MENU
klinika

“Domosdoshmëri më shumë se kurrë...“

Kosova kërkon të jetë pjesë e NATO-s

02.03.2022 - 12:38

Kosova kërkon të jetë pjesë e NATO-s nisur nga situata delikate e sigurisë pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Analistët thonë se katër vende të NATO-s nuk e njohin Kosovën dhe kjo e pamundëson hyrjen e saj në aleancë.

Autoritetet drejtuese të Kosovës bënë thirrje që Kosova të pranohet në NATO, duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri, sidomos pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “anëtarësimi i Kosovës në institucionet euro-atlantike është më i domosdoshëm se kurrë”. Mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO e dha presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në një konferencë për media në Ankara së bashku me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, e cila po zhvillon vizitë zyrtare në Turqi.

“Turqia si vend i rëndësishëm i NATO-s nuk shikon asnjë gjë që nuk shkon për sa i përket anëtarësimit të Kosovës këtu. Për ta mbështetur procesin e anëtarësimit në NATO s’kemi nevojë për të marrë leje nga askush. Ne i kemi ndërmarrë hapat tonë. Ashtu siç ndërmorrëm në rastin e njohjes, ashtu do të bëjmë edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO”, tha presidenti turk, Erdogan.

Thirrje për anëtarësim të Kosovës në NATO, në të njëjtën kohë me anë të një letre e bëri ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, duke marrë shkas edhe nga qëndrimi i fundit i Serbisë, e cila refuzoi të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pas sulmit të kësaj të fundit në Ukrainë. Ministri Armend Mehaj kërkoi edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Kanadaja që të reagojnë ndaj deklaratave të Serbisë lidhur me zhvillimet e fundit në Ukrainë.

Si reagon Serbia?

“Qendrimi zyrtar i Serbisë nuk ishte befasi për askënd nga bota demokratike perëndimore duke pasur parasysh, se Serbia ka qenë dhe është aleat i denjë i Rusisë dhe i presidentit Putin. Një keqardhje hipokrite dhe qëndrim kontradiktor për agresionin rus në Ukrainë është një demonstrim i qartë se pse tani është koha që Kosova të bëhet anëtare e plotë e NATO-s dhe BE-së”, shkruan ministri Mehaj. Sipas tij, “Rusia përmes Serbisë, sikur në vazhdimësi edhe në të ardhmen do të vazhdojë aktivitetet destruktive për cënimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit të vendeve të rajonit dhe më gjerë”. Prandaj në këtë linjë, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, thotë se është koha që pesë vendet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë.

“Përsërisim se është koha që nuk pret, që edhe Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia, si shtete anëtare të NATO-s dhe BE-së si dhe Qipro si anëtare e BE-së, të njohin shtetin tonë. Republika e Kosovës në secilin dimension të saj për 14 vjet të pavarësisë ka dëshmuar dhe konfirmon fuqishëm se është shtet evropian i ndërtuar dhe funksional mbi parimet dhe vlerat më të larta euroatlantike”, shkroi ministri Mehaj. Ai po ashtu përsëriti thirrjen e tij ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vendosur një bazë të përhershme ushtarake në Kosovë, për të forcuar, siç tha, paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë.

Autoritetet e Beogradit nga ana e tyre thanë, se i kanë të njohura synimet e Kosovës që të jetë pjesë e NATO-s. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se. “nuk mund të vlerësojë për momentin se sa real është rreziku që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s”, por, sipas tij, situata “nuk është aspak naive”.

Duke folur nga Kragujevci i Serbisë, Vuçiq tha se “ka dëgjuar për këtë ide rreth gjysmë viti më parë nga shërbimet e sigurisë serbe”. Sipas tij, kjo është “ide e lobiistëve shqiptarë, e disa politikanëve nga Bashkimi Evropian dhe SHBA, që t’i detyrojnë vendet e BE-së, që janë anëtare të aleancës dhe që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë këtë”, tha Vuçiq, transmeton B92.

