MENU
klinika

“Nuk përkon me…”

Lulzim Basha mund të bëhet president? Flet Elisa Spiropali

28.03.2022 - 21:59

E ftuar në një intervistë televizive, Elisa Spiropali, pjesë e grupit të punës së përcaktuar nga Partia Socialiste për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, deklaroi se ai që do të zgjidhet duhet të përfaqësojë frymën e një uniteti dhe të ketë interesin kombëtar dhe qytetar primarin.

“Basha nuk përkon me identikitin e Presidentit që ne kërkojmë. Kjo është e sigurt. Sigurisht që duhet të plotësojë të gjitha kriteret e Kushtetutës, por mbi të gjitha të përfaqësojë frymën e një uniteti, pra të jenë gjëra që kanë kuptim, të kenë interesin kombëtar dhe qytetar primar, të mos fus hundën në punë politike, të mos ndërhyjë nëpër procese, të mos dale e të bëj thirrje për sqepar e për hanxhar, të mos jetë pjesë e partive politike. Shikoni Presidentin Meta dhe përfytyroni të kundërtin dhe ai do të jetë identikiti i Presidentit të ri”, u shpreh Spiropali.

Ajo tha se mund të jetë edhe një grua në vendin e Presidentit dhe i vetmi kriter që duhet plotësuar është mosha, pra duhet mbi 40 vjeç.

“Mund të jetë edhe grua. Nuk është kriter gjinia, por cilësia e karakterit dhe dija. I vetmi kriter është se duhet të jetë mbi 40 vjeç,” përfundoi ministrja Spiropali.

Duke u ndalur tek situata në PD, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, u shpreh se ndjen keqardhje për PD dhe se gjatë debateve më herët në parlament, ka pasur gjithmonë batuta por kanë qenë për të vënë në dukje të vërtetën.