MENU
klinika

“U radhit në anën e Rusisë”

Kurti shikon vështirësi në takimet me Serbinë

15.03.2022 - 15:27

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij në Kuvend ka  komentuar situatën mes  Ukrainës dhe Rusisë, ku ka theksuar edhe pozicionimin që Serbia ka marrë në këtë konflikt.

Kurti në fjalën e tij është shprehur se takimet në nivel të lartë mes tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç varen edhe nga Brukseli.

“Besoj që situata është më e vështirë sesa dikur, varet se kur na vjen ftesa nga Brukseli, por pas invazionit rus në Ukrainë dhe agresionit shokues ushtarak të Kremlinit mbi popullin e Ukrainës që po zhvillon luftë të paepur çlirimtare, me ç’rast ne edhe shprehëm gatishmërinë tonë për të marrë 20 gazetarë dhe 5 mijë refugjatë por edhe iu bashkuam sanksioneve të SHBA-ve dhe BE-së, ndërkohë që Serbia praktikisht u vendos në anën e Federatës Ruse takimet janë në një situatë tejet më të vështirë sesa vitin e kaluar. Evropa është në luftë, në Ukrainë po mbrohet kontinenti evropian, demokracia perëndimore po mbrohet dhe është obligim i yni njerëzor, qytetar, demokratik solidarizimi mbështetja e përkrahja e Ukrainës dhe sanksionet ndaj Federatës Ruse ndërkohë dihet që Serbia se ka bërë asnjërën prej tyre. Në këtë situatë ku ata nuk po e kanë kurajon që të distancohen nga Federata Ruse dhe t’u bashkohen sanksioneve edhe takimet tona janë vështirësuar shumë” ka thënë ai.

Ndërkohë në lidhje me zgjedhjet serbe në Kosovë, kryeministri Albin Kurti është shprehur se bashkërisht me ambasadorët e QUINT-it dhe BE-së që veprojnë në vend po mundohen që të gjejnë në zgjidhje.

Ndër të tjera ai ka thënë se çfarëdo zgjidhje që të vendoset nuk duhet të cenojë shtetësinë dhe kushtetutshmërinë e Kosovës.

Ne kemi shprehur qëndrimin tonë dhe konsiderojmë që në njërën anë nuk duhet që t’u pamundësojmë serbëve në Kosovë që përveçse kanë nënshtetësinë e Kosovës dhe atë të Serbisë ta kenë të drejtën e votës, mirëpo në anën tjetër kushtetutshmëria, ligji në Kosovë, rezoluta e fundit e 15 janarit, neve na e obligojnë bazën e çfarëdo zgjidhje që do të marrim në të ardhmen. Jemi në kontakt me ambasadat e QUINT-it dhe BE-së këtu në Kosovë në mënyrë që të shohim se çfarë zgjidhje mund të gjejmë që edhe të drejtat të mos shkelen por kurrsesi të mos cenohet shtetësia, kushtetutshmëria, sundimi i ligjit dhe rezoluta. Ne do ta gjejmë një zgjidhje për këtë dhe konsiderojmë që ajo zgjidhje nënkupton vullnetin e mirë por para se të gjitha janë edhe dysheme e tavan është kushtetutshmëria dhe sundimi i ligjit. Nuk duam asnjë qytetar i Kosovës që e ka nënshtetësinë e Serbisë të privohet nga e drejta e votës”, është shprehur Kurti ndër të tjera.