Stuart Peach, emisari special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, ka thënë se situata në Bosnje e Hercegovinë është shqetësuese por nuk ka të bëjë me ndonjë krizë sigurie.
Kështu ka thënë Peach në një intervistë për agjencinë e lajmeve kroate Hina, duke thënë se lufta e Rusisë në Ukrainë “është një sfidë që s’duhet të përhapet në Ballkan”.
“Situata në Bosnjë dhe Hercegovinë është shqetësuese. Sigurisht, është një situatë politike, një çështje politike dhe jo një krizë sigurie. Ne duhet të punojmë së bashku për të parandaluar që ajo të shndërrohet në një krizë sigurie,” ka deklaruar Peach për Hina.
Tutje emsiari britanik ka thënë se raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë janë vendimtare në procesin e integrimit në Bashkim Evropian.
Ai ka theksuar se Qeveria e Britanisë së Madhe e mbështet dialogun Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuar nga emisari sllovak, Miroslav Lajcak./Express