Sot, ndaj Spanjës, Broja do të udhëheqë sulmin kuqezi dhe duke pasur parasysh nivelin e lartë të kundërshtarit, normalisht që sytë janë te ndonjë “shpikje” e tij, ashtu siç bëri në vitin e kaluar ndaj Hungarisë.
Reja do t’i vendosë lojtarët sipas pozicioneve në fushë për të qarkulluar topin. Në sulm dilema është se kush do të luajë në krah të Brojës, por Cikalleshi është më i avantazhuar në krahasim me Manajn dhe Uzunin.
Por, një dilemë më e madhe ka qenë në këto ditë edhe një vend në mesfushë, aty ku Gjasula është në balotazh me Asllanin, lojtarin e Empolit që grumbullohet për herë të parë me Kombëtaren shqiptare.
Në mbrojtjen me tre do të rreshtohen Ismajli, Gjimshiti dhe Kumbulla, ndërsa nga krahët do të jenë Balliu në të djathtë dhe Hysaj në të majtë. Në mesfushë gjasat më të mëdha janë të luajnë Bare, Gjasula dhe Laçi.
Në konferencën e djeshme për mediat Reja ka qenë i shoqëruar nga Hysaj, duke konfirmuar kështu në njëfarë mënyre mosaktivizimin e kapitenit Etrit Berisha në portë nga minuta e parë dhe zëvendësimin e tij me Thomas Strakoshën, i cili do ta nisë si titullar ndaj iberikëve.