“Quhem Sinisa dhe kam lindur dy herë. Herën e parë, më 20 shkurt 1969 në Vukovar, ish-Jugosllavi, sot Kroaci. Duhet të falënderoj nënë kroate, Viktorija dhe tim atë serb, Bogdan, që më kanë sjellë në jetë.
Kur kjo ndodhi, ishte e enjte dhe nuk kam qarë. Më kanë thënë, se nuk u ndjeva fare kur linda, aq sa të tjerët përreth u detyruan të më shkundnin tri herë, për të më bërë të qaja me zë si të gjitha foshnjet e sapolindura.
Kam lindur për së dyti, 50 vite më vonë, në 29 tetor 2019, në spitalin “Sant’Orsola” të Bolonjës. Dhe këtë herë, duhet të falënderoj një të djalë të ri amerikan, të panjohur më parë, i cili më dhuroi palcën, si dhe ekipin mjekësor që bëri transplantin, për të më shpëtuar nga leuçemia.
Ka qenë ditë e martë, kam pasur përkujdesje nga të gjithë, si dhe kam qarë shumë.
Kam lindur dy herë, por kam jetuar shumë jetë”. – Sinisa Mihajlovic, “La partita della vita”.
Nëse ka diçka që e lartëson një njeri, është mirënjohja!
Duhet të jemi mirënjohës, për çdo mirësi në jetë dhe për çdo çast lumturie që na falet. Që në lindje, edhe pse nuk e kemi pasur ne në dorë, duhet t’u jemi mirënjohës prindërve, të cilët na sollën në jetë. E më tej, në çdo hap të jetës, duhet të jemi mirënjohës çdo çast.
Çelësi i lumturisë brenda nesh dhe atyre që na rrethojnë, – sipas Rhonda Byrne, – është mirënjohja. Ajo na ndihmon të mendojmë se, jo çdo gjë është e tmerrshme. Me ndjenjën e mirënjohjes, ne jemi të hapur ndaj çdo përvoje të përditshme. Ka shumëçka, për të qenë mirënjohës,.. që nga gjërat më të mëdha e deri tek ato që duken më pak të rëndësishme.
Thoni më shpesh “Faleminderit”! Kujtohuni se çfarë vlerësoni më shumë dhe kushtojuni rëndësi ndjenjave!