Katër vendet e BE-së që janë edhe anëtare të NATO-s, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, janë: Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Rumania. Qiproja është një tjetër vend i BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Prania e KFOR-it nuk është pengesë

Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Politika Zhvillimore KIPRED, Lulzim Peci, i tha DW-së, se pa njohjen e Kosovës nga këto shtete, është pothuajse e pamundur që Kosova të jetë pjesë e NATO-s. “Kërkesat e palës kosovare për anëtarësim në NATO-ja janë legjitime, por realizueshmëria e tyre është komplekse, sepse, pikë së pari Kosova ka problem që nuk e njohin katër shtete të NATO-s. Dhe problem tjetër është që Kosova ende nuk i ka të rregulluara raportet me Serbinë, kështu që këto janë dy elementet kyçe, që e pengojnë Kosovën në një afrim të përshpejtuar me NATO-n. Mirëpo, nëse situata në rajon ndryshon në mënyrë rapide, atëherë ka mundësi që edhe këto pengesa të tejkalohen”, thotë Lulzim Peci. Sipas tij, një marrëveshje finale me Serbinë, do të çojë deri tek njohja e Kosovës nga katër vendet anëtare të NATO-s që nuk e kanë njohur atë dhe kjo natyrisht që do t’ia lehtësonte Kosovës rrugën për në NATO.

“Nëse sot Kosova do të kishte marrë planin për anëtarësim në NATO, unë besoj se ngjashëm sikurse me Malin e Zi, aty dikund brenda pesë deri shtatë viteve në procedurë normale, Kosova do të ishte anëtare e NATO-s, ndërsa në procedurë të përshpejtuar, atëherë kjo është çështje tjetër”, thotë Peci. Analisti i KIPRED, thotë se prezenca e KFOR-it dhe Rezoluta 1244 e KS-it mbi bazën e së cilës funksionon KFOR-i në Kosovë, nuk është pengesë e anëarësimit të Kosovës në NATO.

“Nuk ka kurrfarë pengese nga prezenca e KFOR-it në Kosovë me anëtarësimin e Kosovës në NATO. Për shembull sot kemi trupa paqeruajtëse në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe ky vend e ka marrë planin aksional për anëtarësim në NATO që paraqet hapin e parafundit për anëtarësim në këtë aleancë. Pra, Rezoluta 1244 dhe prezenca e KFOR-it, nuk është problem, problem është që katër vende anëtare të NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën”, thotë Lulzim Peci.

Kosova 10 vjet më parë aplikoi për t’u bërë pjesë e Partneritetit për Paqe, por kjo nuk u mundësua për shkak se Forca e Sigurisë së Kosovës, FSK, kishte statusin e organizatës për ndërhyrje në emergjenca dhe katastrofa natyrore, dhe jo atë të ushtrisë. Në vitin 2016, qeveria e Kosovës bëri përpjekje të përsëritur për të forcuar bashkëpunimin me NATO-n, por ishte Spanja, një nga vendet e BE-së që e kundërshtoi atë. Në vitin 2017, megjithatë, NATO pranoi ta forcojë bashkëpunimin e saj me FSK, por vetëm midis forcës paqeruajtëse të KFOR-it që ka mandat nga OKB-ja dhe zyrës ndërlidhëse dhe ekipit këshillues të NATO-s në Prishtinë.

Në vitin 2018, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin, i cili i shton kompetencat Forcës së Sigurisë së Kosovës për ta shndërruar atë në ushtri në një periudhë brenda 10 vitesh, por pa ia ndërruar emrin. E prania e vendeve të vogla në NATO, siç janë vendet e Ballkanit, për analistin Lulzim Peci, në aspektin ushtarak ato nuk i ofrojnë shumë aleancës.

“Krejt vendet e rajonit janë vende të vogla, dhe në aspektin ushtarak ato nuk i ofrojnë shumë aleancës, mos të themi nuk i ofrojnë asgjë, mirëpo këto vende janë pranuar në NATO për shkak të efektit stabilizues që ato e kanë për rajonin dhe për sigurinë evropiane. Kështu që anëtarësimi i Kosovës në këtë institucion, duhet të shihet përmes këtij prizmi. Shembull ka një anëtar të NATO-s siç është Islanda, e cila pothuajse nuk ka fare ushtri, kështu që nuk është krejt esenca e të pasurit forca të fuqishme të armatosura, për të qenë anëtare e NATO-s”, thotë Lulzim Peci.

Sidoqoftë, çdo shtet anëtar i NATO-s e ka të drejtën e vetos brenda organizatës, dhe për shkak se katër vende të NATO-s nuk e njohin Kosovën, kjo tash për tash e bën të pamundur që Kosovës t’i jepet një plan aksional për anëtarësim, që përcakton hapat e nevojshëm që një vend të bëhet përfundimisht një anëtar i plotë i NATO-s.

Aktualisht NATO ka trupat në Kosovë rreth 3700 trupa në kuadër të misionit të KFOR-it, i cili ende funksionon nën mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së./ DW