Kosova ka bërë zgjidhje në Amerikë për blerjen e grurit, pasi shteti ku Kosova më së shumti e importon këtë produkt, Serbia, ditë më parë ka pezulluar për një kohë shitjen e tij. Përveç në SHBA, Kosova do të mund të blejë grurë edhe nga shtetet e tjera perëndimore, kështu ka njoftuar dje ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Autoritetet e Kosovës e kishin ngritur këtë çështje gjatë këtij muaji kur lufta në Ukrainë po zhvillohej me intensitet ndërkohë që në vend po flitej për rritje çmimesh dhe mungesë të produkteve bazike që mund të shfaqen muajve në vijim.
Për këtë Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka folur me ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier. Në njoftimin për media që ishte dërguar thuhej se Presidentja kërkoi mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në adresimin e pasojave ekonomike nga ngritja e çmimeve të produkteve ushqimore bazë në Kosovë.
Në fillim të këtij muaji u bë e ditur se Serbia nuk do të eksportojë më grurë nëpër shtetet e tjera. Si arsye për pezullim, Vuçiç e ka dhënë rritjen e jashtëzakonshme të eksportit në ditët e fundit.
Ndikim në rritjen e eksporteve nga ky shtet ka pasur edhe lufta e Rusisë në Ukrainë, kur dihet se këto dy shtete janë prodhueset më të mëdha të grurit në botë.
Megjithatë, në këtë situatë Bashkim Zejnullahu nga Shoqata e Mullistëve të Kosovës kishte thënë se vendi ka rezerva të mjaftueshme të grurit.
Edhe në fund të muajit shkurt, Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, kishte deklaruar se Kosova ka rezerva të grurit për tre deri në gjashtë muaj.
Ndërsa, dje derisa po raportonte në Komisionin për Ekonomi, ministrja Rozeta Hajdari u shpreh se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka marrë një përgjigje pozitive nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket importit të grurit në të ardhmen edhe nga ShBA-të.
“Kosova nuk ka pasur varësi për import të grurit nga Ukraina, por nga Serbia. Por, fatmirësisht kemi marrë përgjigje pozitive nga shtetet e perëndimore dhe nga ShBA-të për mundësinë e importit të grurit nga këto shtete. Pra, Kosova mund të jetë blerës i ardhshëm i grurit amerikan”, tha ajo gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi.
Ministrja Hajdari shtoi se vendi duhet të përgatitet për rritjen e Rezervës shtetërorë.
Sipas statistikave që Dogana e Kosovës i ka dërguar Gazetës Express, Kosova më së shumti importon grurë nga Serbia.
Në vetëm dy muajt e parë të këtij viti, vendi ka importuar grurë nga Serbia në vlerë gati 2 milionë euro, që i bie se rreth 82 përqind e importit është realizuar vetëm nga ky shtet.
Importi i grurit nga Serbia ka qenë në vlera milionëshe edhe gjatë dy viteve të fundit. Në vitin 2020, vlera e importit ka qenë rreth 15 milionë euro, derisa në vitin 2021 ka qenë gati 23 milionë euro.
Përkthyer në përqindje, gjatë vitit 2021, rreth 85 përqind e importit të grurit ka qenë nga Serbia, kurse gjatë vitit 2020 ka qenë rreth 56 përqind.
Të tjera vende prej të cilave Kosova ka blerë grurë këtë vit janë edhe Kroacia, Hungaria, Maqedonia e Veriut. Më herët, importin e grurit, vendi e ka bërë edhe nga shtete, si: Turqia, Italia, Austria, Rusia, Gjermania, Bullgaria, Ukraina dhe Holanda. /Express