Grabiti me dhunë një familje në Kurbin, arrestohet duke hyrë në Shqipëri nëpërmjet pikës kufitare të portit të Durrësit.
Gilmando Bami, 22- vjeçari me banim në FushëKrujë, u vu menjëherë në pranga nga Policia Kufitare, pasi rezultonte person i shpallur në kërkim policor për një grabitje të kryer në bashkëpunim të ndodhur Vinollë të Kurbinit.
“Gilmando Bami, 22 vjeç, banues në Fushë-Krujë, është arrestuar nga Policia e Durrësit, pasi akuzohet se është përshirë në një grabitje më dhunë në Kurbin, pak javë më parë. Gilmando Bami u vu menjëherë në pranga teksa po dilte nga trageti dhe po bënte veprimet”, thanë burime nga policia kufitare për gazetën “Panorama”.
Në datën 12 janar të këtij viti, 22-vjeçari së bashku me Egli Durmën, 21 vjeç, Islam Kabilin, 30 vjeç, të maskuar me uniforma kamuflazhi, përmes dhunës, mundën të merrnin shumën prej 150 mijë lekësh në një banesë në fshatin Vinjollë të Kurbinit. Sakaq, arratia e Bamit nuk ka zgjatur shumë. Më herët Policia ka arrestuar Egli Durmën, ndërsa vijon të jetë në kërkim Islam Kabili.
GRABITJA
Gilmando Bami dhe dy miqtë e tij, Egli Durma dhe Islam Kabili, të maskuar dhe të armatosur, u futën në mesnatë në shtëpinë e shtetasit A.L. në fshatin Vinjollë të Kurbinit. Fillimisht, ata nisën të dhunonin pronarin e banesës dhe e kërcënonin se do ta vrisnin nëse nuk bashkëpunonte me ta.
Ata kanë mundur të gjenin rreth 150 mijë lekë dhe më pas u larguan me shpejtësi. Menjëherë pronari i banesës, i dhunuar, iu drejtua Policisë për të denoncuar ngjarjen. Pas hetimeve, efektivët arritën të identifikonin autorët Egli Durma, 21 vjeç, Islam Kabili, 30 vjeç dhe Gilmando Bami, 22 vjeç, të tre banues në Krujë.
Në pranga ka rënë Egli Durma, ndërsa dy autorët e tjerë janë shpallur në kërkim. Pas arrestimit të Egli Durmës, gjatë kontrollit të banesës së tij, janë gjetur dhe sekuestruar disa veshje të cilat dyshohen të jenë përdorur nga ky shtetas gjatë kryerjes së veprës penale. Ndërkohë, Policia shpalli në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij, Golmando Bamin dhe Islam Kabilin.
E ndërsa Bami u arrestua mëngjesin e djeshëm, sapo vuri këmbën në tokën shqiptare, Kabili vazhdon të jetë ende në arrati. Policia nuk ka rënë ende në gjurmët e Kabilit, i cili dyshohet të jetë larguar jashtë vendit, sikurse edhe Bami.
Por ky i fundit guxoi të vinte në Shqipëri, pavarësisht se ishte në dijeni të faktit që Policia e kishte shpallur në kërkim për bashkëpunim në grabitjen e ndodhur në datën 12 janar 2022, detajet e së cilës u bënë me dije nga Policia më 23 shkurt, në kuadër të operacionit të koduar “Vinjolli”, ku u identifikuan tre të rinjtë e përfshirë në ngjarje. Gilmando Bami, i afërm i një tjetër personazhi në Krujë, është arrestuar edhe në vitin 2019 për shpërndarje të lëndëve narkotike.