale. Dhe kjo do t’ia mbaj PD të përçarë për shumë kohë.
Në këto kushte Sali Berisha është i interesuar vetëm të mbaroj punë sa më shpejt, të ketë në dorë vulën dhe firmën e PD, të legjitimohet si palë dhe pastaj të shpresoj se kështu SPAK do trembet dhe do të tërhiqet nga Gjyqi i Gërdecit që ka nisur ndaj Mediut, dhe se nuk do të nisin çështjet e vrasjeve të 21 janarit dhe aferave korruptive të fëmijëve dhe gruas së tij, të cilat janë të gjitha të provueshme dhe të detyrueshme për tu rihapur pas shpalljes “a non grata”. Dhe nuk është se nuk i ka funksionuar deri më sot kjo strategji. Në gjyq deri tani kanë shkuar Lefter Koka dhe Alqi Bllako që SPAK i konsideron pa mbështetje politike, ndërsa dosjen e Fatmir Mediut e mbajnë prej një viti në sirtar pasi kanë frikë Sali Berishën. Dosjen e pastrimit pareve të vajzës se tij me Qipron, e mbylli në Gjykatë në Tiranë, hetimin e Gërdecit dhe 21 janarit i mbylli me dhunë, duke share dhe ”lavire” kryeprokuroren, dhe akoma nuk është marrë në hetim për to. Dhe gjithë suksesi buron nga fakti se ka pasur në dorë vulën e PD.
Ndaj të gjithë ata që kanë ndonjë iluzion për “bashkimin” duhet të kuptojnë se bëhet fjalë për gjunjëzim ndaj Berishës dhe vënien në rresht pas tij. Berishës nuk i duhen më as numra as ndonjë shumicë e cilësuar brenda PD, pasi e di që atë nuk fiton dot në zgjedhje. Atij i duhet një vulë dhe firmë për tu mbrojtur në opozitë dhe po nxiton ta marrë sa më shpejt, jo duke bashkuar, por duke spastruar.