Mund të duket e pabesueshme kur e dëgjon, por është e vërtetë. Miranda Dervishi është shqiptarja kamioniste në Itali dhe jo vetëm. Në familjen e saj janë të gjithë kamionistë, që nga babai i saj, djemtë e saj, vëllezërit dhe nuset e këtyre të fundit.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, Miranda ka treguar shumë detaje lidhur me punën e saj, të cilën e ka konsideruar si të vështirë për femrat.
“Ne kemi firmë tonë të kamionëve, deri më tani kemi punuar për një koperativ, por tani do të hapim një tonën.
Të them të drejtën në vitet 2000 kur kam marr patentët kam pasur shumë vështirësi, në shumë fusha. Vështirësi te rruga, ikën që në mëngjes dhe nuk e di a do takosh fëmijët në darkë. Kjo punë është shumë me rrezik për një femër, pasi ka raste që ti nuk do shkosh në shpi, do flesh në kamione”, tha ajo.
Sa i përket nuseve të vëllezërve, Miranda u shpreh: “Mamaja i thoshte gjithmonë shkoni punoni me djemtë dhe kështu e mësuan. Pasi donin të qëndronin të gjithë bashkë, që të mos ndaheshin”.