Ka një lloj ekzaltimi nga foltoristët për ta paraqitur humbjen e Lulzim Bashës në zgjedhjet e 6 marsit si një dështim amerikan. Kjo nisur nga fakti se ambasadorja e këtij shteti por edhe funksionarë të lartë të Departamentit të Shtetit u investuan hapur për ta paraqitur Bashën si preferencë e tyre.
Pas kësaj ideja e foltoristëve është që tani amerikanët do të detyrohen të negociojnë me Berishën dhe Metën.
Por nuk ka më logjikë province se sa kjo. Është shumë i vogël elektorati foltores që të detyrojë një hiperfuqi që të ulë hundën përpara Berishës dhe Metës.
Amerikanët po të jetë për interlokutor kryesor, kanë Edi Ramën. Edi Rama ka 55% të elektoratit, përveçse është njeriu më i fuqishëm në Shqipëri sot për sot, është i bindur dhe aspak me ide që të shkelë interesat strategjike të tutorëve të Shqipërisë.
Përveç kësaj, ngjan se publiku shqiptar pavarësisht se është i fryrë nga bëmat e qena dhe të paqena të qeverisjes së tij, dukshëm e preferon më shumë sesa Berishën&Metën. E shumta që bën si revoltë, nuk shkon të votojë. E në këtë prizëm duhet ta shikojnë edhe ata që mendojnë se ata që nuk votuan, janë votues potencialë të dyshes arkaike. Ta harrojnë! Atyre thjesht ua shpif kjo dyshe.
I gjithë investimi amerikan tek Basha ka lidhje me një perceptim të thjeshtë perandorak që ata kanë për botën të cilën e ndajnë në tre rrathë.
Në rrethin e parë futen aleatët natyralë që janë shtetet anglishtfolëse duke filluar nga Anglia, Kanadaja, Australia, e të tjerë më minorë. Me këta edhe shkojnë në fushëbeteja.
Në rrethin e dytë futen aleatët e gjetur, me të cilët ndajnë të njëjtat vlera si demokracia, ekonomia e tregut, të drejtat e njeriut dhe pranojnë primatin amerikan. Dhe në këtë rreth futen Gjermania, Franca, Italia e të tjerë që pak a shumë i zbatojnë këto rregulla. Këtu jemi edhe ne dhe ca demokraci të tjera hibride.
Në rrethin e tretë janë shtetet që i detyron të jenë filo-amerikanë, dhe këtu hyjnë shtetet për të cilat amerikanët nuk kanë shumë sqimë apo stimë, mjafton të mos i fusin shkopinj nën rrota. Me këta zakonisht vepron pa dorashka dhe janë subjekt i shërbimeve inteligjente apo Pentagonit, sesa të Departamentit të Shtetit.
Në rastin tonë, amerikanët duan të ruajnë aparencën dhe trajtimin ndaj nesh si një aleat ndaj të cilit nuk duan të përdorin “manu fortis”.
Në këtë kuadër është edhe sjellja e tyre ndaj politikës shqiptare. Ata thjesht dëshirojnë që në këtë vend të ketë rregulla loje dhe që bastin mos ta vendosin vetëm mbi një kalë. Ndaj ishte edhe përkrahja e tyre për opozitën shqiptare apo lejimi i ndonjë flirti të Ramës me armiqtë-miqtë e tij të foltores. Por nëse do të jetë për saktësimin e sferave të influencës, ata nuk mund t’i lejojnë vetes të humbin kohë me njerëz që i kanë skualifikuar. E shumta mund të na nxjerrin në rrethin e tretë të aleatëve, por kjo nuk do të thotë aspak se do t’i dorëzohen ofensivës së Berishës&Metës.
Lufta në Ukrainë i ka nxjerrë shumë probleme perëndimorëve, dhe në këtë kontekst, gjëja e fundit që ju shkon në mend është të humbasin territor dhe influencë në Shqipëri, tashmë një prapavijën e NATO-s. Pastaj, kush mendon se meqë ia dolën talebanët në malet e Hindu Kushit, mund t’ia dalë në kodrat e Ndroqit, ky është për spital.